Zjarret, Kodheli: Jemi në një situatë dramatike

Zjarret, Kodheli: Jemi në një situatë dramatike

434
0

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka dalë sot para mediave për të informuar për situatën e zjarreve në vend. Ministrja ka pranuar se vendi është në një situatë të vështirë, duke e konsideruar këtë muaj një nga më të nxehtit. Ajo tha se janë zhvilluar 102 operacioni në ndihmë të komunitetit në të gjithë vendin, ndërsa theksoi angazhimin maksimal të shtetit dhe të kryeministrit Edi Rama. “Vendi drejt një situatë shumë të vështirë. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë në krye të detyrës dhe kanë ndërhyrë në ndihmë të komunitetit me të gjitha kapacitetet. Ka angazhim maksimal. Kryeministri Rama vazhdon të ndjekë me detaje të gjitha operacionet e ndërmarra. Përgjatë një muaji kalendarik, një më të nxehtit e regjistruar ushtarakët tanë kanë zhvilluar 102 operacione në ndihmë të komunitetit në 12 qarqe, 2700 forca të angazhuara ose 1/3 e të gjithë forcës së Armatosur”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes. “Është situatë dramatike jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën mbarë. Situata klimaterike është jashtë normales për shkak të temperaturave tejet të larta dhe reshjeve pothuajse ineksiztente. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria po angazhohet maksimalisht për ta përballuar këtë situatë”, theksoi Kodheli. Në fund, Kodheli bëri një thirrje edhe për të gjithë qytetarët që të kontribuojnë për shuarjen e zjarreve dhe jo vënien qëllimisht. “Kjo situatë e vështirë ka bërë që shtete të fuqishme si Franca e Portugalia të kërkojnë ndihmë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve për të kontribuar në përballimin e situatës. I bëj thirrje edhe që të mos e krijojnë situatën. Operacionet kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë, që janë para’ taksapaguesish. Duhet t’i ruajmë pemët e kullotat, ndaj ju lutem që ta shtojmë kujdesin bashkarisht”. Ministrja Kodheli i ka akorduar sot medalje efektivit të ushtrisë që u lëndua gjatë një operacioni për fikjen e zjarrit në Shëngjergj. “Tetar Hidrit i akordoj medaljen për shërbime të shquara”, tha Kodheli, e cila pohoi edhe ndihmën e fqinjëve në ‘luftën’ me zjarrin, duke i falënderuar për mbështetjen. “Kemi marrë mbështetje nga fqinjët. Avionët ushtarakë grekë e italianë na janë bashkuar”, tha ministrja.