Hapi i radhës drejt BE-së/ Mbahet sot Konferenca e Dytë Ndërqeveritare! Rama...

Hapi i radhës drejt BE-së/ Mbahet sot Konferenca e Dytë Ndërqeveritare! Rama në Luksemburg, bashkë me delegacionin e negociatorëve

40
0

Konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbahet sot në Luksemburg, ku do të hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim.Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri – BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga zyra e Kryeministrisë. Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në bashkimin europian në prill të vitit 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidati në qershor 2014 ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare është mbajtur në korrik të vitit 2022. Në këtë proces Shqipëria u nis së bashku me Maqedoninë e Veriut, e cila mbahej peng nga mosmarrëveshjet me Greqinë në lidhje me çështjen e emrit. Pas zgjidhjes së këtij problemi, Maqedonisë së Veriut i lindi një tjetër problem me Bullgarinë, dhe nuk mund të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.