Bashkia e Tiranës ndërton një tjetër kënd rekreativ për fëmijët, Veliaj: Një...

Bashkia e Tiranës ndërton një tjetër kënd rekreativ për fëmijët, Veliaj: Një premtim i mbajtur

363
0

Bashkia e Tiranës ka bërë të ditur projektin  më të ri, që  do të sjellë më shumë urbanizim, aktivitete për fëmijët dhe mundësi çlodhje për të moshuarit.

Pak ditë nga nisja e investimit në rrugën “Danish Jukniu”, kanë nisur punimet për ndërtimin e Këndit rekreativ në Sauk.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi nisjen e punimeve dhe u shpreh i kënaqur që brenda javës u kthye në Sauk për të nisur një tjetër investim që e sjell këtë lagje, dikur periferike, edhe më afër Tiranës.

 Ai shtoi se nisja e punimeve për këtë kënd çlodhje është njëkohësisht edhe mbajtje e një premtimi të dhënë vetëm pak javë më parë, gjatë fushatës elektorale. “Jam dy herë i kënaqur, sepse herën e fundit që kemi qenë në këtë komunitet të parafabrikateve në Sauk, me kryeministrin e vendit, dhe premtuam se herën tjetër ky do të ishte një kantier. Ende pa filluar punë qeveria e re, apo pa mbaruar pushimet e verës, po e mbajmë atë premtim, për t’u siguruar që ato që thuhen në fushatë nuk janë fjalë që i merr era, por janë premtime që duhen mbajtur nga dita e parë e punës. Më vjen mirë që e mbajmë këtë premtim”, tha Veliaj.

Që investimi të mbarojë në kohë dhe që ai të ketë jetëgjatësi, kreu i bashkisë kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve që të heqin vetë pengesat apo muret e tyre rrethuese dhe t’i hapin rrugë zbatimit të plotë të projektit. Gjithashtu, ai vuri në dukje se në gjysmën e dytë të mandatit do të punohet me të njëjtin ritëm dhe cilësi.

 Këndi rekreativ që po ndërtohet do të ofrojë mundësi argëtimi për fëmijët dhe hapësirat e nevojshme çlodhëse për moshën e tretë. Ai kufizohet nga rruga “Herman Gmeiner” dhe “Selim Brahja” dhe ndërtohet në një hapësirë që ka qenë totalisht e degraduar. Përveç investimit në krijimin e këndit çlodhës, është parashikuar sistemimi i kanaleve të ujërave të shiut, trotuaret, gjelbërim, asfaltim i rrugës, krijimi i 15 vendeve për parkim, një prej të cilëve do jetë për persona me aftësi të kufizuara. Këndi i lojërave për fëmijë që do të ndërtohet në Sauk është i treti në Njësinë 2.