“Roja” e kushtetutës pa gjyqtarë/ Gjyqet në rrezik

“Roja” e kushtetutës pa gjyqtarë/ Gjyqet në rrezik

523
0

Nga Eglantina Alliaj

Rojtarja e Kushtetutës është tani me vetëm pesë anëtarë, minimumi që institucioni të mblidhet dhe të shqyrtojë çështje, por që vendimet të jenë të vlefshme ato duhet të jenë unanime. Mes pesë anëtarëve është edhe Vitore Tushaj, të cilës i ka mbaruar mandati, por vijon të ushtrojë detyrën dhe Gani Dizdari, i cili ka mbushur moshën e pensionit.

 

Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është anëtarja e dytë që do dalë para komisionit të vetingut, megjithëse mandati i ka mbaruar. Nëse do kishte lënë detyrën vitin e kaluar, kushtetuesja do kishte mbetur me katër anëtarë. Seanca dëgjimore e rivlerësimit për këtë gjyqtare do të zhvillohet më katër prill në orën 11, me trup gjykues: Valbona Sanxhaktari, Alma Faskaj dhe Xhensina Pine. Mbetet për tu parë nëse Vitore Tusha do të jetë ‘peshku’ i dytë në rrjet pas shkarkimit të Fatos Lulos. Vitore Tusha, në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

 

Shkarkimi  i Fatos Lulos

Gjykata Kushtetuese në situatën e gjendur me 5 anëtarë është e bllokuar. Ky ngërç, krijohet pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të gjyqtarit Fatos Lulo. Shkarkimi i Fatos Lulos ka sinjalizuar zyrtarizimin e kolapsit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, e cila mbetet me vetëm 5 anëtarë. Vendimi është dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), struktura bazë që kryen Vettingun e shumëpërfolur në Shqipëri. Pavarësisht se vendimi në fjalë do të apelohet në një tjetër organ të Vettingut (Kolegji i Apelimit), aktualisht Gjykata Kushtetuese ka hyrë në një tunel të ngushtë që e bën thuajse të pamundur mundësinë e funksionimit normal të gjykatës më të lartë shqiptare. Vettingu bëri detyrën e tij, largoi një gjyqtar që nuk justifikonte paratë, por nga ana tjetër vendimi është kthyer në një “bumerang” për vetë drejtësinë, të cilës i shërben në fund të ditës procesi i vettingut.

Gjendja ku është Gjykata Kushtetuese sot

Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese kanë mbetur 5 anëtarë, e madje dy prej tyre ndodhen në një “territor” aspak ligjor. Anëtares Vitore Tusha i ka mbaruar mandati, ndërsa një tjetër anëtari si Gani Dizdari, i ka ardhur mosha e pensionit. Tashmë, të gjithë sytë kanë shkuar tek një tjetër institucion, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por sërish, duket se zgjidhja nuk do të jetë dhe aq e thjeshtë. KED shqyrton kandidaturat e sjella nga Presidenca, Kuvendi e Gjykata e Lartë por praktikisht vetë institucioni është mbledhur vetëm një herë, seancë e cila është zhvilluar këtë javë. Procesi i verifikimit të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese nuk është një çështje që kërkon pak kohë për t’u bërë. Nga ana tjetër, një tjetër çështje e komplikon më shumë situatën, pasi kandiatët në fjalë do duhet të kenë kaluar vetë procesin e Vettingut, një tjetër “bumerang” që jo vetëm kërkon kohë më shumë, por edhe vë në pikëpyetje serioze funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese. Pyetja që mund të bëhet sot është se KUR do të funksionojë Gjykata më e lartë e vendit? Sipas të gjitha gjasave, Kushtetuesja do të marrë “disa pushime” të gjata. Gjykata Kushtetuese duhet të kishte nëntë anëtarë sipas ligjit. Nga ana tjetër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nën shqyrtim kandidaturat e dërguara nga presidenti, të cilët garojnë për t’u bërë gjyqtarë kushtetues për dy vende vakante.

 

Për Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, me shkarkimin e Fatos Lulos, Gjykata Kushtetuese del jashtë funksionit. Në deklaratat publike juristi Sadushi bën apel që anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të kalojë sa më parë në veting dhe më pas të zgjidhen kandidatët e Gjykatës Kushtetuese. Tek mungesa e vetingut për këshillin, juristi Sadushi sheh pengesën kryesore për zgjidhjen e kolapsit në Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese nuk shkrihet, kjo e bën më emergjente veprimtarinë e organeve të rivlerësimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që të kalojë me përparësi anëtarët e Këshillit të Emërimit në Drejtësi me qëllim që ky organ të funksionojë”,- deklaroi Sadushi. Ndërsa gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pasi rregullohet me ligj. Nëse 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do t’i kalonin Vettingut atëherë vakancat në Gjykatën Kushtetuese do të plotësoheshin ndërsa në kushtet aktuale një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

 Si mund të zgjidhet ngërçi!

Gjykata Kushtetuese tashmë ka hyrë në krizën më të paprecedentë që prej krijimit të saj pas vitit 1990. Tashmë rrezikon që roja e ligjit më të lartë në vend të bjerë. Pas shkarkimit të Fatos Lulos dhe dorëheqjes më herët të Besnik Ymerajt, Gjykata Kushtetuese ka mbetur vetëm me pesë anëtarë. Për kreun e kësaj gjykate, Bashkim Dedja, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon më në disa aspekte të saj që janë vendimet e seancës plenare dhe vendimet e mbledhjes së gjyqtarëve. mos funksionim në seancë plenare do të thotë se gjyqtarët kushtetues nuk mund të dalin më në seancë për të zhvilluar këto procese sipas këtij kalendari të paralajmëruar. Bashkim Dedja ka përsëritur të njëjtin apel për zëvendësimin e vendeve vakante. “Tashmë Gjykata Kushtetuese nuk formon më dot kuorumin me gjashtë anëtarë, e vetmja gjë që mund të them është të përshpejtohen procedurat për zëvendësimin e vendeve vakante”, tha ai. Edhe më herët gjatë intervistave në kohë të ndryshme Bashkim Dedja ka deklaruar: “Gjykata Kushtetuese në këto kushte nuk po ju hyn çështjeve që në thelb rrezikojmë të na çojnë në Strasubrg”, ka thënë Dedja më 25 janar 2018.

 

 

Qëndrimet e politikës

Mazhoranca ka hedhur hapin e parë që anëtarët e rinj të zgjidhen pa iu nështruar vlerësimit, duke e lënë këtë për një fazë të dytë ndërsa opozita nuk ka vendim zyrtar për këtë cështje, ndonëse “off record” e shohin si zgjidhje. Palët poltike ende nuk kanë diskutuar apo janë  konsultuar për ketë cështje, ndërsa presidenti, kuvendi dhe gjykata e lartë e kanë hapur garën për vendet vakante.  Ngërçi në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuse, për shkak të dorëheqjes së disa anëtarve, duket se ka sjellë ndryshim të qëndrimeve të mazhorancës por dhe opozitës, lidhur me procesin e e vlerësimit kalimtarë. Kryetari i grupit parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulat Balla, propozoi që anetarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen pa “vetting” ne menyrë që ky institucion të jetë funksional dhe vlerësimi të jetë për një moment të dytë. Opozita nuk ka një vendim zyrtar për ketë cështje, por duket se në kushtet kur institucioni që është referim krysor për aktet e paligjshme që sipas tyre ndërmerr qeveria, është në kushtet e mosfunksionimit,  e shohin zgjidhje të mundshme! Ekspertë  dhe deputetë të opozitës  që janë angazhuar për reformën në drejtësi, nuk e përjashtojnë mundësinë që anëtarët e kushtetueses të zgjidhen pa vetting duke e lënë këtë proces për moment të dytë.

Çfarë parashikon ligji

Ligji për organizmin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese, në nenin 7/a,  ku detajon kushtet dhe kriteret e emërimit, sanksionon se gjyqtari duhet  të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve, por dhe të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral, kur zgjidhet në atë detyrë. Një moment tjetër që mban pezull plotësimin e vakancave në Gjykatën  Kushtetuese është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.  Neni 125 i kushtetutës thotë se anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Gjykata e Lartë prej 16 janarit të vitit 2017, e ka hapur  procedurën  për vendin vakant të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i ka përcjellë KED-së tre emra për vlerësim. Kjo trupë nuk ka marrë vendim pasi  ka një interpretim  se ky institucion nuk mund të veprojë pa kaluar vetë më parë në  vlerësim. Përtej deklaratave të publike të njënashme  mazhoranca  dhe opozita nuk kanë komunikuar për këtë cështje! Derisa kjo të ndodhë gjykata kushtetuese organi më i lartë garant i respektimit të ligjit, mbetet në vështirësi pothuajse në mosfunksionim.

Përbërja

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

 

 

  1. Bashkim Dedja, Kryetar

 

Lindur më 13.03.1970 në Dibër. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1993. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas deri në vitin1998 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Prej vitit 1998-2010 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës. Aktualisht, është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë së UT në të drejtën penale dhe në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “Shkrimi dhe arsyetimi ligjor” si dhe është ekspert i trajnimit vazhdues. Ka bashkëpunuar në disa grupe pune për hartimin e Kodit të Punës si dhe përmirësimin kodeve të Procedurës civile dhe penale. Prej dhjetorit 2007 e në vazhdim është anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Në muajin maj të vitit 2010 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nga muaji shtator i këtij viti është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në muajin tetor të vitit 2013 riemërohet Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

 

 

 

 

  1. Dr. Vitore Tusha, anëtare

 

Lindur më 26.11.1960 në Tiranë. Diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkëautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Vitore Tusha, në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

 

 

 

 

  1. Dr. Altina Xhoxhaj, anëtare

 

Lindur më 9.10.1970 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1994. Në vitet 1992-1993 kryen studime të Programit Tempus në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Trentos, Itali. Në vitet 1994-1995 ka punuar juriste pranë Ministrisë së Drejtësisë. Prej vitit 1995 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë. Gjatë viteve 2006-2010 ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2008 merr gradën “Master”në shkencat civile. Në janar të vitit 2013 ka marrë gradën shkencore “Doktor”. Në periudhën 1995-2000 ka qenë pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2003 ushtron mësimdhënien në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “E drejta Tregtare” si dhe është eksperte e trajnimit vazhdues për gjyqtarë. Në muajin Maj të vitit 2010 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Është autore e disa artikujve shkencorë ne fushën e së drejtës tregtare në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

4 Fatmir Hoxha, anëtar

 

Lindur më 21.03.1968 në Pukë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1991. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë ku dhe ka ushtruar detyrën e Kryetarit. Në vitet 1996-1998 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë. Prej vitit 2003 deri në vitin 2008 ka ushtruar detyrën e Kryetar të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në muajin qershor të vitit 2011 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

 

  1. Gani Dizdari, Anëtar

Lindur më 30.04.1949, në Tropojë. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1972. Ka punuar si Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tropojë, në periudhën 1973-1982, dhe si Prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Departamenti Gjyqësor, në vitet 1982-1989. Nga viti 1989 ka qenë prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit, dhe në periudhën 1995-1999 ka ushtruar detyrën e Zëvendës-Prokurorit të Përgjithshëm. Ka ushtruar profesionin e avokatisë në vitet 1999-2006, si anëtar i Dhomës së Avokatëve Tiranë. Në vitet 2006-2013 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë (nga qershori 2007 dhe Kryetar i Kolegjit Penal të kësaj gjykate). Në muajin prill të vitit 2013 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

 

Shenim: Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias  “Media dhe Reforma në Drejtesi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tirane. Opinionet dhe  gjetjet e shkrimit janë të autorit.