Arrestohen ”juristët e rremë”, premtonin licenca për mësimdhënie në këmbim të parave

Arrestohen ”juristët e rremë”, premtonin licenca për mësimdhënie në këmbim të parave

331
0

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për mashtrim. Të arrestuarit janë shtetasit M. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë dhe e dënuar më parë për veprën penale të “Mashtrimit” si dhe N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Operacioni u krye nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Dy të arrestuarit mësohet se prezantoheshin si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues shqiptar dhe premtonin në këmbim të një shume lekësh, dhënie lejeje zhvillimore e licencë, për ushtrim të aktivitetit të mësimdhënies.

“Shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u prezantuar si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues të Republikës së Shqipërisë, kanë mashtruar dy shtetas duke iu kërkuar një shumë të konsiderueshme lekësh, me qëllim për t’iu siguruar leje zhvillimore e licencë për ushtrimin e aktivitetit të mësimdhënies në një komunitet fetar” sqaron policia.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë në momentin që do të takoheshin për t’u kërkuar lekët dy shtetasve të mashtruar.

Gjatë arrestimit kanë bërë rezistencë dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

Një automjet;

Dy aparate celularë;

Dokumente të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Përvetësimi i titujve apo i detyrës shtetërore”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.