Çështje e higjienës personale, rit fetar apo diçka tjetër? Të gjitha të...

Çështje e higjienës personale, rit fetar apo diçka tjetër? Të gjitha të mirat e bërjes synet

454
0

Nëse keni djalë, pas lindjes do të përballeni me vendimin për ta bërë synet. Është një procedurë jo e detyrueshme kirurgjikale, për të hequr lëkurën që mbulon majën e penisit. Duke qenë të informuar për të mirat dhe rreziqet e mundshme me të cilat shoqërohet kjo procedurë, mund të jeni më të sigurt për vendimin që do të merrni.

Çfarë duhet të keni parasysh: Disa prova vërtetojnë se kjo është gjë e mirë, por ka edhe rreziqe. Akademia Amerikane e Pediatërve nuk e rekomandon këtë për të gjithë fëmijët meshkuj, duke u shprehur se nuk ka prova të mjaftueshme për dobitë e kësaj procedure. Për të ndërmarrë një vendim të tillë, duhet të keni parasysh vlerat tuaja kulturore, fetare dhe sociale. Synetllëku është një rit fetar, të cilin e praktikojnë ata që i përkasin besimit hebre dhe islamik. Për disa të tjerë është një çështje e higjienës personale apo mjet mbrojtës për shëndetin. Disa prindër vendosin ta bëjnë synet djalin e tyre, sepse nuk duan që ai të jetë ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, disa të tjerë mendojnë se synetllëku nuk është aspak i nevojshëm, kurse të tjerë, besojnë se ai shfytyron pamjen e jashtme të një fëmije.

Para se të merrni vendimin se çfarë është mirë për ju apo djalin tuaj, merrni parasysh të mirat dhe rreziqet :

Të mirat e synetllëkut. Rezultatet e disa studimeve të bëra, tregojnë se synetllëku ka disa të mira, ku përfshihen:

*Ulja e rrezikut të infeksioneve në traktin urinar. Ndonëse gjatë vitit të parë, rreziku nga këto infeksione është i vogël, studimet sugjerojnë se këto infeksione mund të hasen dhjetëfish më shumë te foshnjat meshkuj që nuk janë bërë synet, sesa tek ato që janë bërë. Gjithashtu, djemtë që nuk janë bërë synet, kanë më tepër gjasa që të shtrohen në maternitet për një infeksion të rëndë urinar gjatë tre muajve të pare të jetës, krahasuar me ata që i janë nënshtruar kësaj procedure.

* Ulja e rrezikut të prekjes nga kanceri në penis. Ndonëse ky lloj kanceri është shumë i rrallë, meshkujt e bërë synet, kanë më pak gjasa të preken, krahasuar me ata që nuk janë bërë synet.

* Ulja e rrezikut të infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Disa studime kanë treguar se rreziku i infektimit me virusin HIV dhe virusin e papilomës njerëzore, është më i vogël te fëmijët meshkuj të bërë synet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk kanë pse përdorin masa mbrojtëse. Këto, janë më të rëndësishme se synetllëku për parandalimin e infeksioneve të transmetueshme.

*Parandalimi i problemeve me penisin. Ka raste kur lafsha e penisit që nuk është bërë synet, ngushtohet deri në atë pikë, sa është e pamundur të tërhiqet. Kjo sëmundje quhet fimoza. Në këto raste, për trajtimin e këtij problemi është i nevojshëm synetllëku. Ngushtimi i lafshës së penisit mund të çojë edhe në inflamacionin e kokës së tij (balanitis).

*Më tepër higjienë. Synetllëku ndihmon në higjienën e një mashkulli. Zakonisht te një foshnjë e porsalindur lafsha është e ngjitur me majën e penisit, ndërkohë që në fëmijërinë e hershme, ajo tërhiqet pas në mënyrë graduale. Lajeni lehtë me ujë dhe sapun zonën gjenitale të foshnjës.