Të ndarë, por në të njëjtën shtëpi: Po sikur të ishte më...

Të ndarë, por në të njëjtën shtëpi: Po sikur të ishte më mirë se divorci?

373
0

Tjetër gjë është dashuria dhe tjetër gjë është martesa. Duhej të na e kishin mësuar që në edukatën qytetare këtë gjë, por në fakt, nuk përmendet kjo temë duke dhënë idenë sikur “të gjithë jetojnë të lumtur dhe të kënaqur”. Po pastaj? Askush nuk e shpjegon çfarë u ndodh çifteve dhjetë vjet më vonë. Si vazhdon historia? Çfarë ndodh me dashurinë kur krijohet familja? Çfarë u ndodh dy personave që qëndrojnë në të njëjtin divan çdo mbrëmje dhe shohin njëri-tjetrin çdo mëngjes kur zgjohen? Çfarë ndodh kur defektet e tjetrit nuk na duken më simpatike, por përkundrazi, nuk i tolerojmë më?

Ndarje, s’ka zgjidhje tjetër. Ose ndoshta po. Çifti i aktorëve francezë Philippe Rebbot dhe Romane Bohringer, kanë vendosur që historinë e tyre (të vërtetë) ta shkruajnë dhe interpretojnë në një film që titullohet ‘L’amour flou’. Është as më shumë e as më pak, por jeta e tyre.

“Përditshmëria na vret. Ekziston një mur akulli ndërmjet nesh në majë të këtij akulli qëndrojnë në këmbë fëmijët tanë duke na mbajtur në ekuilibër, ashtu si pinguinët”, është shprehur Philippe.

Ata ishin një çift të cilët, ashtu si mijëra të tjerë, po ndaheshin, por në vend të dy shtëpive të ndryshme vendosën për një zgjidhje më pak dramatike (ndoshta): ndërtuan një apartament me dy hyrje, dy kuzhina, dy banja, dy dhoma gjumi dhe një dhomë të përbashkët për të ndenjur me fëmijët. “Ne si çift kemi marrë fund, por familja jonë jo. Dhe kjo është ajo që duam të tregojmë në film. Nuk të dua më si bashkëshorte, por të dua si nënë e fëmijëve dhe adhuroj personalitetin tënd. Fakti që nuk jetojmë dot bashkë është gjë tjetër, por kjo nuk do të thotë që do të braktis familjen”, ka shtuar Philippe.

Bëhet fjalë për në numër të madh divorcesh dhe çështjes (pa zgjidhje) për shtëpinë. Shtëpia është protagonistja kryesore në një ndarje. Ajo ndryshon fatin e personave. Shumë njerëzve u duhet të kthehen tek prindërit. Të tjerëve u duhet të ndajnë qeratë. Por ku është shkruar që një ndarje s’mund të jetë ndryshe? “Fëmijët janë fëmijët dhe ky është pakti ynë. Është e vërtetë që rutina vret dashurinë, por është e vetmja mënyrë që kemi për të mbijetuar”, është ajo që transmetojnë Philippe e Romane në skenën e fundit të filmit.

‘L’amour flou’ tregon një histori mes tragjikes, parodoksales, realitetit dhe komikes mes mënyrës se si dy njerëz po e perceptojnë dhe jetojnë një ndarje. Ata kanë sjellë në skenë jetën e tyre të vërtetë, fëmijët e vërtetë, familjet e vërteta dhe fqinjët e tyre. Rezultati është një komedi ironike emocionuese dhe shumë inteligjente mes reales dhe fiction-it. Ndoshta jeta nuk duhet marrë dhe aq seriozisht…

/Living