Realiteti njerëzor i Gjormit

Realiteti njerëzor i Gjormit

343
0

Nga ALJOSHA KORKAJ 

FIRENZE 2024

 

Teksa kundroj këtë foto, në pamjen e parë, Gjormi më shëmbëllen si një fshat i vrazhdë, i varfër e grotesk, ndërtuar me një thjeshtësi ekstreme! Perceptim i dëmshëm! Ky fshat është një thesar pak i njohur e kurrë i vlerësuar. Sa herë kujtoj Gjormin më vjen ndëmend thënia e Ibsen për qepën: “Ajo (qepa) është metafora e jetës. Shfleto e shfleto shtresat e saj dhe nuk e gjen kurrë qendrën e saj”! Identik ka qenë historiku dhe jeta e këtij fshati. Në këtë faqe mali, si rrallëkund ndërthuren historia me jetën, dashuria me dhimbjen, tabu dhe karaktere, tradita me krenarinë, ndjesi dhe instikte, mençuria me prestigjin, folklori me metaforat e humorit. Edhe pse një peisazh i përthyer dhe i vështirë, gjormiotët dashuruan me rrënjë e lule florën magjike të malit të tyre. Çka ndikoi, që midis njeriut dhe natyrës, të kishte një përqasje kaq të afërt bashkëjetese. Gjurmët e vjetra të lagjeve me troje, emërtimet toponimike hyjnore të maleve, majave e kodrave, gojdhënat transmetuar brezave, kullotat dhe stanet e bagëtive ku lartësoheshin kasollet, shtigjet gjarpërues dhe përrenjtë shtratgurtë, shikohen sot si dëshmitare të gjalla të së djeshmes së largët. Po cila është origjina e tyre? Më tepër për tu zbavitur, se sa të luaj rolin e etimologut, hamendësoj përmes disa argumentave. Meqë Velça ka afro 150 shpella, ku afro gjysma e atyre kryesore janë shfrytëzuar për strehim nga humanët, ishte një fshat troglodit (banuesi më i hershëm i shpellave) i periudhave neolitike e mesolitit. Fshatrat përreth Velçës, konkretisht, fiset si ai i Gjormit, mund të jenë vendosur aty në periudhat e mëvonshme, padyshim qysh nga paganizmi. Parakët e Gjormit tonë, besoj se, nuk kanë ardhur nga Gjormi i Krujës siç hamendësohet aty – këtu.

Në hershmëri, venbanimi i tyre ishte vendosur më në lartësi, paksa poshtë harkut natyral të malit dhe quhej Dardhëz. Në Fjalorin e Gjuhë Shqipe: “… etimologjia e fjalës “dardhë – z”, vjen nga një bimë barishtore me kërcell të trashë e me gjethe të tulta si të burdullakut, me lule të bardha pesëcepëshe, që rriten zakonisht nëpër murishte të vjetra dhe që mund të përdoren edhe për të ngrënë…”. Prof. S. Konda dhe Prof Eqerem Çabej “…e lidhin fjalën Dardhë me trungun Dard -a dhe më tej me Dardan ..dhe se kjo fjalë tregon fisërinë e tij dhe banorin e zonës Dardë (Dardhë)”. Enciklopedia franceze sqaron se trungu “ard”, sipas një etimologjie tjetër, ka kuptimin: “ard = i lartë, hyjnor”! Kështu që, vetë lagja “Dardhëz” e Velçës, e cila gjendej në zonën e ngritur Kodra, si dhe banorët e hershëm të lagjes “Dardhëz” të Gjormit të ngulur në mal kanë si rrënjë fjalën “dard – d’ard”, përveçse “e bardhë = e ndritur, hyjnore”, mund të kenë pasur edhe etimologjinë tjetër: “dardhëz = dardë = d’ard =ard = i lartë”. Termi “i lartë” nënkuptohej si koncept hyjnor, ndaj ishte i përshtatur edhe te toponimet e larta: maja, kodra, të cilat “zbardheshin” të parat nga drita e mëngjesit dhe rrezet e diellit. Ndaj, banorët e Dardhëz të Velçës në zonën Kodra dhe ata të Gjormit që jetonin në mal, janë fise dhe lagje me banim të lartësive, në vende të larta. Kështu që janë vetëquajtur (apo i kanë quajtur) fis hyjnorë “i lartë, i ndriçuar” apo “fis i lartësive”. Me interes është edhe ajo çka shkruan Prof. M. Shuflaj te libri “Serbët dhe Shqiptarët”: “Logoresejtë mendoj se do kenë banuar në malet Akrokeraune, një pjesë e të cilave sot quhet Lungarë”. Kështu që, parë afërsinë e vendbanimit të lashtë Dardhëz me malin Lungarë – logorsejtë, stërgjyshërit e gjormiotëve të sotëm duhet t’i trajtojmë si fise të shkëputur apo mbetje nga  fiset e lartëpërmendura, ose fise “të ndritur apo të lartësive”. Përzgjedhja e vendbanimit Dardhëz, ku dominon Drita – Dielli – Zot, ka domethënien e vetë. Dardhëza e Gjormit është një vendbanim i përshkuar dhe i mbështjellë prej një lumë drite. Zonë me vegjetacion tipik malor ku tipar dallues janë dielli dhe gërxhet. Vendi ku shijohet mjalti i natyrës – gjelbërimi, pyjet, lulëzimi, zukitja e bletëve, cicërimat e zogjve, hungërimat e kafshëve të egra… Simfonia e ngjyrave stinore mbi tapetin natyror krijon skenën apokalipse të natyrës. Peisazhi ngjizet me kaltërsinë e qiellit dhe shushuritjen e Lioumi Bahrda – Lumit të Bardhë (Shushicës). Shtëpitë, kasollet, pemët lahen prej dritës së diellit. Në dimër, mysafirja bardhësi, bora dhe akulli, përbëjnë një mix duke peneluar gjithë ambientin me manton e bardhë …..

Në koleksionin e jetës së përditshme gjormioti ka diçka të çuditshme apo të veçantë. Një realitet i rrallë njerëzor, të cilëve u rëndoi në shpirt koha dhe jeta që jetuan. Në çdo periudhë ngjarjesh, qysh nga zanafilla e hershme – koha që u ngulën këtu…. e deri te pushtimi osman, shpallja e pavarësisë (1912), lufta e Vlorës (1920) dhe atë Nacionalçlirimtare, Gjormi pati personazhet dhe historitë e tyre. Në kryengritjet kundër osmallinjve spikatin emrat e trimave Haxhi Sinanit, Sinan Memushi, Jakup Kapaj, Premto Premtaj, Hamit Spahiu etj. Vetëm në luftën e e Janinës morën pjesë afro 54 luftëtarë gjormiotë, të cilëve u printe kapedan Selam Premtaj. Në këto beteja, pati 8 të vrarët dhe 2 të plagosur. Në Luftën e Vlorë, 1920, Gjormi dërgoi afro 100 luftëtarë, prej të cilëve ranë dy dëshmorë dhe u plagosën rreth 15 vetë. Për trimin gjormiot Hasan Katrani thuhet se është zhdukur si fis! Edhe përgjatë LNÇL, pjesmarrja e Gjormit ishte e konsiderueshme. Këtë e dëshmon fakti që i pari formacion luftarak, “Çeta Plakë” u krijua në Gjorm dhe komandanti i saj ishte Neki Hoxha, bir i këtij fshati. Mirëpo, siç dihet, gjormioti Sadik Premtaj, n/kryetar i grupit të të rinjve kundërshtoi ashpër Enver Hoxhë, Miladin Popoviçin dhe Mugoshën (krijimi i PKSH, 8 Nëndor 1941). Përplasja e Sadik Premtes me Enver Hoxhën (në themelimin e PKSh dhe përgjatë periudhës së luftës) reflektoi dy vizionet e kundërta për të ardhmen e Shqipërisë: fanatizmi ideologjik i Enverit, që mbasandaj, me ndihmën e jugosllavë devijoi në instalimin e diktaturës dhe, idetë e majta liberale perëndimore të Sadik Premtes! Ky duel i ashpër ideologjik pati pasojat e veta për Gjormin. Mbas çlirimit të vendit, fituesi i luftës kishte “librin e llogarive të hapura”. Edhe pse teorikisht deklaroheshim vëllezër, praktikisht, urrejtja ndaj njeri – tjetrit riktheu konfliket dhe hakmarrjet tinzare. Gjormiotët do shtrydheshin për të paguar mllefin e Enverit ndaj Sadik Premtes, duke përjetuar mbi lëkurën e vet mozaikun e mizorisë – ekzekutimet e llahtarshme. Fillimisht, si fshat, u detyruan të mbyllen në shtëpi për të kuptuar se me cilin ndëshkim do të përballeshin. Instikti barbar i zjarrëvènësve piketoi afro 25 shtëpi dhe disa oda dy katëshe, të cilave ju hodh benzinë dhe ju vu flaka. E pësuan oxhaqet më patriote, ato që kishin kontributin më të madh në të gjitha luftrat, dhe që në shekuj kishin flijuar bijtë e vetë për mbrojten e atdheut: Fiset Premtaj, Hoxhaj, Çobaj, Shenaj, Seitaj, Kapaj, Halili, Hysi…etj. Meço Karefil Çobaj i hodhën benzinë dhe e përcëlluan të gjallë (nè fshatin Vajzè)! Familjarët e shtëpive të djegur, të llahtarisur, u detyruan të banojnë si dikur, në egërsinë dhe errësirën e pyjeve të fshatit. Lotët a atyre nënave që vuanin në heshtje për bijtë e pushkatuar e të përçmuar dhe vuajtjet e atij brezi janë përjetimet më të hidhura të dhimbjes. Saga e vrasjeve do tejzgjatej edhe në Dukat e Lepenicë.

Edhe pse banda e papagallëve ideologjikë gjuajti drejt tyre me gjithë forcën e injorancës, gjormiotë, të armatosur me durimin e hekurt, përballuan çdo sfidë duke reaguan me karakter. Paçka se përgjatë gjithë periudhës të diktaturës ky fshat mbeti rob i biografisë kolektive – “ballist”, realisht, për ata, epiteti “ballist” ishte një fakt ironik dhe mashtrues, banaliteti i të keqes. Parë sot në lupën e transparencës të fakteve, nofka “ballist” fshihte mbrapa një histori të madhe trimërie. Në të vërtetë, brezi ynë vetëm sa kishte dëgjuar diçka për Sadik Premten, Neki Hoxhën, “Çetën Plakë”  dhe trimat e Gjormit. Por që realisht s’i kishim parë kurrë! Enver Hoxha haptazi kërkoi ti spostonte këto figura të çmuara dhe kontributin e tyre në qoshen e errët të kujtesës. “Çeta Plakë” e Gjormit, ishte e para çetë shqiptare apo formacion luftarak i organizuar që luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve. Mbas çlirimit ky fakt u snobua, ndërsa kontributi i kësaj çete patriotike, roli i komandantit të saj Neki Hoxha dhe trimave gjormiot u përvetësua si meritë e influencës të komunistëve krahinorë dhe direktivës të Partisë Komuniste për këtë krahinë…!

Sado që përjetuan një grumbull traumash, te gjormiotët instikti i mbijetesë reagoi fuqishëm. Kokë ulur, të rënduar nga dhembja dhe durimi, besimin për t’u ringritur e gjetën te vetvetja. Më largpamës e të ndjeshëm ndaj aktualitetit, ata punuan fort për të mbajtur lart dinjitetin personal dhe familjar, emrin e fshatit të tyre, i cili u dhuronte shumë ndjesi: krenari, gëzim, dëshirë, përjetim, patriotizëm. Lindën, rritën dhe edukuan fëmijë model. Kështu që fshati u tejmbush nga kualiteti i djemve dhe vajzave të reja. Brez i ri inteligjent, këmbëngulës e plot entuziazëm, që i dhanë puls atij sektori ku punuan. Vajzat e Gjormit trashëguan në perfeksion vyrtytet e nënave dhe stërgjysheve të tyre. Punëtore, duararta, vitale, amvisa të shkathta, krahas punëve të përditshme shtëpiake dhe në kooperativë, ato së bashku me familjarët, në kohën e lirë, ngjiteshin në mal për të mbledhë bimë mjeksore. Edhe pse ishin të sakrifikuara në punët më të vështira, fytyrat u vezullonin nga bukuria sikur të kishin stampuar gjithë ngjyrat e trëndafilave. Dukej sikur këtë dritë floriri të diellit mëngjesor e merrnin prej gurëve ndriçues të Dardhëz në mal! Femra të përsosura, me karakter të fortë, me tendenca për jetën, luftuan të emancipoheshin, pasi asokohe femra në fshatrat tona paragjykohej për çdo veprim. Vajzat e Gjormit tejkaluan çdo pritshmëri teksa gjetën një veprimtari si sporti për të ekspozuar publikisht pasionin rinor dhe aftësitë e veta fizike. Falë punës dhe përkushtimit të palodhurit Gilo Halili, ekipet e vajzave dhe, ai i djemve të Gjormit, shkruan një biografi të pasur kulturore – sportive për ti pasur zili. Ata dilnin të parat në garat sportive në spartakiadat e kooperativave në shkallë rrethi, bile përfaqësuan disa herë rrethin e Vlorës në spartakiadat kombëtare të kooperativave bujqësore në shkallë Republike. Vajzat garuan në disa disiplina sportive si shah, atletikë, volejboll. Ekipi i djemve në futboll. Dy herë (në vitet 1978 dhe 1987) erdhi në Gjorm ekipi i futbollit “Flamurtari” për të luajtuar me ekipin e këtij fshati! Këto ndeshje, edhe pse miqësore, u përjetua si një ngjarje e rrallë krahinore. Mijëra simpantizant të futbollit apo tifozë nga të gjitha fshatrat e Vlorë, jo vetëm që panë nga afër beniaminët e vet – K. Zile, B, Braho, Zeqiri, Xhafa, Liçaj, Edmond Hoxha, P. Ruci, Taho, V. Ruci, Kushta, Gjondeda, Çipi  …..etj, por edhe u surprizuan nga paraqitja dinjitoze e djemve gjormiot në fushën e lojës.

Në shkollat e mesme dhe Universitet nxënësit e Gjormit vlerësoheshin me nota më të larta. Çka mundësoi krijimin e një brezi kuadrosh të aftë e cilësorë me profesion mjekë, mësues, agronomë, veteriner, kontabilitet etj…

Sikundër fshatrat e labërisë edhe te gjormiotët kënga buron nga thellësia e shpirtit në buzë. Ajo u krijua mbi vetë frymën karakteristike të fshatit, çka i lidhte ata me traditën e trashëguar: dashurinë e madhe për folklorin, të shkuarën – ngjarjet e kohës, ndjenjën patriotike – aktet trimërore, ndodhitë – gëzime, dasma etj. Pasioni dhe interpretimi i këngës ishte vazhdim i doteve personale, familjare e fisnore. Mirëpo, mbas çlirimit (1944), gjormiot do shndërroheshin objekt i kritikës dhe shpërfilljes. Edhe pse në spektakël shkohet për tu argëtuar, para se të ngjiteshin në skenë, ata do përballeshin me deluzionin e biografisë! Të bezdisur nga ndrojta dhe ftohtësia e publikut, vlerësimi jo objektiv i zhurive, grupi artistik i fshatit u tërhoq nga konkurimet në shkallë krahine dhe rrethi. Psikologjia e muzikantit popullor gjormiot gjeti mënyrën e vetë për të vrarë atmosferën ostile. Valët e këngës, tingulli, ritmet e valleve me akordin e labërishtes do oshëtinin nëpër ahengjet, dasmat dhe çdo vatër oxhaku të fshatit. Edhe pse u mënjanuan nga aktivitetet artistike, gjithsesi ata i qenë falur këngës dhe e kultivuan atë si një terapi shpirtërore, ngaqë shëronin shpirtin me këto këngë. Duke u mbledhur darkave si vëllazëri dhe kënduar, shtëpitë e tyre ngjasonin si sallë provash. Vena artistike e Gjormit nxorri disa interpretues të spikatur. Për dekada me radhë, sa jetoi, Shezai Seiti mbajti gjallë e përcolli këngën e bukur të Gjormit. Ai ishte kultivuesi (mbledhës dhe krijues – rapsod), ndërsa i vëllai, Hysen Seiti, interpretuesi i mirëfilltë i këngës labe. Shkathtësia dhe harmonia e lëvizjeve në skenën e eventeve artistike, festive, dasmave, e konfirmuan valltarin Esat Veraj si një talent puro autodidakt i sofrës gjormiote. Nëse do kishte vlerësim në Festivalin Folkloristik Gjirokastë 2023 për grupet labe, besoj se pretendentët për vendin e parë ishte grupi i Gjormit me këngën “Pleqtë me feste të kuqe” dhe grupi i Dukatit me këngën “Është mbledhur Labëria”.

I zhveshur prej zhargonit të djeshëm ideologjik dhe statik, grupi i sotëm gjormiot shfaqet më i çliruar, argëtues dhe elegant. Kënga e tyre në Festivalin e Gjirokatrës shkaktoi një relaks shpirtëror të këndshëm. Melodi, tekst dhe interpretim i shkëlqyer! Rrëfim i stisur në realitetin krahinor. Marrësi i këngës, Jeto Sina, është prototip i një interpretuesi me shijen e vjetër. Intonacion i shpirtit gjormiot, në zemër, dhe timbrin e zërit. Më ringjalli në kujtesë pleqtë e dikurshëm me qeleshe pranë oxhakut ku bubulonte zjarri. Forca e tingullit, metafora e fjalëve, ëmbëlsia e timbrit të zërit, gjestikulacioni i mimikës, treguan se ai është një interpretues i përkryer i labçes. Fakti që kënga u pëlqye shumë është shenjë prestigji për Jeton dhe kulturën e këtij fshati.

Krahas genit patriotik, trimërisë dhe zgjuarsisë, te gjormiotë spikat edhe krijimtaria letraro – artistike. Figura poliedrike e Sadik Premtaj, përveç sferës politike, shquhet dhe në fushën letrare me romane të botuar në Francë. Por që, akoma dhe sot, ato mbeten shkrime esoteriche (sekrete)! Këngëtari i mirënjohur dhe aq i dashur për brezin, e viteve 1970, Zija Saraçi, është me origjinë nga Gjormi. Te simbolika letrare – artistike e këtij fshati hyjnë Seit Seiti, prozator dhe poet, Kastriot Kapaj autori i disa botimeve me tematikë nga historia, romancieri i afirmuar Aleko Likaj, Gazetaret e mirènjohura tè TV, Anila Hoxhaj dhe Eglantina Alliaj. Ndërsa ish portieri i Flamurtarit dhe Kuksit, Argjend Halili, i takon sferës sportive….

Të jetuarit të ndarë ka një dallim apo të keqe. Këtë mënjanim, të tjerët (sistemi i asokohe), e vlerësonin të qënurit individualist, jo i interesit të përbashkët. Banorët e këtij fshati, në kohën e lirë, familjarisht, ngjiteshin në mal dhe mblidhnin bimë medicinale për ti shitur. Ky aktivitet shtesë përmirësoi dukshëm ekonominë familjare të tyre. Për “syrin” e sistemit, mirëqenia e “ballistëve”, krijonte bezdi. Kështu që gjormiotët, padrejtësisht u shndërruan objekt i kritikës, se gjoja kultivonin një tendencë jo të pëlqyeshme për kohën, ngaqë kishin në shpirt frymën e tamasë, matrapazit, tregtarit, në vend të asaj revolucionare që kërkonte PPSH. Të deleguarit e partisë apo komitetit të rrethit kur vinin për mbledhje te ky fshat, duke parë ftohtësinë e gjormiotëve karshi tyre, nuk rrinin për darka dhe dreka duke u justifikuar me shprehjen se: ashtu si në Gjirokastër, edhe këtu, nuk e futin dorën në xhep për të qerasur. Në një mbledhje me të rinjtë e këtij fshati, i deleguari i ardhur nga rrethi (Vlora) mori edhe një të moshuar vendas dhe e porositi që tu fliste atyre për rëndësinë e punës në kooperativë, se sa interesit privat. Mirè – i tha ai tè deleguarit. Do i porosit unè , se mè dègjojnè mua ata. Praktikisht, gjormiotët janë mjeshtër nga instikti, të paarritshëm përsa i përket elegancës të humorit, arti i thënieve, ironi dhe alegori e fuqishme. Me profesion blektor dhe arsim të pamjaftueshëm për të mbajtur ligjëratë të rinjve të fshatit, i moshuari nuk e përtypte aq kollaj dozën e talljes. Dmth, që caktuan atë, ndèrkohè qè kishte kuadro me arsim tè mesèm apo të lartë! Mirëpo, ky çobani, ishte një prototip që edhe frikën e transformonte në buzëqeshje, shaka dhe humor. Duke bashkuar frikën me inatin shfrytëzoi momentin ideal për të derdhur dozën e cinizmit karshi gjestit të deleguarit që zgjodhi atë si ligjërues. Sapo filloi tu fliste të rinjve, ai nuk përtoi të “futi dorën” në thesin e batutave të tij: “ Si të rinj e të reja që jeni, mos u kurseni, por punoni fortë në punët e kooperativës dhe jo tè mblidhni lule nè mal. Rezultatet e punès nè kooperativè do i gëzoni ju vetë! … sepse, që thatë ju të rinj e të reja, kuptoni apo jo, puna në kooperativë të kalit, të forcon, të pasuron, të zbukuron, ama… të qirt edhe bythën”. Nuk bëhej më fjalë për mbledhje. Ndofta ishte mbledhja më gazmore qè kishin pèrjetuar ndonjèherè. Ironi therèse, e gjallë, origjinale, që të ndihmon të kuptosh dhe jetosh të vërtetën e asaj kohe. Përpos se udhëtim shpirtëror në sarkazmën e të shkuarës, pasqyron disi edhe imazhin emblematik të gjormiotit. Siç çdo imazh tjetër ai është i lidhur me realitetin e jetuar.

Shperndaje