Burgu 325, gratë festojnë mes luleve dhe lotëve. Aktorë të teatrit Bylis...

Burgu 325, gratë festojnë mes luleve dhe lotëve. Aktorë të teatrit Bylis performojnë për 8 Marsin

1932
0

Do të dëshironin që si çdo grua tjetër jashtë atyre hekurave, të përfafonin të dashurit e tyre, të merrnin dhurata, apo një tufë lule, dhe nje mesazh të shkruar bashkë me to. Të dënuara për vepra të ndryshme penale, gratë dhe vajzat në burgun 325 në Tiranë e festuan 8 Marsin mes luleve, por edhe lotëve të dhimbjes. Ka qenë dita e vetme ku gratë e dënuara kanë ndjerë një përjetim të veçantë. Që në mëngjes herët ato ishin të përgatitura për këtë festë. Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve kishte marrë të gjitha masat që kjo ditë të ishte paksa e veçantë nga ditët e tjera në burg. Këngë, sfilatë mode me veshje të krijuara vetë, dhe lule për gratë e privuara nga liria. Dhimbja për fëmijët e tyre është e madhe. Pikërisht kjo ditë ia ka lehtësuar për pak momente këtë dhimbje. Sot atyre ju bashkuan për t’i uruar, por dhe për tu dhënë mesazhe shprese, kurajo dhe mbështetje, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni, nënkryetarja e kuvendit Vasilika Hysi, deputetet Mimi Kodheli, Antoneta Dhima dhe Blerina Gjylameti dhe Elona Gjebrea.

I pranishëm ishte dhe Drejtori I Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, dhe drejtoresha e këtij institucioni Elona Demollari.  Deputetet e PS-së zgjodhën pikërisht 8 Marsin, për t’i siguruar gratë e dënuara për vëmendjen e qeverisë ndaj tyre.

Për të krijuar një atmosferë ndryshe, nga Fieri, nga teatri i Bylis kishin ardhur posaçërisht aktorët: Astrit Hasanaj, Miola Sitaj dhe rregjisori Klajdo Marku, të cilët performuan para grave një pjesë teatrale, kun ë focus ishte dhuna në familje. Pjesëmarrja e këtyre artsitëve u mundësua nga deputetja socialiste Antoneta Dhima. “Vizion.com.al” ndoqi nga afer te gjithe aktivitetin. 

Dhima:  Durim e shpresë për t’iu bashkuar së shpejti familjes dhe fëmijëve tuaj

Sot është një ditë e shënuar për të gjithë ne gratë. Është një nga ato ditët, kur ne, nënat dhe motrat, me misionin dhe kontributin tone social, i tërheqim vëmendjen gjithë botës duke i thënë: ne jemi gjithcka, ne jemi familja, jemi e ardhmja, nga ne nis jeta! Të dashura gra dhe nëna! Asnjë më shumë se ne nuk e njeh peshën e fjalës “nënë”, “fëmijë”, “familje”, “prind”. Për ta ne shkrijmë jetën tonë dhe sakrifikojmë gjithcka! Të vija ketu tek ju, për ta përcjellë urimin e festës së 8 Marsit, nuk ishte dhe aq e lehtë. Për ne familja është e shtrenjtë, dhe te jesh larg saj është ndjenja më e keqe që mund të pushtojë një nënë.

E kuptoj shumë mirë secilën prej jush sot, kur do të donit të merrnit përqafime pa fund nga fëmijët dhe bashkëshortët tuaj, të zgjoheshit me një mal urime për të qënë të lumtura dhe zonja të punës dhe familjes! Por Jeta ka edhe sfida dhe këto sfida në përgjithësi i mban gruaja, sepse zoti e ka bërë të fortë që në lindjen e fëmijës dhe ruajtjen e familjes! Për të gjitha këto, erdha me shumë dashuri dhe dëshirë, për të ndarë me ju ca caste gëzimi, duke ju përcjellë kurajo, durim dhe njëkohësisht besim tek zoti, se një ditë do të ktheheni ndryshe pranë familjes tuaj, fëmijëve dhe prindërve!

Gra, nëna dhe motra, nga thellësia e zemrës, ju uroj Gëzuar Festën e 8 marsit, Zoti ju dhëntë durim e shpresë për t’iu bashkuar së shpejti familjes dhe fëmijëve tuaj! Sot është dita jonë, është festa jonë, prandaj le t’i gëzohemi kësaj feste me gjithë bukurinë e saj.

Këtë 8 Mars kam ardhur tek ju me një shfaqe që do përcjell emocione,  pasi teatri gjithmon përcjell emocion .

Gëzuar festën dhe ditë më të mira ardhshin për ju!