Çfarë është pajisja që iu vu Eriksen, funksioni, kush ka nevojë për...

Çfarë është pajisja që iu vu Eriksen, funksioni, kush ka nevojë për të dhe si jetohet me këtë aparat

415
0

Pas konfirmimit se Christian Eriksen pësoi një arrest kardiak gjatë ndeshjes së ‘Euro 2020’ ndërmjet Danimarkës dhe Finlandës, kombëtarja e tij ka bërë të ditur se mesfushorit do t’i vendoset një defibrilator kardioverter të implantueshëm.

Mesfushori danez i humbi ndjenjat dhe u rrëzua në fushë, ku iu dha ndihma e parë dhe u reanimua para se të dërgohej në spital për të vazhduar me diagnostikimin dhe trajtimin e mëtutjeshëm.

Defibrilatori kardioverter i implantueshëm (ICD) është një pajisje e vogël, e cila mund t’i trajtojë njerëzit me ritme jonormale të rrezikshme të zemrës.

ICD dërgon impulse elektrike për të rregulluar ritmet anormale të zemrës, sidomos ato që mund të jenë të rrezikshme dhe të shkaktojnë një arrest kardiak.

Zemra ka sistemin e vet elektrik që rregullon rrahjet e zemrës. Me secilën rrahje të zemrës, ekziston një sinjal elektrik që udhëton nëpër zemër, duke shkaktuar kontraktimin dhe pompimin e gjakut. Nëse kjo nuk ndodh siç duhet, mund të keni një ritëm jonormal të zemrës (ose aritmi) dhe mund të keni nevojë për vendosjen e një ICD-je.

Si funksionon një ICD

ICD-ja vendoset nën lëkurë, zakonisht në hapësirën menjëherë nën klavikulë për t’i monitoruar rrahjet e zemrës. Disa tela të hollë e lidhin ICD-në me zemrën dhe gjatë gjithë kohës kontrollohen të rrahurat dhe ritmi i zemrës. Monitorimi i zemrës realizohet përmes elektrodave.

Nëse ICD heton një ritëm të rrezikshëm të zemrës, mund të bëjë një apo më shumë nga trajtimet e mëposhtme:

Cakton ritmin – një seri e impulseve me voltazh të ulët elektrik në një shkalle të lartë për të korrigjuar ritmin e zemrës.

Kardioversioni – një ose më shumë goditje të vogla elektrike për të rikthyer ritmin normal të zemrës.

Defibrilacioni – një ose më shumë goditje të mëdha elektrike për të rikthyer ritmin normal të zemrës.

 

Si vendoset një ICD

Defibrilatori kardioverter i implantueshëm vendoset pasi është dhënë anestetiku lokal, por edhe me qetësues, ashtu që mund të ndiheni të përgjumur. Kohëzgjatja e vendosjes së një ICD-je është nga një deri në tre orë. Koha e nevojshme varet nga lloji i pajisjes që vendoset. Rëndom pacienti duhet të qëndrojë në spital gjatë natës, në mënyrë që pajisja të kontrollohet para se të lëshoheni në shtëpi.

 

 

 

ICD futet menjëherë nën klavikulë. Ngjan me një ‘pacemaker’ (stimulues kardiak) dhe është pakëz më i madh se një kuti shkrepëseje.

Defibrilatori kardioverter i implantueshëm përbëhet nga:

Gjeneratori i impulsit – një qark elektronik me bateri.

Një ose më shumë tuba elektrodash, të cilat vendosen në zemrën tuaj përmes një vene.

 

Hart

Për disa njerëz është i përshtatshëm një lloj tjetër i ICD-së. Quhet ICD nënlëkurore (nën lëkurë) – ose shkurt SICD. Një SICD funksionon në të njëjtën mënyrë me një ICD, por futet nën lëkurën e gjoksit (jashtë brinjës) dhe nuk ka elektroda të vendosura në zemër.

 

Kush ka nevojë për një ICD

Mund të keni nevojë për një ICD nëse:

Tashmë keni pasur ritëm jo normal të rrezikshëm për jetën dhe jeni në rrezik që ta keni përsëri.

Nuk keni pasur ritëm jo normal të rrezikshëm për jetën, por ekzaminimet tregojnë se jeni në rrezik për një të tillë në të ardhmen. Kjo ndodh zakonisht nga trashëgimi i gjeneve që mund të shkaktojnë kardiomiopati, sindromën e QT të zgjatur ose sindromën Brugada.

Keni pamjaftueshmëri të zemrës dhe jeni në rrezik që të zhvilloni një ritëm të zemrës të rrezikshëm për jetën. Kjo quhet terapi e resinkronizimit kardiak me një defibrilator ose CRT-D. Kjo pajisje kombinon një ‘pacemaker’ me një ICD që sigurohet që barkushet të rrahin në kohën e duhur.

 

Zerma

Jeta me ICD

Është me rëndësi që personi, i cili ka të vendosur një ICD të bëjë kontrolle të rregullta (çdo deri në 12 muaj varësisht nga lloji), në mënyrë që pajisja të jetë funksionale gjatë gjithë jetës.

Njerëzit që kanë të vendosur ICD mund të detyrohen që ta ndryshojnë mënyrën e jetesës, për shembull nëse janë shoferë apo merren me sport. Po ashtu, disa pajisje elektronike, si pajisjet translëkurore elektrike për stimulim nervor apo sistemet e sigurimit në aeroporte mund të ndikojnë në ICD.

Sa u përket telefonave të mençur, duhet të kihet kujdes nëse kanë material magnetik, sepse mund ta ndalin ICD-në. Rekomandohet që telefonat celularë të qëndrojnë së paku 15 centimetra larg ICD-së.

 

Defibr2

Christian Eriksen është vetëm 29 vjeçar dhe ka shumë vite karrierë përpara vetes, të shpresojmë që ky episod i rëndë në jetën e tij të mos e detyrojë që të heqë dorë nga futbolli aktiv, megjithëse shëndeti është gjithmonë në rend të parë.