A po plaket Shqipëria, çfarë tregojnë statistikat

A po plaket Shqipëria, çfarë tregojnë statistikat

726
0

Popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta. Mosha mesatare e popullsisë u rrit në dekadën e fundit me 5 vite. Sipas INSTAT në vitin 2016 mosha mesatare e popullsisë së vendit shkoi në 37 vjeç nga 32.1 vite që ishte me 2007. Popullsia e Shqipërisë ndryshe nga trendi i viteve të kaluara shënon një rritje prej 0,03 % gjatë vitit 2016. Kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së popullsisë së grave prej 0,42 %, ndërkohë që popullsia e burrave vazhdon të ketë një rënie prej 0,34 %. Popullsia e grave përbën 49 % krahasuar me 51 % të popullsisë së burrave. Shtesa natyrore për të dy gjinitë është afërsisht e njëjte. Rënia e popullsisë së burrave ka ardhur kryesisht nga migracioni neto i cili është negativ, dhe për herë të parë për popullsinë e grave është pozitive. Raporti gjinor sipas grupmoshave tregon se burrat mbizotërojnë deri në grupmoshën 40-44 vjeç. Më pas ky raport është në favor të grave. Mosha mesatare e popullsisë për vitin 2016 është 37,0 vite. Për burrat mosha mesatare është 36,4 ndërkohë për gratë është 37,6 vite. Mosha mesatare më e lartë te gratë shpjegohet pasi ato kanë jetëgjatësi më të lartë. Për vitin 2016 jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 77,0 vite për burrat dhe 80,1 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë 3 vite më shumë se burrat.