Turqia vazhdon t’i bëjë synet kosovarët

Turqia vazhdon t’i bëjë synet kosovarët

919
0

Rrahmani-650x358

Ministria e Shëndetësisë e ka miratuar një projekt për synetinë e fëmijëve në komunat kosovare. Sipas memorandumit të nënshkruar, ndërhyrjet kirurgjike tek fëmijët me kushte të vështira do të kryhen nëpër institucionet shëndetësore publike. Barrën financiare e ka marrë përsipër Komuna turke e Bursës.

Marrëdhëniet shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë kanë avancuar edhe deri në nivelin e definimit të të drejtës se kush mund të kryej operacionin e  cirkumizicionit- apo ajo që njihet si “synetia e meshkujve”- një praktikë e lashtë që është përvetësuar prej dy nga tri fetë brahmanike- islami dhe judaizmi.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Imet Rrahmani i LDK’së ka lëshuar një pëlqim për Durak Salihun, një koordinator i një projekti që financohet nga Komuna e Bursës në Turqi për të kryer syneti nëpër komunat e Kosovës për fëmijët që nuk kanë gjendje të mirë , por edhe të tjerët, me shpenzime të mbuluara nga autoritetet turke.

Ky dokument që e posedon Gazeta Express është lëshuar më 17 gusht të këtij viti dhe ku janë përcaktuar edhe disa kritere se si duhet të procedohet ky projekt, përfshirë edhe faktin që ai duhet të aplikohet vetëm në institucionet publike dhe atë me miratim të komunave.

Vitin që shkoi një veprim i njëjtë nga mjekë turq, por atëherë pa një leje a pëlqim nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës pati ngjallë debat kur 84 fëmijë në komunën e Kamenicës ishin bërë synet, por ishin ngritur shqetësime pos për leje, edhe për kushtet në të cilat u krye ky operacion.