Një gol i pësuar në tetë ndeshjet e para të kampionatit dhe 6 të tjerë vetëm në 2 ndeshjet e fundit. Te Juventusi një zëvendësues i Gleison Bremerit është kthyer në domosdoshmëri dhe Xhuntoli po punon fuqishëm që ta sigurojë që në ditët e para të janarit. Objektivat janë të shumtë, por ata që kërkohen më me ngulm janë 2.
Në janar do të jetë një duel kokë më kokë mes mbrojtësit të Kombëtares shqiptare Ardian Ismajli dhe mbrojtësit të PSG-së Milan Skriniar. Por kush është më i favorizuar për momentin për t’u transferuar në Torino? Milan Skriniar nuk ka arritur dot të gjejë shumë hapësira që pas transferimit në Paris dhe kërkon me ngulm të ndryshojë skuadër.
Xhuntoli mund të përfitojë nga kjo situatë për të siguruar shërbimet e tij dhe për ta afruar në formë huazimi. Megjithatë, avantazhi i vetëm që Milan Skriniar ka ndaj Ardian Ismajlit është eksperienca me klube të mëdha si Inter dhe PSG. Sa i përket minutave të pakta të luajtura, por edhe rrogës së lartë, Milan Skriniar humbet shumë pikë në sytë e drejtuesve të Juves.
ISMAJLI- Nga ana tjetër Ardian Ismjali, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Mbrojtësi kuqezi ka avantazhin se është mbrojtësi kryesor i Empolit në këtë start sezoni dhe ka bindur me paraqitjet e tij. Gjithashtu paga e lojtarit nuk i afrohet aspak asaj të Milan Skriniar dhe kjo gjë mund të kthehet në një avantazh më shumë.Praktikisht Ismajli do të ishte një lëvizje me kosto të ulët për “Zonjën e Vjetër”, por që njëkohësisht garanton eksperiencën e Serisë A. Disavantazhi i Ismajlit është mungesa e aventurave në skuadra me peshë, diçka që Milan Skriniar e ka bërë. Megjithatë, për momentin sipas asaj që raportohet nga mediat italiane në merkaton e janarit pritet një duel kokë më kokë mes Ardian Ismajlit dhe Milan Shkriniar për t’u transferuar te Juventusi.
Vetëm në merkaton e janarit do të zbulohet zyrtarisht kush do të jetë zgjedhja e Xhuntolit që na ka mësuar të presim edhe surpriza. Për momentin të dy lojtarët kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre dhe Juvja ende po fiton kohë për të marrë vendimin e duhur.