Dyert e Hapura të Ambasadës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë javë u mundësuan në Minnesota. Ambasadorja Floreta Luli-Faber, e pranishme në Minneapolis, ka zhvilluar një takim tepër të ngrohtë me komunitetin shqiptar, përfaqësues të gjithë moshave dhe profesioneve. “Të ardhur rishtaz, apo prej dekadave, të gjithë ishin të interesuar të dëgjonin se si mund të vendosim ura bashkëpunimi.
Fokusi i punës së ambasadës me komunitetin, konsullata dixhitale, e-konsullata, samiti diaspores, mbështetja e shkollave shqipe, lidhja me organizatat shqiptare në një numër shtetesh në SHBA, mbështetja e aktiviteteve me komunitetin, të gjitha temat u bënë pjesë e bisedës.
Mësova se ishte hera e parë që një ambasador shqiptar e vizitonte këtë komunitet kaq mikpritës. Por kjo traditë duhet zgjeruar. Shtypi lokal në MN e ka promovuar disa herë Shqipërinë si një destinacion turistik. Komuniteti atje ka vendosur të jetë një ambasador i mirë për promovimin e Shqipërisë përmes shkrimeve dhe pjesëmarjes në aktivitetet ndërkombëtare. Të gjithë mundësitë e bashkëpunimit do shfrytezohen në të ardhmen”-shkruan ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Luli-Faber në faqen e saj në rrjetin social fb.