“Testamenti” Bungo-Zhusti, nën dritën e ekzekutimit! Gju më gju me popullin,...

“Testamenti” Bungo-Zhusti, nën dritën e ekzekutimit! Gju më gju me popullin, apo gjuhë më gjuhë me popullin!

88
0

Nga Mimoza Kuchly

Shkurt 2024/ Paris

 

 

 

Ditë më parë, e shoqëruar nga një mikja ime e vjetër,  pedagoge në Universitetin « Albania », dhe studentët e saj,  ndoqa me kureshtje tragji-komedinë, “Testamenti” me regji të Leka Bungos, pas publicitetit që solli në sallë Presidentin e Republikës e të tjerë personalitete të artit dhe kulturës.

Ndodhesha pak në siklet nga prania e studentëve pasi mendova se kuptohet ata nuk i përkasin atij brezi që ka jetuar pak a shumë apo i është rrahur veshi me ngjarje e personazhe të kohës së shkuar.

Regjizori Leka Bungo, I cili këtë personazh e ka ngjizur në librin e tij “Testamenti I mitomanit”, ka ditur të zgjedhë mitomanin “Zhusti” sikur ta kishte në mëndje tek e shkruante dhe pse vështirësia e rolit I kalon parashikimet e fletëve të një libri.

Bungo, mesa kam dëgjuar e parë nga intervistat e tij, jo vetëm rreth kësaj vepre, ka dëshmi të gjalla të cilat nuk kanë nevojë për “trillim”, ka ditur t’I ndërthur ato me episode që kanë lënë gjurmë jo vetëm në epokën në të cilën kanë ndodhur.

Ngjarja zhvillohet brenda një bunkieri një skenografi e thjeshtë, tepër e mjeruar, ose ndoshta është bërë thjesht për t’iu bashkuar kohës “bardhë e zi” ku Kuqo, ndihej më mirë nën dritën e qiririt se të llampës elektrike.

Isha përgatitur ta shihja më “komuniste”; mungonte ngjyra e kuqe, përveç parrullës jashtë, apo shenja të sitemit të vjetër, flamuj apo veprat (për “dreq” dhe ato të kuqe) që ndriçuan si fanar pesëdhjetë vite histori e që udhëheqin sot të tjerë Kuqo mitomanë; antena duket sikur mbetet symboli I asaj kohe, na bën të qeshim e të adhurojmë shkathtësinë e Zhustit-Kuqo tek I hipën shkallëve si një çapkën për ta ndrequr e të shohë lajmet e prera në mes, dikur buka dhe gjella e shqiptarëve.

Interpretuesi I vetëm I kësaj monodrame ishte tashmë I mirënjohuri Viktor Zhusti, I cili duket se ka lidhur një kontratë të përhershme me skenën e teatrit, pavarësisht moshës të cilën ia kujtojnë adhuruesit e tij çdo vit në datëlindje, por jo prania nga një shfaqje në tjetrën.

Rolet e tij të njëpasnjëshme kohët e fundit e meritojnë vërtetë të bëj pjesë ndër aktorët ikonë apo siç thuhet shpesh pas vdekjes , legjendë, jo vetëm të brezit të shkuar, por edhe atyre të sotëm, pasi ai ende nuk I ka marrë “tespiet” e pensionit e të vazhdojë të jetojë me lavdinë e shkuar.  E shohim kohët e fundit, në një sërë personazhesh të gdhendur tepër profesionalisht që  tek Medea, Mbreti Lir, Profesionisti, Tre dimrat dhe ja, Kuqo, një figurë e cila sapo e sheh në fishën e publicitetit, nëse nuk do të shkruhej emri I interpretuesit, nuk do të betohej askush se ishte Viktor Zhusti, ndërsa me kapotën e vjetër I afrohej Zhvejkut alla devollitshe.

Ngjarja kap periudhën tetëdhjetë vjeçare, (pothuajse e njëjta moshë me Bungon dhe Zhustin) që nga viti 1941 e deri në proçesin e Gërdecit, domethënë përtej rënies së sistemit socialist. Pra monodrama është 100% shqiptare, në ndryshim nga sa jemi mësuar të ndjekim në të shumtën e rasteve në skenat tona, pushtuar nga autorë të huaj.

Pas viteve të ndryshimit të sistemit, Kuqo-t shihen pothuajse në çdo kohë e në çdo vend.

(Më kujtohet një miku im I cili më tregon për një libër-ditar të një “kuqoje”që ende nuk po botohej pasi ai priste të ikte nga kjo botë, e dikush me humor I thoshte “rrofsh sa më shumë që drita e botimit të jetë sa më e largët”; ai kishte pritur sa të vdisnin bashkëkohësit e tij, e të shkruante kujtime aq më tepër për ngjarjet në të cilat nuk kishte marrë pjesë, por diku I kishte regjistruar nga vrima e çelësit, pa u bërë merak se të tjerë “dëshmitarë” të gjallë do të qeshnin e bënin humor me të).

Ngjarjet për të cilat Kuqo- emër që të “zhgënjen” pak, kur nuk I sheh ndonjë gjë të kuqe në trup (përveç mustaqeve)si pasaardhës direkt I një sistemi të kuq, na rrëfen me laps në dorë ngjarjet që e tejkalojnë “seriozitetin”.

Histori dhe personazhe të vërteta, sa mjafton që ai të përmend emrin, salla shton mbiemrin apo e kundërta, qofshin edhe vende të cilat për një brez nga dyzet vite e lartë, nuk janë të panjohura. Megjithëse reagimi I studentëve, të qeshurat me batutat e frymëzuara nga kohët “moderne” apo ngjarje të cilat nuk I kishin përjetuar direkt, e që në të vërtetë nuk janë për të qeshur, treguan se arti shkon tek spektatori me të gjitha mënyrat e veta, me fjalën, lojën e aktorit, skenografinë, muzikën apo të tjerë përbërës.

 

Kuqo të mban të lidhur sy e veshë për një orë e një çerek, me një kujtesë për t’u admiruar, sa  impresionon sallën krejtësisht e mbushur e cila nuk pipëtinte vetëm kur shpërthente në të qeshura.

Paralelizmi që u bëhet ngjarjeve dhe figurave sidomos atyre politike që para lufte, pas lufte dhe pas rënies së komunizmit, duket se janë rrjedhim “normal”. Në të u prekën disa ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, të cilat fillonin me besimin, optimizmin, duartokitjet e më pas “aventurat” nga njëri burg në tjetrin ku shokët dhe miqtë që ndihmuan për mbajtjen e pushtetit, u kthyen në armiq të politikës dhe të popullit, gjithmonë me shaka.

Personazhi Kuqo I cili përgatitet për vetëvrasjen e tij dikur “të urdhëruar” apo orientuar  nga shoku Mehmet Sh,( rrëfyer dhe kjo me humor) sepse më ngjason me Sulo G dhe ditari I tij, një ndër figurat më besnike të historisë që e lidh me Enver Hoxhën, aq më tepër kur edhe origjina është e njëjtë me personazhin, një skraparas I devotshëm.

Raportet e Kuqo- Zhvejkut shqiptar  me shokët Taras, (diku tre në historinë shqiptare) politikën dhe direktivat të cilat asnjëherë nuk I tradhëtoi; zhgënjimi para sarkofazhit të shokut Lenin; këshillat therëse të shokut Stalin, martesat shqiptaro-ruso, ndërhyrja “direkte” nga mbledhjet e demaskimit dikur të figurave të artit, bërë kjo me profesionalizëm prej regjizorit, e të tjera ngjarje ku implikohen Taras-ët e historisë, të bëjnë që mes humorit e sarkazmës së një mitomani, të kuptosh se arti është arma më e fuqishmë për të “qartësuar” apo vënë pikat mbi i,  kohët dhe ngjarjet në jetën e një kombi që jo më kot ësht ëmbajtur në tutelë nga pushteti e goditur dhimbshëm dikur.

Jemi mësuar të lexojmë në fund të një opinioni rreth një vepre apo shfaqje që “ju këshilloj ta shihni apo ta lexoni”.

Nuk marrë përsipër ta them një gjë të tillë, pasi gjithkush ka preferencat e veta, por mundem t’ju them se nëse keni nevojë për humor e sarkazëm made in shqiptar, më origjinale, në interpretim e në përmbajtje nuk besoj se do t’ju zhgënjej Testameni I regjizorit Leka Bungo, as/regjizores Doriana Caushi dhe interpretimi I mrekullueshëm I aktorit tonë Viktor Zhusti (Zhvejku nr 2).

A është kjo shfaqje një homazh dhe nëse po, kujt I drejtohet?

Kuqo pasi puth portretin e Enver Hoxhës, hedh litarin në grykë e deklaron:

“Në këtë palo vend, vdekja mund të marrë një komunist, dy, pesë dhjetë, ja të themi edhe njëqind, njëmijë, por komunismit…..”, po ju lë ta shihni vetë!