Basha: Edi Rama ka vjedhur të gjitha zgjedhjet që ka organizuar

Basha: Edi Rama ka vjedhur të gjitha zgjedhjet që ka organizuar

299
0

Lideri i opozitës Lulzim Basha në një deklaratë të jashtëzakoshme për media, ka folur për përgjimet e publikuara nga Bild.

Në fjalën e tij Basha tha se, Edi Rama është  njeriu që ka vjedhur të gjitha zgjedhjet që ka organizuar.

‘Në Shqipëri janë vjedhur të gjitha zgjedhjet që ka organizuar Edi Rama. Ky është përfundimi që del nga përgjimet e Bild.

Këto përgjime na kanë dëshmuar në detaje, skemën përmasat dhe metodat e kësaj vjedhje.

Prej tyre mësuam se kupola kriminale e Rilindjes nuk ka bërë dallime se çfarë njerëzish janë. Ata kanë bashkëpunuar me trafikantë droge, njerëzish, vajzash, vrasës.

Ata kanë blerë vota me para në dorë. Kanë dhunuar dhe kanë penguar nga votimi ata që votojnë kundër.

Kanë ndëshkuar ata që nuk janë bindur’, tha gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Lulzim Basha:

Kanabizimi i Shqipërisë nga Edi Rama ka patur qëllim të qartë prodhimin e parave për t’i ndarë me pushtetarët dhe për të financur vjedhjen e zgjedhjeve.

I gjithë ky projekt ishte një projekt shkatërrues për vendin. Jo thjesht sepse prodhoi drogë, jo vetëm sepse kapi politikën nga krimi, por sepse ai shkatërroi ekonominë dhe mundësitë për shqiptarët e thjeshtë.

Ekonomia shqiptare tashmë është bërë e varur nga droga, njësoj si Edi Rama dhe banda e tij. Biznesi i ndershëm është në gjendje kolapsi dhe të vetmit që bëjnë hajër janë biznesi i lidhur dhe i financuar me paratë e drogës. Pasojat janë papunësia në nivele rekord, varfëria dhe depresioni ekonomik dhe social.

Por këto pasoja do të jenë edhe më të rënda, nëse nuk ta ndalim tani këtë makineri kriminale, të drejtuar nga Edi Rama.

Reagimi arrogant i Edi Ramës dhe bashkëkriminelëve të tij zgjedhorë, me përpjekjet e tyre për ta normalizuar dhe bërë qesharake, ka për qëllim ta mohojë këtë megakrim me shpresë se shpejt do të harrohet.

Dua t’i them atij dhe të gjithë të tjerëve. Asgjë nuk do harrohet.

Asgjë nuk do të tolerohet. Çdo krim do të ndëshkohet.

Rruga drejt normaliteti politik dhe shoqëror në Shqipëri kalon nga nxjerrja e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë.

Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve.

Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave.

Kjo kupolë kriminale do të mbajë përgjegjësi për të gjitha vjedhjet dhe krimet që u ka bërë shqiptarëve.

Të gjithë anëtarët e saj do të jenë para drejtësisë së pavarur.

Ata që nuk e kuptojnë këtë janë naivë.