“Tik-tak”, shshsh po vjen Denisi

“Tik-tak”, shshsh po vjen Denisi

901
0

 

Mjafton të mbyllësh sytë dhe të dëgjosh zërin e Denis Taraj dhe menjëherë futesh në një botë magjike, surreale. 24-vjeçari i cili është “brand new” në tregun muzikor shqiptar thotë shumë, jo vetëm përmes muzikës së tij, por edhe backgroundit muzikor që e karakterizon. Ka mbaruar Akademinë e Arteve për kanto & masterin për mësuesi, jep mësim në shkollën jo publike “Arbëria” dhe qendrën e kurseve “Pentagram”. Dy klipet e tij të para, “Alis” & “Tik-tak” kanë nxjerrë në pah vetëm një pjesë të asaj që ky artist ka në brendi. Duket pak distant kur e takon për herë të parë, por Denisi e ka batutën në majë të gjuhës, dallon fort mirë muzikën origjinale dhe s`pajtohet assesi me logjikën e turmës. Është në kontakt të vazhdueshëm me brezat e rinj, pasi përmes tyre ai kupton dhe bindet për shijet muzikore që mbijnë dita-ditës rreth nesh. Baladat janë pika e tij më e fortë, por ende s`ka ardhur momenti i shpërthimit të plotë të tij. E do aq fort muzikën, saqë për të bën shumë sakrifica, madje ka marrë dhe një personal trainer për t`u bërë pjesë në mënyrë dinjitoze këtij tregu, por Denisi “harron” që shumë emra të mëdhenj botërorë kanë shkëlqyer jo për paraqitjen e tyre, por vokalin. Shqipëria ka një terren muzikor që mezi pret ta eksplorojë, por dhe ta pastrojë nga rrymat që s`i “ngjisin” në lëkurë. Nuk ka asnjë pjesëtar të familjes pjesë të artit, ama janë adhurues të birit të tyre, sepse në fund të fundit, është puna që atij i jep lumturi. A nuk do ketë prindi për fëmijën?

Në shtator Denis Taraj na ka premtuar se do “dashurohemi” me të, ups me këngën e tij…a thua do jeni të duruar deri atëherë?

Shperndaje