Odiseja e emigracionit shqiptar i ngjan një populli pa territor, pa shtet, pa qeveri. Ne renditemi në vendet me emigrimin më të lartë për frymë në rang botëror. Mbi 40% ose 1.112.000 e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit. Profili i migracionit përfshin emigrantë pune, azil-kërkues, refugjatë, studentë dhe minorenë të pashoqëruar. Emigracioni vazhdon të mbetet obsioni i vetëm për shqiptarët. Kjo plagë do të duhej të kishte vëmendjen maksimale të shtetit, por nuk ndodh kështu. Emigrantët nuk janë në axhendën e qeverisë. Të harruar, të braktisur, të mohuar, shqiptarët enden rrugëve, jashtë dhe brenda atdheut të tyre si në “Robërinë e Babilonisë”.
Nga mosinteresimi e braktisja tek mohimi, emigrantët shqiptarë, s’kanë të drejtë të vendosin për fatet e vendit të tyre. Ata e kanë të ndaluar të votojnë, të kontribuojnë, të kthehen në vendin e tyre. Ata pengohen të jenë pjesë e ekzekutivit, vendimmarrjes dhe administratës së tejmbushur nga familjarët dhe militantët e partisë së 1 milion shuplakave të cilat prej shtatë vitesh na enjtin çdo ditë fytyrën me arrogancën, fyerjen, talljen, përçmimin e korrupsionin zhvatës. Shuplaka, ishte leximi punist i qeverisë që ua ktheu në hematomë mirëbesimin shqiptarëve, të cilët ose duhet të zvarriten nën këmbët e tutorëve, ose të ikin për t’u harruar. Si te Eksodi biblik. Vetëm se në rastin tonë faraoni është njëri prej nesh.
Gjithçka që del nga dobësia është djallëzi thonte Nice. Show i krijimit të Ministrisë së Diasporës nuk ishte vetëm fllucka e rradhës në shportën e premtimeve të pambajtura, por dhe simboli i makutërisë që s’ngopet. Tenderi prej 206.666 lekësh, në kulmin e pandemisë “për blerjen e materialeve me përmbajtje patriotike” të 500 qelesheve, kapërcen çdo lloj imagjinate. Në vend të shërbimeve, në emër të patriotizmit, emigrantëve ju ofrohen qeleshe. Këtë ironi do ta kishte zili dhe Mr. Been.
Krizat që ndodhin janë leksioni i duhur përkundër dilema që vënë në provë personalitetin, integritetin, të drejtën, madje dhe lirinë tonë. Kriza e emigrantëve këto ditë kapërceu çdo kufi. Katër ditë pa bukë, pa ujë, pa ilaçe, në kushte higjene mizerabël. Të gjithë të ekspozuar ndaj Covid-19. Të nëpërkëmbur matanë kufirit, të braktisur në atdheun e tyre. Deklaratat kontradiktore të ministrave hije dhe statuset fyese të zyrtarëve qeveritarë, janë pasqyra ku shohim njëri-tjetrin. Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër thonte Curcill. Ne nuk kemi një qeveri të tillë. Kjo e jona është e paaftë të zgjidhë dhe atë që ka para syve, sepse në vend të reciprocitetit ka zgjedhur vasalitetin me fqinjët. Qeveria jonë nuk ekziston. Ajo na bën të ndihemi inferior edhe në shtëpinë tonë. Është koha të çlirohemi prej tyre, sepse siç thonte Eleanor Roosevelt ‘asnjë s’mund të të bëjë të ndihesh inferior pa lejen tënde’.
Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye thonte Aristoteli. Ne udhëhiqemi nga njerëz të pa aftë, të papërgjegjshëm, pacientë të psikoanalizës Fromjane. Psikoanalizë që thellohet në dy orientimet kryesore të katakterit, egoizmit dhe altruizmit, është dilema e njeriut të mbingarkuar me frikëra, paranoja, e politikëbërësve që mashtrojnë, shtypin, shkatërrojnë, grabisin, çdo gjë që nuk i përket. Është humnera e mutacionit mendor inkoshient e cila këmben ekzistencën fizike e shpirtërore të njeriun me trajta imazhesh virtuale. Në grackën e kësaj dileme sadomazokiste qeveritarët tanë, përpëliten dhimbshëm brenda lëkurës së tyre të dyzuar, si fantazmat që rendin në mugëtirën e agjësë. Me prezencë estetike të kuruar bukur, përpiqen të fshehin identitetin e qënies së tyre si në hipotezat e evolucionit ku larva kthehet në bretkocë, apo majmuni në njeri. Arroganca e imagjinatës së tyre për të riprodhuar forma të pranueshme publike emeton instiktet e krizës së personalitetit të dyzuar në tranzicion me kohën, hapësirën, njerëzit dhe veten. Përpëlitja brenda plazmës së këtij ç’ekuilibri të dyzuar biologjik dhe faktik, nëse nuk arrin drejtpeshimin koshient, nuk ka gjasa të maturohet.
Zëri i arsyes troket fort. Një komb që i vë taksë vetes për prosperitetin e tij është si një njeri brenda në kovë, që përpiqet ta ngrejë veten nga doreza thonte Uinston Curcill.