Albanian -american women’s organization (AAWO) “Motrat Qiriazi një demonstrim i dashurisë njerëzore/...

Albanian -american women’s organization (AAWO) “Motrat Qiriazi një demonstrim i dashurisë njerëzore/ Nga Marjana Bulku

652
0

AAWO “Motrat Qiriazi”numëron vitin e 25 -të e bashkë me vitet janë qindra aktivitete ku në qendër është familja , gruaja, fëmijët , edukimi, sakrificat njerëzore të cilat na bëjnë edhe më fort humanë dhe përkrahës të njeriut, atij që i përket botës  së suksesit por edhe njeriut të thjeshtë,atij që përballet me sakrificat dhe vështirësitë e jetës që nuk janë të pakta. Është bërë traditë tashmë 25 vjet që 7-8 marsi të bashkojë mes qindra pjesmarrësish festën me kujtesën, argëtimin me vlerësimin , mirnjohjen me falenderimin në salla të tejmbushura me miq e familjarë që urojnë motrat, bijat , bashkëshortet e që nderojne edhe arritjet e tyre, sakrificat dhe përkushtimin që i karakterizon motrat, nënat, bijat tona Është një traditë e bukur që avokate Beti Beno Esq, drejtuesja aktuale e AAWO “Motrat Qiriazi” po e çon dhe pasuron edhe më tej gjë që  u demonstrua edhe një here , këndshëm pasditen e 3 marsit 2018 në Battery Gardens me një prezencë prej 260 burrash e grash që përreth 6 orë që rrodhën pa u ndjerë iu nënshtruan një programi të drejtuar mjeshtërisht nga Rejhan dhe Luan Bexheti, zëri i mrekullueshëm i sopranos Dëshira Ahmeti Kërliu, interpretimet e fuqishme të Ludmilla Baballëkut , kulminacionet e rralla vokale të tenorit Riad Ymeri dhe natyrisht me shoqërimin instrumental mjeshtëror të Raid Hysenit dhe Merita Halilit që kishin një rol të veçantë në këtë natë festive përveç këngës .

Nuk është vetëm një natë ku ndahen vlerësime dhe mirnjohje për arritjet por një akt që bashkon histori suksesesh, pune dhe sakrificash njerëzore .

Gruaja e Vitit 2018 është shpallur Artistja Merita Halili, e cilësuar “bilbili i këngës popullore shqiptare”.Ajo ishte 16 vjeç kur këndoi për herë të parë në Shqipëri,ndërsa sot pas kaq shumë vjetësh  së bashku me bashkëshortin e saj Raif Hyseni njohin pafund suksese dhe janë ato që muzikën shqiptare e kanë berë objekt mësimi edhe për amerikanët . Me një çmim të AAWO në dorë dhënë nga soprano Dëshira Ahmeti Kërliu, Merita Halili shprehet plot emocion…-“Motrat Qiriazi ” i kam ndjerë pranë në çdo moment të jetës time në Amerikë. Ato organizuan baby shower kur vajza ime do të vinte në jetë”

Mësuesja e vitit 2018 është vlerësuar Vjosa Nikçi e lindur në Rugovë, emigruar në USA në moshë shumë të vogël e ka pasur arsimin një shtysë dhe shtyllë të fortë në edukimin e saj familjar dhe universitar. Magjistre e historisë moderne evropiane dhe aktualisht e angazhuar në arsimin dygjuhësh Vjosa shprehet se do t’ju qëndrojë edhe më pranë studentëve shqiptarë. Raza Sinanaj ia dorëzon këtë vlerësim mësueses së vitit 2018 që është një më shumë në vargun e gjatë të nderimeve të AAWO e cila çdo vit na kujton se EDUKIMI është mision që ka në thelbin e vet dashurinë.

Është gjithmone e bukur prezenca e Ambasadores së Kosovës Teuta Sahatçija e cila ia din plagët Kosovës dhe jo pa emocion do ndante një çmim të veçantë që lidhet me kontribute humanitare ,të jashtzakonshme të Gruas dëshmi e gjallë se liria dhe pavarësia e Kosovës i kanë rrënjet te sakrificat njerëzore .Është zonja Bahrije Bytyçi , nëna e Dëshmorëve të Kosovës Agron 23vjeç, Mehmet (21) dhe Ylli (25) e cila fjalët i ka të pakta por historia e familjes së saj është e rekorduar në memorjen e Albanian Culture Tv e cila ka transmetuar gjërësisht aspekte nga Batalioni Atlantiku. Tri djemtë e saj edhe pse të rritur në Çikago kur Kosova rënkonte nga lufta , shkuan atje si heronj për të mbetur përjetësisht atje edhe pse trupat e tyre u sollën të prehen në Amerikë. Fjalët e nanë Bahries janë të pakta por përmes emocioneve të saj lexohet qartësisht se si ndjehet një nënë me tri djem të vrarë. Ajo mban për dore të shtrënguar nipin e saj, ai ka emrin Agron atë emër që ia mban të gjallë kujtimin e të birit. Ky nderim ndaj zonjës Bytyçi me bijtë e vrarë në luftë është një nderim që i bëhet jetës , vazhdimësisë së saj, atij shtrëngimi duarsh të Agronit të vogël pas gjyshes së vet që rrit heronj. Kjo natë gala zonjash lotët e nënë Bahries i shndërroi në një mirnjohje ndaj akteve të rralla e heroike që meritojnë mirnjohjen e përjetshme të të gjallëve.

Ky zinxhir veprash që rrjedh në këtë natë ku argëtimi dhe përjetimi janë paralelisht bashkë ka në thelb punën sistematike të një bordi që falenderohet e përmendet me mirnjohje nga drejtuesja e tij zonja Alda Mosko. -Pas çdo vullnetarizmi mirnjohja dhe falenderimi jane më e pakta e domosdoshme- shprehet ajo.

AAWO përmes një nate festive dëshmon pjekurinë e vet 25 vjeçare dhe kjo duket në organizimin perfekt të çdo akti ceremonial festiv ku Dr . Zana Dobroshi përmend në fjalën e saj sipas të cilës historiku i gjatë dhe vijimësia e kësaj organizate vitale në Amerikë e ka bazën tek njerëzit që bënë këtë histori dhe ato që e mbajnë gjallē atë.

Nuk do ti mungonte kësaj nate as fjala e  zotit Mark Gjonaj një suportues i zonjave si një gjini që përfaqson motrat, miket, bashkëshortet që na e bëjnë jetën më të mirë.

AAWO Motrat Qiriazi , përtej ngjyrave të festës ndan me ne akte humanizmi dhe kauzave që perveç misionit të saj shkon dhe u vjen në ndihmë fëmijëve të sëmurë , atyre që kanë nevojë për atë që fati, familja, ekonomia e tyre nuk ua mundësoi dot. Edhe ky vit shënon një tjetër bilanc që i ka të dyja anët ; solidaritetin njerëzor dhe fatin e trishtueshëm të një fëmije shqiptar të sëmurë që do të ndihmohet nga kontributet e grumbulluara nga shorti i kêsaj nate që tejkalon ngjyrat e festës.

Nisur prej këtyre akteve tërësia e të cilave na dhuroi një mbrëmje të bukur përmes mikrofonit të Albanian Culture TV i afrohem atyre që janë pas këtij organizimi , dy zonjave që janë pas sukseseve të vazhdueshme të qasjeve të AAWO-s në publik zonjave Beti Beno dhe Alda Mosko të cilat modestisht thonë se AAWO ka lindur për të qenë kështu: humanitare, edukative e pse jo edhe një mundësi më shumë për tu argëtuar dhe solidarizuar mes nesh.