“Rrënimi”, një roman ndaj mafies së kontrabandës së armëve në post-komunizëm

“Rrënimi”, një roman ndaj mafies së kontrabandës së armëve në post-komunizëm

641
0

Nga Rezart Palluqi – Shkrimtar

 

Është e trishtë kur shkrimtari, përveç krijimeve të tij duhet të plotësojë edhe vakumin e tmerrshëm të kritikës së pavarur letrare. E nuk jam i pari që e ngre këtë problem, sidoqoftë duke  qenë se kritika letrare shqiptare heshti me porosi, mora mundimin që ta lexoj romanin më të fundit të shkrimtarit të begatë, Leonard Veizi, roman i cili mban edhe një titull mjaft domethënës: “Rrënimi”. Puna ka shkuar deri aty saqë letërsia shqipe po i ngjan Biblës në zanafillën e saj: ajo lexohej dhe vlerësohej kryesisht vetëm prej dishepujve të saj. Sidoqoftë ky shkrim, kurrsesi nuk është një qokë. Në të kundërtën, është një vetreflektim i sinqertë ndaj një vepre të re që na vjen.

 

Tematika

 

Shkrimtari Leonard Veizi na ka sjellë ndoshta romanin më të veçantë të vazhdës së gjithë atyre romaneve që kanë si qëllim kryesor ruajtjen e kujtesës kolektive. Mirëpo këtu NUK kemi të bëjmë siç jemi mësuar me një roman që trajton kujtesën e gjakosur të diktaturës komuniste, genocidit çam, luftën në Kosovë, qindra betejave shqiptaro-turke, etj. Jo! Kemi të bëjmë me një tekst letrar që trajton plagët më të freskëta gjatë pluralizmit post-komunist. Çështja e tregtisë së armëve të prodhuara gjatë regjimit komunist është përmendur shkaras në shtypin shqiptar. Mirëpo kjo nuk mjafton. Rinia nuk lexon gazeta, as dëgjon lajme. Nën këtë prizëm ky roman do të shërbejë për më vonë si një ndër kronikat më të mrekullueshme letrare të çerekshekullit të parë të tranzicionit shqiptar. Leonard Veizi ka plotësuar deri diku një boshllëk të madh letrar. Kjo, ngaqë midis shkrimtarëve shqiptare dominon ende ajo ideja tinëzare (post) komuniste se letërsia nuk merret me aktualitetin por vetëm tematikat e mëdha. Veizit i dhëmb më shumë plaga e hapur dhe e mohuar e një shoqërie sesa mania absolute e të sjellit në jetë vetëm romane mbimesatare.

 

Struktura e romanit

 

Veizi, – e them këtë me përgjegjësinë më të madhe, – është mjeshtër i strukturës, të paktën në këtë roman. Kjo më gëzon shumë ngaqë ajo që vërej shpesh tek brezi im i shkrimtarëve është paaftësia për të strukturuar tekstin letrar. Ata e bëjnë ndoshta këtë gabim kryesisht prej manisë për të trajtuar shumë  tematika njëherësh e që zakonisht janë tematika madhore por që nuk letrarizohen në nivelin madhor ngaqë shkrimtari nuk ka pjekurinë as talentin sipëror .  Veizi, ndoshta falë gazetarisë, që edhe njihet për koncizitetin dhe kompaktësinë e saj, ia ka dalë mbanë që romanin “Rrënimi” ta ndërtojë mbi një arkitekturë të admirueshme. Edhe pse në roman ndeshim dhjetëra personazhe, ato riciklohen siç riciklon natyra muajt e vitit. Struktura përbëhet prej kapitujsh të shkurtër e që përfaqësohen çdo herë prej njërit nga personazhet e shumtë. Në total hasim rreth 80 personazhe.  Falë kësaj aftësie, tematika trajtohet fort mirë.

I gjithë lëmshi i romanit janë arsenali i madh i armëve të prodhuara në komunizëm, por që kontrabandohen  mbas vitit 1992 prej krerëve post-komunistëve nëpër shtetet ballkanike dhe ato afrikane. Përkrah kësaj ulërin lavatriçja e madhe që pastron paratë e mafiozëve shqiptarë me pozita shumë të larta në qeveri dhe bizneset e saj paralele. Veizi, nuk e humbet rrugën. Nuk ka asnjë çast kur thua: u bë lëmsh kjo histori. Çfarë rrëmuje e pashpjegueshme!

 

Gjuha

 

Ajo është e kthjellët dhe ka një dinamikë të paulshme. Kjo vjen jo vetëm prej talentit të shkrimtarit por edhe personazheve që luftojnë kush për të mbijetuar, kush për t’u pasuruar edhe më shumë. Veizi nuk e mundon lexuesin me sinonime e fjalë të harruara. Kjo vjen ngaqë ai fokusohet tek rrjedha e ngjarjes që është e ndërthurur me frymën policore. Ndoshta ngaqë Veizi ka dashur që të krijojë një tekst lehtësisht të lexueshëm dhe të depërtueshëm.

Kemi një ndërthurje të zhargonit zyrtar dhe gegnishtes me toskërishten. Veizi ndonjëherë nuk e shmang fjalorin banal e kjo justifikohet plotësisht po të marrim parasysh sferat dhe figurat mafioze që edhe e përçojnë tekstin tejpërtej. Një prej përbërësve të suksesit të një romani është lexueshmëria e tij. Në këtë pikë Veizi ia ka arritur më së miri. Romani lexohet me kërshëri deri në faqen e fundit.  E ai me sferat e tij herë gjakngrirëse herë romantike, të bën të kujtosh shkrimtarin e famshëm italian, Roberto Savianon!

 

Leonard Veizi – shkrimtar

Personazhet dhe fatet e tyre

Veizi di mjeshtërisht që të na servirë 80-të personazhe. Për personazhet e tij do të doja të flisja orë të tëra. Kjo, ngaqë Veizi është me të vërtetë një mjeshtër për t’i gdhendur ata në mënyrë të atillë që ty të përngjajnë me persona reale. Ato janë sa të pangjashëm aq të trishtë por ndonjëherë edhe dinjitozë. Ashtu si gjykatësve romakë, që nuk kursenin as fëmijët e tyre kriminelë,  edhe Veizit nuk i dhimbsen personazhet e tij, sidomos kur ata janë parazitë.

Romani dominohet kryesisht prej të paktën dy personazhesh. Ata janë arkitekti Martin dhe gazetari investigativ, Nik Morina. Nuk ka qenë rastësi që Veizi ka zgjedhur një arkitekt ambicioz, të talentuar dhe kokëfortë. Ai projekton rregullisht ndërtesa, hotele gjigante anembanë Shqipërisë. Mirëpo Martinit i ka rënë për hise të marrë projekte prej padronëve të mafies shqiptare e që nëpërmjet kontrabandës së armëve shpëlan miliona euro. E këtu qëndron edhe ironia e madhe. Ata që deri dje krenoheshin për armatimin komunist, sot i tregtojnë ato kundrejt shumave qesharake. Martini beson në kapacitetet e tij profesionale, grindet me eprorët e tij, është i etur për karrierë dhe shpesh ndërmerr rreziqe që nuk i shkojnë për shtat. Mirëpo ai rrënohet prej pasojave që vijnë nga lufta e brendshme mes dy grupeve konkurrente, ku secili tenton të përlajë llokmën më të madhe prej shitjes së armëve. Projekti i tij më i madh, një hotel me 850 dhoma, restorante, meqenëse përdorej ilegalisht për demontim armësh,  shembet i tëri, çka nënkupton edhe shembjen e të  tërë ngrehinës së shtetit shqiptar por edhe tragjedinë e Gërdecit.

 

Përkrah Martinit ndeshim një femër nobël në kuptimin e plotë të fjalës: Ingridi.  Ajo zotëron një trup shumë  të bukur, e ky trup drejtohet prej një mendje po aq te bukur, fisnike dhe besnike. Ingrid nuk e tradhton Martinin, e këtu kemi të bëjmë me një rast të rrallë në Tiranën e sotme që është shndërruar në një lagje pornografike.  Por edhe Ingrid luhatet. Veizit i pëlqejnë personazhet e lirë dhe që janë vetvetja. Ndaj edhe Ingridit i shkon shpesh ndër mend të shtrihet në krevat me burra të tjerë. Ingrid është edhe piktore. Duke qenë se ajo e do vërtetë Martinin, ajo përpiqet që ta pikturojë atë  ndër vite. Njeriu evoluon, po kështu edhe personazhet e Veizit. Ingrid e mbaron portretin e të shoqit e përfundimi i tij na jep një Martin me dy personalitete: ai i buti, romantiku dhe ai i babëzituri dhe karrieristi.

 

Një ndër personazhet më kompleksë por edhe rrëqethës është vrasësi me porosi, Gregu. Veizi, si rrallë shkrimtarë ka ditur që vrasësin serial të na e skicojë në mënyrë të atillë që të bën edhe ta urresh sepse merr jetë njerëzish të pafajshëm por edhe ta mëshirosh. E këtu qëndron humanizmi dhe mjeshtëria e një shkrimtari. E Veizi e arrin këtë sepse ai e zhbiron të kaluarën e vrasësit. Ai na jep informacione se si u rrit vrasësi. Cilat ishin arsyet që e detyruan të bëhet vrasës me pagesë. Gregu, bëhet i tillë prej drejtësisë së kontrolluar shqiptare. E atëherë mafia e shpëtoi nga burgu duke e shndërruar në vrasësin e saj me pagesë. Përkrah Gregut, Veizi vendos një nënë të dashur, të butë dhe që e ka shumë të vështirë të depërtojnë në skutat e errëta të të birit. E kjo i jep ngjyresa tragjikomike fatit të Gregut e nënës së tij. Mirëpo edhe Gregu duket sikur është ngopur me këtë lloj mbijetese. Ai i premton vetvetes se mbas vrasjes së radhës do t’ia mbathë larg për të krijuar një jetë të re. Kjo lloj perspektive na paraqet edhe anën humane, sado e vogël qoftë ajo, e një njeriu të zhytur në humnerën e krimit.

 

Mirëpo “Rrënimi” nuk është vetëm një roman politik. Aty ndeshim personazhe të dashuruar ose jo. Një prej tyre është punonjësi i bankës, Admir Trina. Admiri përballet me një dashuri të dyfishtë por që vendoset në kohë të ndryshme. Ai dashurohet me mësuesen e tij, e prej kofshëve të saj ai zbulon edhe ndjenjat e ereksioneve të para. Fati do t’ia rrokullisë jetën në mënyrë të atillë që më vonë ai do të dashurohet me vajzën e mësueses së tij. Veçse këtë ai nuk e dinte paçka se ruante një marrëdhënie të fshehtë me të bijën e mësueses. Rrënimi i troket Admirit dyfish në  portë dhe përnjëherë. Në të njëjtën ditë ai zbulon se e dashura e tij, Gresa është e bija e mësueses. Admiri u përball papritur me dy lloj dashurish shumë-shumë komplekse. E kjo e hutoi keq. Sikur të mos mjaftonte ky shok, në të njëjtën ditë e thërret shefi i tij, i cili e kërcënon me jetë nëse ai nuk e shlyen një kredi për të cilën ky kishte dalë garant. Admir Trina rrënohet dyfish. Rrënimi i parë është një lloj dhurate e zezë e fatit, ndërsa i dyti, është pjesëmarrja e tij në shpëlarjen e parave të pista.

Një tjetër personazh tragjik është edhe koloneli Ernest Arbana. Ky në fillim u përpoq që të bllokojë çdo hetim gazetaresk që do të zbulonte edhe shitjen e jashtëligjshme të armëve. Mirëpo në fund kur punishtja gjigante e çmontimit të armëve u bë hi, ai u vetëvra në korridorin e Ministrisë. Edhe pse romani i Veizit përmban një konotacion shkatërrues, për mua, i vetmi personazh që nuk rrënohet është gazetari investigativ Nik Morina. Kam vite që pyes vetveten: përse lundrojmë në një det të thellë kriminaliteti dhe nuk na është vrarë deri më sot një gazetar shqiptar? Nuk më pëlqen aspak që ata të vriten, por në një shoqëri si e jona ata edhe mund të zhduken, ashtu siç ndodh në Rusi, Ukrahinë etj,. Në romanin në fjalë, Nik Morina është një gazetar trim i cili në fund ekzekutohet. Ai nuk e bën këtë punë vetëm për të fituar para, paçka se joshet prej tyre, por sepse ndjen përgjegjësinë morale që mbart mbi supe dhe është i vetëdijshëm për pasojat katastrofike me të cilat do të përballet një shoqëri nëse krimi dhe korrupsioni i organizuar nuk dalin në shesh. E kjo është detyra e gazetarit të racës, gazetarit të betuar. Nik Morina është një i tillë. Veizi duket sikur e ngre shumë lart etalonin e me këtë duket sikur u thotë gazetarëve aktualë shqiptarë: se ju nuk mund të konsideroheni të tillë nëse nuk e bëni punën tuaj me aq ndershmëri dhe guxim, sa Nik Morina. Ai mund të merret si një shembull ideal i gazetarit të vërtetë. Më tragjikja këtu qëndron se Nik Morinën nuk e vret vetëm  mafia nga lart, por e tradhton edhe vetë kryeredaktori i tij. Romani i dhjetë i shkrimtarit, Leonard Veizi, “Rrënimi” është një tablo e të gjitha atyre pasojave të një shoqërie që ka rënë në rrethin vicioz të mafies së organizuar e dirigjuar nga lart. Ndaj edhe pothuajse të gjithë personazhet e tij, edhe pse janë shumë dinamikë, të mprehtë, të talentuar, rrënohen. E kjo ndodh, sepse ata, e këtu qëndron tragjikja, e hedhin vallen e vdekjes në ring  me vetëdije. Ata e dinë se janë pjesë e një mulliri mafioz, por secili shpreson që një ditë do të dalë i palagur. Mirëpo në kësi lloj situatash nuk nevojitet profeci. Të gjithë janë të destinuar të rrënohen. E përmasa e rrënimit varet pastaj se sa lart pretendon të fluturojë dikush nën një qiell që i vjen era barut, fishekë e hajdutëri lakuriqe.

 

“Rrënimi” është një kronikë letrare sa e trishtë por aq edhe e mrekullueshme e Shqipërisë mbas viteve 1992. Jam i mendimit se ky roman duhet përfshirë në tekstet shkollore: jo për fabulën e veçantë të tipit  kafkian, sepse atë nuk e ndeshim këtu. Dhe kjo është një prej arsyeve që Veizin e bën origjinal. Ai nuk vuan prej sëmundjes së riprodhimit/ riletrarizimit të fabulave helene, as imitimin e shkrimtarëve gjenialë. Veizi është ai që është.  Ai i urren heronjtë hollivudiane dhe hijet e huaja, sado të lavdishme qofshin ato.

Ky roman nuk dallohet edhe aq për gjuhën tejet të pasur figurative. As për erudicionin e spikatur. Jo. Ky roman duhet bërë pjesë e letërsisë shkollore për personazhet e jashtëzakonshëm që ndeshim aty. Për moralin gjithëpërfshirës, një vlerë që i mungon fort letërsisë shqipe. Për strukturën fantastike në të cilën rri në këmbë teksti. POR arsyeja kryesore, gjithnjë sipas mendimit tim modest është ruajtja e kujtesës kolektive. Unë uroj që Shqipëria të bëhet sa më shpejt një vend i jetueshëm dhe të MOS mbesë një mitër që syrgjynos bijtë e saj. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ky roman do të jetë një burim i vyer për të gjithë ata që do të donin të kuptonin Shqipërinë e viteve 1992-2018 në të gjitha aspektet e saj: politike, financiare, shoqërore, erotike dhe shpirtërore.

 

Uroj që Veizin ta ndjekin edhe shkrimtare të tjerë duke hedhur në koshin e plehrave idenë fikse se letërsia nuk duhet të merret me problemet aktuale. E kanë gabim. Një shkrimtar i denjë mund të shkruajë 7 romane që trajtojnë problemet e përjetshme por DUHET të bëjnë kurban nja 2-3 romane që trajtojnë kohën e tij e nuk duhet të shqetësohen nëse ata nga ana letrare mund të qëndrojnë pak më poshtë se romanet e kategorisë tjetër. Ky është një lloj flijimi letrar i domosdoshëm e që e bëjnë vetëm ata shkrimtarë që nuk i tuten murtajës së kohës së tyre e nuk  arratisen si burracakë drejt betejave me krokodilët e vdekur të së  kaluarës vetëm e vetëm që të mos përballen letrarisht me bishën e gjallë të shekullit të tyre.  Në mbyllje, vlera e këtij romani dyfishohet nëse do të merrja parasysh se Leonard Veizi ka karakter dhe  moral. Ai është ndër gazetarët e paktë shqiptarë që edhe pse ka punuar si gazetar gati 30 vjet ai ka ruajtur integritetin e tij profesional dhe moral. E kjo e bën atë që ky roman të jetë vërtetë një pasqyrë shpirtërore e tij. Që këndej e tutje, sa herë që do të shoh gazetarët e mercenarizuar shqiptarë nëpër ekrane  do të them: sa të vegjël që jeni o qyqër përballë gazetarit trim, NIK MORINA!