“Skënderbeu”, pre e turizmit Makbethian/ Nga Klodiana Hilaj

“Skënderbeu”, pre e turizmit Makbethian/ Nga Klodiana Hilaj

1659
0

Me hapjen e sheshit “Skënderbej”, shtohen mundësitë për turizëm të tipit të ri-turizëm makbethian. Krijoni një ide të tablosë: autobuzi me turistë e nis guidën nga hotel Plazza me shoqëruesin që shpjegon “Kjo është qendra Toptani, Esat Toptani u vra në Paris 1920”. Pas dy minutash: Ky është sheshi Avni Rustemi! Rustemi ishte ai tipi që vrau Esatin. Pas pesë minutash vazhdon ciceroni: “Ky është bulevardi Zogu i Parë. Ahmet Zogu ishte kushëri me Esatin dhe vrau Avniun për tu hakmarrë. Në pesë minutat e ardhshme përsëri dëgjohet zëri: “Po kalojmë pranë sheshit Fan Noli. Noli ishte prift por kur Ahmet Zogu vrau Avniun, bëri revolucion dhe mori pushtetin. Ahmetin e dëbuan dhe e dënuan me vdekje në mungesë, por ai u kthye pas gjashtë muajsh, mori pushtetin, u bë mbret dhe ja ktheu ‘nderin’ Nolit duke e dënuar me vdekje në mungesë. Fan Noli ju kthye ‘punës’ së priftit. Pas dy minutash: “Kjo është Piramida, vepër dhe muze i Enverit që mori pushtetin dhe shpalli Avniun dhe Nolin heronj, kurse Esatin dhe Ahmetin armiq të përbetuar të popullit. Kjo histori vazhdoi për 45 vjet. Turistët kthejnë kokën nga ana tjetër, ndërsa ciceroni vazhdon: “Kjo është qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë. Këta i ranë shkurt fare. I shpallën Esatin, Avniun, Ahmetin dhe Nolin të gjithë heronj, kurse Enverin e shpallin tetë vjet hero dhe tetë vjet armik”. Kurse ky shesh me pllaka të thyera, asimetrik, e pa rregullat bazë të ndërtimit apo zbatimit mban emrin e Skënderbeut, heroit të shqiptarëve, lufta e të cilit bëri të mundur ngjarjet e mëvonshme me Avnitë, Nolët, apo Enverat, që ripërtërihen sipas qeverive. E gëzofsh sheshin Skënderbe! Shqiptarët po të falënderojnë!