Dita Kombëtare e Rinisë, Denaj: Nxisim dëshirën për të sjellë inovacione

Dita Kombëtare e Rinisë, Denaj: Nxisim dëshirën për të sjellë inovacione

364
0

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, vizitoi qendrën më të madhe të teknologjisë: Tumo Center Tirana, që synon të aftësojë të rinjtë në fushën e inovacionit dhe artit, në mjediset e stadiumit “Arena Kombëtare”, nga ku edhe dha disa mesazhe të rëndësishme për të rinjtë shqiptarë.

 

“Është një ditë shumë e rëndësishme, për të dhënë disa mesazhe për të gjithë të rinjtë, duke qenë Dita e Rinisë. Si Ministre e Financës dhe Ekonomisë dhe aq më tepër në kudër të lançimit të një ligji, jo pak të rëndësishëm, ai që mbështet start-up-et, në fushën e inovacionit, kuptohet që është një ligj për këta të rinj, të cilët jo vetëm në kuadrin e formimit dhe arsimit të tyre profesional apo akademik, por edhe nëpërmjet këtyre qendrave, të nxisim sadopak dëshirën për të ardhmen, për të sjellë inovacione që i kemi shumë të nevojshme për situatën që jetojmë”, u shpreh Denaj.

 

Sipas ministres, kjo qendër është një investim i mirë për një perspektivë shumë të rëndësishme të të ardhmes digjitale.

 

“Kushtet e mrekullueshme të qendrës Tumo, apo të qendrës së ardhshme tek Piramida, do t’i japin një mundësi shumë të mirë brezave të tjerë, të cilët do të programojnë të ardhmen tonë ekonomike digjitale më mirë sesa sot”, përfundoi Denaj.

 

Tumo Center Tirana është një qendër për fëmijë të grupmoshës nga 12-18 vjeç, të cilët studiojnë disiplina të ndryshme të fushës digjitale dhe kreative siç janë, Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling.