Amaneti/ Humbi bashkëshortin nga gjakmarrja, nëna e dy fëmijëve çon në vend...

Amaneti/ Humbi bashkëshortin nga gjakmarrja, nëna e dy fëmijëve çon në vend fjalën e fundit të pastorit

4384
0

SHKODER/ SENAD NIKSHIQI/ Elona Prroj, 9 vite më parë humbi bashkëshortin. Dy fëmijët e Dritanit rriten pa babanë e tyre, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes që vijon të marrë jetë njerëzish.

 

Qarku i Shkodrës është më i prekuri, ku në 29 vite janë vrarë me qindra persona. Rasti i Dritan Prrojit është një nga më të dhimbshmit. Jeta e tij u ndërpre në moshën 34- vjeçare. 9 vite pasi ai u qëllua ndërsa djali dhe vajza prisnin në shtëpi, atij i është dhënë nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës titulli “Mirënjohja e Qytetit”.

 

dritan-prroj-mirenjohje-bashkia-1

 

Jeta e pastorit mori tjetër rrjedhë, për shkak se xhaxhai i tij, në një konflikt e sipër, vrau një djalë të ri. Familja e tij qëndroi e ngujuar për 5 vite, madje ai tentoi që të niste një jetë të re në Angli, por u rikthye pas disa muajsh. Pastori i Kishës Ungjillore “Fjala e Krishtit” u kthye në vendin e tij i vetëdijshëm se mund të vritej.

 

Për këtë arsye, vetëm një javë para se plumbat t’i merrnin jetën, ai i la një amanet të vëllait, duke kërkuar që, nëse gjakësit do ta vrisnin, të mos kishte më gjakmarrje. Kur plumbat i morën jetën, Dritani kishte në çantën e tij një projekt kundër gjakmarrjes.

 

574f3b58-3565-48bf-8c39-493be58b4c09_tv_w1200_r1_s

 

Pikërisht këtë projekt e ka vënë në jetë bashkëshortja e tij, duke krijuar fondacionin “Jo gjakmarrjes, pro jetës”.

 

“Ndërkohë që unë e prisja bashkë me fëmijët në shtëpi për të ngrënë drekën, marrim lajmin e tmerrshëm që Dritani është vrarë për shkak të gjakmarrjes. Një varg i biblës u bë i gjallë në jetën tonë, se jeta është e shkurtër. Në çantën e tij ndërsa shkonte në makinë, duke dalë nga kisha kishte një bibël, por edhe një projekt kundër gjakmarrjes. Ne u ngritëm për të themeluar fondacionin ‘Jo gjakmarrjes, pro jetës’ sepse për ne ishte një simbolikë e një pishtari që nuk duhet lënë të shuhet, por të vazhdojë misioni dhe të zbatohet projekti që ai kishte për të bërë, luftën kundër gjakmarrjes. Çelësi i vazhdimësisë sonë ishte falja, sepse t’i zgjedh të çlirosh veten tënde nga burgu i mosfaljes. Kur ne të japim frymën e fundit, të mund t’u japim fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë një lloj trashëgimie, që do të mund të flasë.

 

Thënia e fondacionit tonë është ‘Të thyejmë prangat, që shqiponjat (fëmijët) të fluturojnë të lira’ dhe këtë duhet që ta bëjnë të gjithë”, shprehet Elona.

 

hqdefault

 

Dhe dy prindërit e 34-vjeçarit pranuan që të çojnë në vend amanetin e të birit duke e falur gjakun e tij, edhe pse kjo gjë nuk ishte aspak e lehtë për ta. “Ky burrë, babai i Dritanit, është heroi im i gjallë. Kur unë jam fejuar dhe martuar me Dritanin, varfëria ishte kaq e madhe, sa babai i tij, ky hero ka shitur edhe gjak. Këta dy prindër i kanë rritur fëmijët e tyre plot me sakrificë.

 

1552152777_pastoriiii

 

Kur Dritani bëri 16 vjeç dhe një komshi e thirri për të shkuar në një shkollë biblike, edhe pse babai dhe nëna e tij kishin nevojë për shumë financa dhe që Dritani të dilte e të punonte, prindërit u treguan të gatshëm dhe i thanë ‘ti shko në shkollë dhe mëso për Zotin, ne do të punojmë që ti të shkollohesh’. Falja që këta prindër kanë bërë për gjakun e djalit të tyre është diçka që duhet ta marrë shembull i gjithë universi. Çdo qenie njerëzore ka gjëra për të falur, kjo është arsyeja pse prindërit e Dritanit i bën ata heronj”, thotë bashkëshortja e Dritanit. Vrasja e babait të dy fëmijëve ndodhi në vitin 2010. Gjakësi e ndoqi në mes të pedonales duke i marrë jetën, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur rastësisht. Një efektiv Policie i gjendur rastësisht si civil e ndoqi autorin duke e arrestuar në flagrancë, pas vrasjes që tronditi qytetin e Shkodrës, por edhe më gjerë. Gjakmarrja është një fenomen që ende vijon të jetë prezent, sidomos në zonat e Veriut e aq më tepër në Shkodër, duke lënë shumë familje në vuajtje dhe varfëri, por edhe dhjetëra fëmijë të pashkolluar, nga frika se e nesërmja i gjen të vrarë.