Nga Eglantina Alliaj
Shkodër 3-5 Korrik/ Ekziston një optimizëm jo realist në mesin e miliona njerëzve në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian. Por a jane vërtet korrupsioni, sundimi i ligjit dhe reformat vështirësitë kryesore të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian? Sfidat për këto vende për një anëtarësim të shpejtë, janë të gjithëashme, për vet këto vende, por edhe nga faktotë të tjerë aktualë të cilat mbizotërojnë në Unionin Europian.
Mesazhe të qarta për zgjerimin dhe ndërtimin e Europës, për bashkimin e popujve, komponentin e solidaritetit, rëndësinë e besimit, dhe nevoja për identitete të qarta të popujve u dhanë në Seminarin Ndërkombëtar të Studimeve Evropiane, që u zhvillua në Shkodër nga 3-5 korrik. Seminari me tematike: Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor dhe sfida e zgjerimit, u organizua nga Lëvizja e Punëtorëve të Krishterë, Eza-Qendra Europiane e Punonjesve dhe Sindikata SAUATT Albania, me president zotin Bilbil Kasmi, një ndër organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti. Hapja e seminarit dhe përshëndetja u bë nga presidenti i EZA, Piergiorgo Sciacqua, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e reflekimit dhe të analizës të sfidave që paraqet integrimi europian i vendeve të ballkanit perëndimor, sidomos në kohët e sotme, ku ende vazhdon lufta në Ukrainë.
Ndërsa Giorgio D’Antoni, Përfaqësues Ligjor EFAL nënvizoi nevojën që ka shoqëria sot për modele, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Presidenti i SAUATT Albania, zoti Bilbil Kasmi, falënderoi miqtë dhe bashkëpunëtorët nga disa vende, sindikatat nga Mali i Zi, nga Kroacia, nga Bosnje-Hercegovina etj. Sipas tij, integrimi europian kërkon bashkëpunim mes vendeve, për një stabilitet rajonal, për paqe të qëndrueshme, me qëllim përballimi e të gjitha sfidave që paraqiten në rajon dhe më gjerë. Zoti Kasmi bëri një prezantim të situatës aktuale në Shqipëri lidhur me hapat për negociatat dhe anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian.
“Sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE janë të ndryshme dhe jo domosdoshmërish kanë të bëjë vetëm me përparimin e vendit në konsolidimin e demokracinë, sundimin e ligjit dhe të ekonomisë së tregut. Perspektivat e integrimit shihen në funksion të ndikimit të shumë faktorëve si çështjet e identitetit, ekonomisë, sigurisë, dhe të demokratizimit në nivel lokal, rajonal dhe evropian. Teksa reformat e ndërmarra në Shqipëri në kuadër të përafrimit të legjislacionit dhe në veçanti të praktikës ligjore me ato të vendeve të BE-së, kanë rezultuar të ngadalta, vetë BE-ja vijon të jetë një entitet dinamik e në zhvillim të shpejtë në të gjitha sektorët e saj, çka reflekton edhe në proçesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo kërkon rifreskimin e vazhdueshëm si të legjislacionit ashtu edhe të politikave në vend, për të ndjekur progresin dhe ritmin e vendeve të zhvilluara të BE-së” . Në këtë seminar morën pjesë dhe referuan rreth perspektivës europiane të vendeve te Ballkanit, por edhe të sfidave të liderëve dhe popujve të këtyre vendeve, Antonio Di Matteo, president i përgjithshëm i MCL, Maurizio Petroçhi, profesor në Universitetin e Maceratës, Leonardo De Marco, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Agri(Itali), Vanja Gavran-Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar Paneuropian(Kroacia), Srda Kekovic, nga sindikata e Malit të Zi.
Një rëndësi të veçantë pati pjesëmarrja në këtë seminar të Kryepeshkopit Mons. Angelo Massafra, OFM e Shkodrës, i cili referoi temën “Kisha në kufirin e identiteteve dhe funksioni i dialogut për të forcuar kohezionin social” . Kryepeshkopi Mons. Angelo Massafra dha mesazhe të qarta për zgjerimin dhe ndërtimin e Europës, për bashkimin e popujve, komponentin e solidaritetit, rëndësinë e besimit, dhe nevoja për identitete të qarta të popujve.