U nda nga jeta në moshë të re/ Çastet e fundit të...

U nda nga jeta në moshë të re/ Çastet e fundit të jetës së Hyso Xhaferaj, zëri që theu qelqet e qiellit

491
0

Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj, u trajtua figura dhe vepra e  Hyso Xhaferaj, bilbili i Labërisë!

Kallarati është një ndër fshatrat e krahinës së Labërisë, ku nga ana gjeografike zoti i ka falur, fushën, kodrat e buta, malin e lartë, lumin me ujë të bollshëm, rrugën automobilistike dhe natyrën e bukur e piktoreske në krahasim me fshatrat e tjerë qark tij.

Nga pikëpamja etnografike Kallarati i përket krahinës së Kurveleshit dhe është një nga pesë fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm. Nga ana administrative. Kallarati sot është pjesë e Njësisë Administrative të Horë – Vranishtit në varësi të Bashkisë së Himarës.Kallarati shtrihet në një terren kodrinor në të dy anët e rrjedhjes së sipërme të lumit Shushica ose siç njihet nga të gjithë Lumi i Vlorës, në luginën midis dy maleve të Bogonicës dhe Çipinit.

Kallarati është një fshat me tradita patriotike e liridashëse, i cili ka dhënë kontributin e vet për liri e demokraci. Në qendër të fshatit gjendet lapidari në të cilin janë gdhendur emrat e 27 dëshmorëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e vendit, duke filluar që nga ata të vitit 1914 për mbrojtjen e fshatit ndaj sulmeve të andartëve grekë, të luftës së Vlorës të 1920-ës, të luftës antifashiste nacionalçlirimtare dhe deri te dëshmori i fundit në kohën e demokracisë për mbrojtjen e rendit e të jetës së njerëzve. Midis tyre qëndron edhe busti i Heroit të Popullit “Mumin Selami” rënë në luftën e Topanasë në Vlorë.

Kur përmendim emrin Hyso Xhaferaj të gjithëve na shkon mendja tek luftëtari i 1914-ës, i cili së bashku me disa bashkëfshatarë të tij dha jetën për mbrojtjen e trojeve të Kallaratit nga sulmet e antardëve grekë më 14 korrik të vitit 1914, e ndërsa sot është dëshmor i atdheut.

Një tjetër person po me këtë emër, pasardhës i tij, u shfaq vitet e fundit me plot dinjitet, por këtë herë me një ndryshim, jo me forcën e pushkës por me zërin e tij pushkë, të veçantë e kumbues, të marrësit, kthyesit e hedhësit të këngës labe, i cili nëpërmjet saj bëri emër. Ky është Hyso Balil Xhaferaj.

Hysua lindi në Kallarat më 20 tetor të vitit 1966, në një familje kallaratase me ndjenja të theksuara patriotike e liridashëse, në familjen Xhaferaj nga dy  prindër të mrekullueshëm Balil e Fari Xhaferaj. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në vendlindje dhe atë të mesme në fshatin Brataj, Hysua për disa vite punoi si ushtarak në strukturat e Policisë së Shtetit dhe më vonë jetën ia kushtoi këngës labe. Hysua u martua me Ritën një  vajzë labe nga fshati Brataj dhe të dy së bashku krijuan një familje të shëndetëshme.Hysua u bë prind dhe një prind i shkëlqyer, i dashur e i qeshur me të gjithë. Hysua zanafillën e të kënduarit – siç tregonte vetë ai – e kishte trashëguar nga i ati Balili, i cili kishte qenë një marrës i shquar i këngës labe, këngës vënçe siç i thonë në labëri. Talenti i tij si njeri i këngës do të niste që në klasën e parë të shkollës fillore, ku ia merrte këngës, por mundohej të imitonte edhe këngët e muzikës së lehtë, pra kishte dhunti dhe shpresë të bëhej më vonë një artistë i vërtetë.

I rritur në një ambient të tillë këngëdashës dhe i pasionuar pas këngës së bukur labe, shumë shpejt Hysua u bë një nga këngëtarët më të mirë e kryesorë të këngës labe kallaratase. Pas shumë vitesh të kënduarit labçe në dasma, festa të Kallaratit e deri në festivale folklorike lokale në vitin 2001, Hysua mori pjesë me grupin “Buronjat Labe” me udhëheqës artistik të paharruarin, poetin e Labërisë, Nertesi Asallani, grup i cili në atë kohë korri shumë sukses me albumin e hedhur në treg “Nëna qan me ligje”.Në vitin 2004, Hysua i spikatur nga Mjeshtri i Madh, këngëtari Hysni Zela, do të bëhej pjesë e ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve popullore, ku do të këndonte krah tij dhe mjeshtres së madhe të këngës, Irini Qirjako.

Zanafillën si këngëtar Hysua e kishte marrë në vendlindje, por ishte ansambli i këngëve dhe valleve popullore, ky isntitucion artistik, ku për 20 vjet Hysua u perfeksionua si këngëtar dhe shpalosi me dinjitet e profesionalizëm të lartë talentin e tij artistik, duke u bërë i njohur brenda e jashtë vendit. “Një zë unik në mbarë polifoninë shqiptare dhe një artist me vlera të jashtëzakonshme” do ta vlerësonte vetë ansambili.

Hysua me të vërtetë ishte nga Kallarati, por ai nuk i përkiste vetëm atij, ai i përkiste labërisë dhe më gjerë. Ai ishte një këngëtar me një zë të rrallë e të papërsëritshëm, ashtu siç e vlerësonte poeti i madh Lefter Çipa, “Nderi i Kombit” “Gur Xhevahiri, që me zërin e tij theu qelqet e qiellit”.

Hysua këndoi në mjaft skena brenda e jashtë vendit. Ai këndoi përkrah emrave të mëdhenj të muzikës popullore si, me Hysni Zelën e Irini Qirjakon

 

Këndoi me këngëtarë të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare me Aurela Gaçen e me doktor Florin në grupin e famshëm “West Side Family”.

 

Këndoi me Mjeshtrin e Madh të këngës labe me Nazif Çelën e grupin e tij.

 

Me Mimoza Kosturin e Zagorisë, me grupin “Vajzë e Valëve”.

 

Këndoi me grupin “Antea” e “Zadeja”, bashkëpunoi me kompozitorin Edmond Zhulalin e Alban Hoxhën.

 

Hysua do të mbahet mend për aktivitetin dhe rolin e tij të veçantë në përbërje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, me “Mjeshtrat e Mëdhenj”, Hysni Zelën e Irini Qirjakon, me aktivitete të shumta kombetare dhe nderkombetare.

 

 

Hysua e donte shumë vendlindjen, Kallaratin, Vlorën e Labërinë, ishte një patriot i flaktë i çështjes kombëtare, i cili dashurinë për atdheun e shfaqte nëpërmjet këngës labe me të cilën u dashurua përjetësisht. Por siç shprehet kompozitori dhe drejtori i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi “Mjeshtër i Madh”: Një gojëdhënë e vjetër thotë se: Gjenitë ikin shpejt, dhe Hyso në artin e tij ishte gjeni…, ishte gjeni sepse ishte unikal dhe i patjetërsueshëm me zërin e tij prej bilbili.

 

Hysua u nda nga jeta në një moshë të re, në një kohë kur kishte ende ëndrra për jetën dhe këngën, në një kohë që familja kishte shumë nevojë, por kishte nevojë edhe vetë kënga labe për zërin e tij të veçantë.

 

“Luanët një vdekje kanë”

 

Hysua jeton sot në këngët që u krijuan dhe u kënduan për të. Jeton me baladën e Nexhip Onjesë, interpretuar me mjeshtri nga aktori Bujar Asqeriu, “Nderi i Kombit”.

 

Jeton në këngën e kënduar nga Nazif Çela me tekst të Nexhip Onjese, jeton në këngën e kënduar nga grupi i Vlorës me tekst të Sejmen Gjokolit, jeton në vajtimin e Zeqo Hoxhës, kënduar në festivalin e Bejkës së Bardhë në Pilur.

 

Jeton në këngën “Mbete degë trëndafili”, kënduar nga grupi “Bilbilat e Fushëbardhës” me tekst të Nexhip Onjesë.

 

Jeton në In Memoriumin, “Zëri që theu qelqet e qiellit”, të kompozitorit Sokol Marsi, “Mjeshtër i Madh”

 

Vlerësimet për të janë të shumta, të cilat u përmblodhën në një numër ekstra të gazetës së Kallaratit.

 

Por në të gjitha vlerësimet për Hyson para dhe pas ndarjes nga jeta spikatin: Akordimi nga Presidenti i Republikës në vitin 2016 i urdhrit “Naim Frashëri”, si “Përçues i spikatur i trashëgimisë kulturore kombëtare dhe lëvrues virtuoz i këngës shumëzërëshe, në skenat brenda dhe jashtë vendit”.

 

Dhënia nga shoqata “Labëria” pas ndarjes nga jeta të titullit “Personalitet i shquar i Labërisë “, labërinë që ai e deshi aq shumë dhe i këndoi me shpirt.

 

Por edhe vendlindja Kallarati, që ai e kishte për zemër dhe e deshi aq shumë, sa që në çdo takim do të prezantohej me krenarinë e Labit “Jam nga Kallarati i Kurveleshit të Poshtëm”, i akordoi certifikatën “Mirënjohja e Kallaratit”.

 

Artistët nuk kanë vdekje sepse lënë pas një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm. Edhe për Hyso Xhaferaj nuk ka vdekje se natyra e bëri bilbil, ndaj zëri i tij do të jetojë me ne, aq sa do të jetojë edhe vetë Polifonia labe.