Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme, Shqipëria merr presidencën e Nismës...

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme, Shqipëria merr presidencën e Nismës së Evropës Qendrore nga 1 janar 2024

116
0

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Besart Kadia mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Iniciativës së Evropës Qendrore CEI në Kishinau më 22 nëntor 2023, të organizuar nga Presidenca moldave. Në Ministerial morën pjesë Ministrat e vendeve anëtare të CEI-t si dhe prfaqësues të komisionit European, OBSH dhe BERZH.

Diskutimet u fokusuan në perspektivat e mëtejshme dhe përparimin në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE në mes të agresionit rus kundër Ukrainës dhe rolit të CEI në këtë drejtim. Zëvendësministri Kadia në fjalën e tij theksoi se procesi i integrimit evropian është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe prosperitetit ekonomik në rajon.

Shqipëria vazhdon të dënojë agresionin rus kundër Ukrainës dhe ka qenë një mbështetëse e fortë e çdo propozimi për ndihmë humanitare për Ukrainën në kuadër të CEI. Lidhur me luftën aktuale midis Izraelit dhe Hamasit, ndërkohë që ne qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Shqipëria miraton zgjidhjen me dy shtete, një shtet të sigurt të Izraelit dhe të drejtën e palestinezëve për të pasur shtetin e tyre.

Më tej, ai theksoi se këtë vit Shqipëria organizoi me sukses Samitin e Procesit të Berlinit, i cili solli rezultate të prekshme dhe të frytshme.

 

Kadia u shpreh se pjesëmarrësit rikonfirmuan që proçesi i Berlinit është një mekanizëm rajonal parësor që i shërben përshpejtimit të rrugës së integrimit evropian.

 

Gjatë ceremonisë së dorëzimit nga Moldavia në detyrë në presidencën e ardhshme shqiptare të CEI-t, z. Kadia theksoi se fokusi i presidencës shqiptare duke filluar nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2024, do të jetë forcimi i stabilitetit, sigurisë dhe konkurrueshmërisë në rajonin e CEI, dhe nxitja e Procesi i Integrimit Evropian. Procesi i integrimit europian përfaqëson një spirancë për demokratizimin e Shqipërisë, konsolidimin e institucioneve dhe veçanërisht forcimin e shtetit ligjor në vend. Tema të rëndësishme do të jenë edhe turizmi, rritja ekonomike, shëndetësia dhe promovimi i lidhjeve, si dhe axhenda rinore.