Deputetja Pranvera Resulaj diskuton me të rinjtë e Himarës kauzat sociale që...

Deputetja Pranvera Resulaj diskuton me të rinjtë e Himarës kauzat sociale që i shqetësojnë dhe ndan këshilla sesi ata ti adresojnë

717
0

Autor: Arlis ALIKAJ

Megjithëse temperaturat ishin të larta, po kaq të nxehta dhe produktive ishin dhe bisedat e takimit të radhës në qytetin e bukur bregdetar të Himarës ku nxënësit e shkollës së mesme “Spiro Gjiknuri” biseduan me deputeten e qarkut Vlorë, znj. Pranvera Resulaj

Në foto deputetja maxhorancës, Pranvera Resulaj duke dëgjuar nxënësit. Kreditet e fotos, Arlis Alikaj

Takimi nisi me temën që ka shqetësuar çdo maturant ditëve të fundit, siç janë provimet e maturës dhe lëndët me zgjedhje ku deputetja Resulaj ndau dhe eksperiencën e vajzës së saj, e cila ishte gjithashtu maturante këtë vit.

‘‘Kam dy fëmijë, një djalë që është diplomuar për financë dhe një vajzë që ishte sikundër edhe ju maturante edhe ju uroj me gjithë shpirt suksese sepse e kuptoj që është një nga momentet më të bukura por gjithashtu edhe më të vështira të jetës. Këto dy momente të vështira ka njeriu sepse është edhe mosha e tillë, kur ti do zgjedhësh degën ku do studiosh dhe nisësh rrugën e të ardhmes si dhe punën ku do punosh, të paktën punën e parë. Me kurajo të madhe uroj ti kaloni këto momente’’, u tha deputetja Resulaj të rinjve të pranishëm.

Nxënësit e shkollës së mesme ngritën probleme si aksesueshmëria në shkolla e të rinjve nga zona rurale të cilët për shkak të kushteve të këqija të infrastukturës dhe mos përballimit të kostove të transportit braktisin shkollën.

Galeri me foto gjatë momenteve të takimit. Fotot: Arlis Alikaj

Znj. Vana Todhri, drejtore e shkollës së mesme ‘‘Spiro Gjiknuri’’ Himarë, duke falenderuar deputeten e qarkut Vlorë për kohën dhe interesin, risolli në vëmëndje nevojën e shkollës së mesme në Himarë për pasije teknologjike, laboratorë dhe salla me kushte optimale studimi.

‘‘Tani kjo është një kërkesë e shkollës tonë që dihet ndër vite dhe çdo drejtues e ka deleguar, por vetëm sot me ndihmën e Komunitetit Shqiptar të Helsinkit, patëm rastin ta diskutojmë dhe me deputeten nga afër’’, u shpreh drejtoresha e shkollës së mesme.

Xhasmina Goro nxënëse nga Himara pyeti deputeten rreth rolit të saj dhe sesi ajo mund të përfaqësonte zërin e të rinjve në qeveri, ‘‘1 deputet do të thotë rreth 20.000 zgjedhës, ju më këni mua, diskutoni idenë me mua, nëse mua më pëlqen dhe qëndron vërtetë si problem, unë e delegoj në komisionet e ligjeve. Pastaj duhet të votohet në komisionet përgjegjës’’. Më pas kalon në parlament ku dhe voton ligjin sipas grupeve të interest’’, shpjegoi deputetja Resulaj. Kur nuk kam aktivitet parlamentar unë jam në komunikim të ngushtë me komunitetin. Unë jam e parimit për të dhënë zgjidhje definitive për komunitetin dhe jo individuale. Jeni të mirëpritur të ngrini kauzat tuaja tek unë, shtoi më tej deputetja.

Në foto: Nxënëse maturante nga Himara duke bashkëbiseduar me deputeten Resulaj për probleme që i shqetësojnë. Kreditet e fotos, Arlis Alikaj

Valentina Çakalli një tjetër maturante nga Himara shprehu rezerva përsa i përket fondeve që ndahen në shkolla dhe mungesës së fondeve të librave. ‘‘Shpesh herë mësuesja jonë ka blerë me paratë nga xhepi saj libra për shkollën’’. Gjithashtu Valentina ngriti problemin e mos ndjekjes së shkollës të fëmijëve nga fshatrat përreth Himarës për shkak të pamundësive ekonomike. Ajo sugjeroi të vihej një autobuz ku transporti të paguhej nga institucionet përkatëse në mënyrë që të gjithë të kishin të drejtën për tu arsimuar.

Flitet shpesh nëse largohen të rinjtë, se kush do qëndroj këtu. Unë dua të arsimohem për Arkitekturë në Tiranë. Më pas dua të kthehem në vendin tim Himarë. Një rrogë që merr një specialist a punonjës bashkie varion nga 35.000 deri në 40.000 Lekë. Shteti duhet të rrisë pagat pasi Bota na vlerëson dhe paguan më shumë që dhe ne të qëndrojmë këtu, tha Irsjana Tato, nxënëse e shkollës së mesme Spiro Gjiknuri gjatë takimit.

Të tjera tema që u trajtuan ishin: mungesa e mësuesve specialistë dhe të profilizuar për lëndë, si për shembull mësuesve të edukimit fizik që mungonin në shkollën e tyre, tjetër temë ishte pa siguria që ndjejnë të rinjtë për punësimin pas shkollimit, mungesa e laboratorëvë të mirëfilltë në shkolla ku Znj.Resulaj gjatë takimit referoi në kohë reale Ministres së Arsimit dhe Sporteve, znj. Evis Kushi problematikat e gjimnazit Himarë për t’i pasur prioritet dhe u premtoi nxënësve që do i ndiqte më tej.

Deputetja mbajti shënim të gjitha problematikat dhe sugjerimit si dhe pas firmosjes së zotimit miqësor, deputetja i inkurajoi të rinjtë që të bëheshin pjesë e nismave ligjore dhe i udhëzoi ata sesi të ngrinin si grup një kauzë të caktuar duke marr shembull një nisëm nga nxënësit e shkollës ‘‘Ali Demi’’ në Vlorë të cilët kishin lobuar për aksesin e të rinjvë PAK (me aftësi të kufizuara) për të përshtatur kushtet e infrastrukturës në mënyrë që arsimi të ishte gjithë përfshirës.

Në foto deputetja e qarkut Vlorë znj. Pranvera Resulaj së bashku me deklaratën e zotimit miqësor ndaj të rinjve. Foto: Arlis ALIKAJ

Për më shumë ndiqni detaje nga takimi Himarës, ju ftojmë të shihni videon e bashkangjitur👇: 

Ky aktivitet u realizua nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në kuadër të iniciativës “Mbështetja për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, i cili është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, zbatuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe Instituti Demokratik Amerikan.

Shperndaje