Bashkia e Tiranës nderoi sot, në një ceremoni të posaçme, ish-ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, me “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij gjatë shërbimit si diplomat në vendin tonë. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i lumtur për rikthimin në kryeqytet të një miku të mirë për shqiptarët. “Ka gjithmonë një arsye për t’u rikthyer në Shqipëri, e veçanërisht nga përtej Oqeanit. Akoma më veçanërisht në Shqipërinë dhe në Tiranën e sotme, e cila është shumë më ndryshe nga ajo që ishte. Kur ambasadori Arvizu u rikthye në Tiranë në vitin 2018, ne e shenjuam atë vizitë duke mbjellë një pemë, e cila sot është pema më e lartë midis Sahatit edhe Bibliotekës Kombëtare, si një simbol i lidhjes së përjetshme me Tiranën. Ajo pemë është rritur, sot bën hije, si për të na dëshmuar se rikthimet nuk bëhen kurrë një e shkuar sepse rikthime do të ketë gjithmonë”, tha ai.
Mandej, Veliaj tha se, ambasadorët janë misionarë dhe kanë një titull të përjetshëm në vendet ku shërbejnë.
“Kur je edhe avokat i përjetshëm i Shqipërisë dhe një kryepromotor i Tiranës, kur je dikush që na ka qëndruar pranë në ato ditët e errëta të 21 Janarit dhe ngjarjet që pasuan, nuk ka sesi ta mbyllësh misionin e ambasadorit vetëm me datën e pensionit. Ndaj, besoj që përgjigjja është: “Padyshim që po!” – më duket sikur është gati të përsërisë edhe z. Arvizu fjalët profetike të Faik Konicës. Rikthimi i tij këtu është dëshmi e pakundërshtueshme e kësaj fabule të përjetësisë. Nga ana jonë, dëshmohet e njëjta gjë sërish, përmes një simboli: Kësaj here të ‘Çelësit të Tiranës’, me të cilin duam të shënjojmë këtë rikthim, dëshmia jonë e derës së hapur dhe çdo rikthim është i mirëpritur nga ne, për sa kohë që rikthimin nënkupton dashuri, vlerësim dhe besim”, tha kreu i Bashkisë.