SHBA, Pompeo vë në pikëpyetje rendin botëror

SHBA, Pompeo vë në pikëpyetje rendin botëror

544
0

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vuri në pikëpyetje rendin e tanishëm botëror dhe tha se Shtetet e Bashkuara po marrin veprime konkrete për reformimin e institucioneve globale. Këto komente zoti Pompeo i bëri në takimin e zhvilluar në Fondin Gjerman Marshall në Bruksel. Sekretari amerikan i Shtetit tha se Kina, Irani, Rusia dhe vende të tjera kanë shkelur traktate dhe marrëveshje shumëpalëshe, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë për t’i pranuar më këto shkelje. Ai fajësoi mungesën e udhëheqjes amerikane dhe europiane në çështjet botërore gjatë 30 viteve të fundit . Pompeo tha gjithashtu se Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Bashkimi Afrikan dhe Banka Botërore kanë nevojë për reforma. Ai la të kuptohet se Organizata Botërore e Tregtisë nuk është duke ndjekur rregullat e veta në rastin e Kinës. “Rusia, – tha ai, – po shkel traktatet kryesore të kontrollit të armëve, ndërsa Irani nuk po përfill Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kina, Irani dhe Rusia i kanë mohuar këto akuza, të ngritura shpesh nga Shtetet e Bashkuara. “Kur shkelen traktatet, shkelësit e tyre duhen konfrontuar dhe traktatet duhen rregulluar, ose prej tyre duhet hequr dorë,”- tha zoti Pompeo.

 

Aleatë dhe kundërshtarë e kanë akuzuar administratën Trump për sulme ndaj rendit botëror, përmes qëndrimeve të njëanshme ndaj disa çështjeve, si marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Por zoti Pompeo i hodhi poshtë këto kritika, duke thënë se administrata Trump do ta rikthejë udhëheqjen botërore, duke i ekspozuar vendet që kanë shfrytëzuar dobësitë e institucioneve globale.