Tirana e nisi me një fitore të pastër 3-0, sfidën e parë në Kategorinë Superiore këtë sezon, përballë Luftëtarit në shtëpi.
Ekipi i Memës, me shumë emra të rinj pas përforcimeve në merkato, e nisi bindshëm pjesën e parë, duke kontrolluar lojën, përballë një formacioni me shumë elementë të rinj të Klodian Duros te bluzinjtë.
Gjithçka u zgjidh që në fraksionin e parë, me tre gola bardheblu. Siparin e hapi Dunga, në minutën e 30-të. Pas një gabimi në mbrojtjen e Luftëtarit, ishte Halili që e shfrytëzoi, dhe pasoi tek Dunga, e ky i fundit nuk fali vetëm me portierin Paiteris.
Vetëm dy minuta më vonë, tashmë ishte Halili që u shërbye nga Hasani, dhe shtyu saktë topin drejt rrjetës për golin e dytë. Në minutën e 45-të, pas një penalltie të fituar po nga Halili, përsipër e mori Idriz Batha, dhe shënoi golin e tretë për 24-herë kampionët e Shqipërisë.
Pjesa e dytë më pas nuk pati shumë histori. Ekipi i Duros, pas disa zëvendësimeve, u mundua të reagojë, por në një rast shtylla, e në raste të tjerë pritjet e Ilion Likës, bënë që rrjeta e Tiranës të mos prekej.
Në fund, Tirana merr fitoren e parë në kampionat, dhe 3 pikët e para, ndërsa Luftëtari zhgënjen në debutim.