
Gjendja shëndetësore e dy prej tre anëtarëve të një familje në Dërmenas të Fierit, të cilët prej ditesh ishin karantinuar në shtëpinë e tyre, pasi janë të infektuar me koronavirus, është përkeqësuar. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se babai dhe vajza kanë shfaqur komplikacione me shëndetin, ndërsa janë nisur me autoambulance drejt spitalit infektiv në Tiranë, ku do të marrin dhe mjekim më të specializuar. Ndërsa, gruaja e infektuar vijon të qëndrojë në shtëpi, pasi gjendja e saj është stabilizuar.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Dy ditë më parë u miratua dhe Akti Normativ, që detyron spitalet private që të jenë në shërbim të shtetit gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë. Po ashtu gjoba do ketë dhe për ata që thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.