“Basha e Rama s’janë në listën e zezë, ti po”! Gazetarët “zënë...

“Basha e Rama s’janë në listën e zezë, ti po”! Gazetarët “zënë ngushtë” Berishën, ish-kryeministri: Argument mjeran, kjo s’më pengon të vazhdoj agjendën time

156
0

Ish-kryeministri Sali Berisha iu është përgjigjur mbrëmjen e kaluar pyetjeve të forta të gazetarëve shqiptarë e kosovarë, gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus”.

Teksa janë ndalur te zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, gazetarët e kanë pyetur Berishën se pse ai është në listën e zezë të SHBA dhe kryedemokrati Lulzim Basha nuk është.

Në përgjigjen e tij, Berisha është shprehur se “Nëse ju merrni këtë për argument për të mbrojtur një njeri që rrethohet me kriminelë, ky është një argument mjeran”.

 

Pjesë nga debatet:

Nazarko: A kishte hapësirë që ky konflikt mes jush dhe Bashës të zgjidhej gjyqësisht dhe të kurseheshin ato pamjet?

Berisha: Nuk kishte të bënte asnjë gjë me asnjë proces gjyqësor. Kjo zgjidhej thjesht me hapjen e dyerve, me heqjen e blindave, me largimin e banditëve nga selia. Kaq ishte. Nuk u thye xhami i një makine të atyre që ishin brenda, nuk kishte asnjë gamë urrejtje në protestuesit. Është protesta, në të cilën nuk u gërvisht asnjë polic, ndonëse u sollën në mënyrë shtazore. Pra, këtu shtëpia u pushtua nga banditët. Çfarë do të bënte çdo njeri, nëse shtëpinë ja pushtonin banditët?

 

Nazarko: Do i thosha policinë që t’i nxirrte banditët.

Berisha: Banditët të lidhur me policinë, sepse normalisht ato do ishin arrestuar që në darkë. Dhe Lul Bravës, që tani e marrin në mbrojtje falourat e Beogradit, duhet t’i thoshte që me banditë e ka vendin në burg, jo në seli. Kjo është e gjitha.

 

Kreshnik Gashi: E quajte Bashën kriminel, terrorist, etj. Po pse ai nuk është në listën e zezë të SHBA dhe ju jeni?

Berisha: Nëse më citoni mua fjalë që nuk them, nuk nderoni veten. Nuk thashë terrorist, por thashë i rrethuar nga grup vrasësish, terroristësh, trafikantësh. Tani a doni të flisni sipas qejfit, apo doni të jeni korrekt.

Gashi: Jemi korrekt.

 

Berisha: Jo s’jeni fare korrekt, gjersa thoni fjalë që s’i kam thënë. Unë kam dalë në këtë ekran për respekt të qytetarëve të Kosovës.

Gashi: Pse Basha nuk është në listën e zezë të SHBA dhe ju jeni?

Berisha: Është bërë e qartë pse unë jam, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, dhe unë kam një proces gjyqësor për këtë gjë. Kjo ka qenë një vepër e Sorosit dhe Edi Ramës. Nëse ju merrni këtë për argument për të mbrojtur një njeri që rrethohet me kriminelë, ky është një argument mjeran.

 

Pyetje: Çfarë mendimi keni për këto lloj sanksionesh apo këtë lloj liste që po bën DASH, ku u fut edhe Dodik?

Berisha: Më 2014, në një vend anëtar të NATO dhe BE, kam gjetur 11 zyrtarë të lartë, përfshirë kryetarin e parlamentit, të futur në listën e zezë për korrupsion, nën lobimin e Soros, gjë e cila u hoq menjëherë, sapo erdhi në pushtet Donald Trump. Kjo është ajo për çka po më pyet. Motivet e Dodik janë krejt tjera.

Pyetje: Nuk është listë vetëm e çështjes së korrupsionit, por ka të bëjë edhe paqeprishësit…

Berisha: Kjo është një gënjeshtër. Ju keni përcaktimin e saktë të DASH, që thotë se ka të bëjë me korrupsion sinjifikativ, me shfrytëzim të proceseve publike për pasurinë dhe me bllokim të hetimeve. Gënjeshtra secila më e madhe se tjetra janë. Ju intereson shumë enveristëve shqiptarë dhe mashtruesve të tjerë që të bëjnë një krahasim me Dodik. Dodik mund të ketë kryer dhe krime lufte, por nuk është akuzuar për këto.

 

Pyetje: E zëmë se gara juaj me Bashën përfundon në favorin tuaj dhe ju merrni timonin e PD, me këtë etiketë që ju ka vënë SHBA a konsideroni se mund të cenoni marrëdhëniet e Shqipërisë, nesër si udhëheqës i PD e mbase dhe i Shqipërisë, me SHBA? A mund të destabilizojë këtë marrëdhënie?

Berisha: Së pari, agjenda e Sali Berishës është një Shqipëri e lirë, e zhvilluar, e integruar në BE. Së dyti, marrëdhëniet unë i bazoj në respektimin e atyre parimeve që bëjnë funksional shtetin ligjor, që bëjnë qytetarët me të drejta të lira. Nga ana tjetër, jam i bindur se Shqipëria do të ketë marrëdhëniet më të shkëlqyera me SHBA dhe se ky akt politik, i mirëfilltë politik, nën lobimin korruptiv të Ramës e Soros, do arkivohet në histori si një gabim i rëndë.

 

Pyetje: As Edi Rama nuk është pjesë e kësaj liste…

Berisha: Edi Rama meriton shumë lista, por ai ka një protektor. Kjo s’më pengon mua të vazhdoj agjendën time me shqiptarët, në interesin më të mirë të tyre, në interesin më të mirë të kombit. Theksoj gjithashtu se në momentin më të parë që DASH, ose që cdo njeri, përfshirë dhe ata që ke në studio, do të jenë në gjendje të paraqesin një fakt të vetëm të korrupsionit të Sali Berishës apo familjes së tij, unë marr çdo vendim ndaj vetes sime. Këtu nuk mund të pranoj kurrë të kurbohem, të përkulem, para gënjeshtrave, shpifjeve e mashtrimeve, sikur gjeta dhe sot në këtë emision, ku një i frymëzuar në Novisad thotë që protesta e “21 janarit” ishte paqësore.

 

Gazetari: I nxorëm pamjet, ja ku po shfaqen akoma, ku shihen protestuesit duke pasur fërkim, duke mbajtur shufra druri dhe makina që digjen. Ke përgjegjësi politike, po mos t’i hyjmë këtij muhabeti se do ju dalin të zeza. Është në të mirën tuaj të përfundoni këtu. Fati juaj personal nuk është fati i shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Berisha: Kështu thotë Beogradi.