Rama, administratori i ri i kompanive tona!

Rama, administratori i ri i kompanive tona!

447
0

Nga Nikollaq Neranxi

 

40 minuta diskutim përballë njerëzve të biznesit, iu a kam përmbledhur në 2 minuta, të mjaftueshme për të kuptuar se deri ku arrin marrëzia e një kryeministri. Nuk e di se çfarë borxhi i kanë Ramës këta njerëz, të cilët rrinë si të marrë peng teksa ai i denigron, i tall e madje edhe i kërcënon!

“Ju do bëni çfarë ju them unë, çmimet do i vendos unë, ju nuk do fitoni, ju do sakrifikoni për mua dhe po nuk e bëtë, unë do ju shkatërroj”. Pastaj një leksion fetar: “Po nuk sakrifikuat për mua, Shën Pjetri do ju kërkojë llogari në botën tjetër për mëkatet!!!!”

Ky ishte me pak fjalë thelbi i monologut të gjatë të Ramës, pa asnjë pipëtimë nga salla.

Ky besoj është një rast unik, ku në një vend i cili pretendon se i përket botës demokratike, dëgjojmë një fjalim të drejtuesit të qeverisë, për t’ja patur zili edhe Kim Jong-un. Dhe më e bukura është se këta biznesmenë, do më përfaqësojnë edhe mua teksa kryeministri i urdhëron se si të punojnë!!!

E imagjinoj delirin e Ramës, një specie e rrallë i cili në momentet më të vështira për vendin, gjen rastin për të materializuar të gjitha ëndrrat e tij perverse që të ketë nën kontroll gjithçka. Ja ku erdhi momenti pra që edhe çmimin e grurit dhe të vajit, ta vendosë vetë, se vetëm kjo i kishte ngelur pa bërë. Ndërkohë as edhe një masë si ato të vendeve fqinje të paktën, asnjë ulje takse, asnjë ndihmë, asnjë trajtim të veçantë nga qeveria për produktet e shportës, zero reflektim, zero përgjegjësi.

Por çfarë do të ndodhë mbas kësaj dhe cilat do të jenë pasojat?

Çmimet e ushqimeve, të cilat më së shumti importohen, nuk janë si ai i karburanteve. Tregu ofron një mundësi të madhe zgjedhjeje. Unë psh kam zgjedhur tregun e BE-së dhe brenda tij, kompanitë lider. Por disa kolegë të mij kanë zgjedhur tregje të tjera, me çmime më të ulëta dhe cilësi të ulët gjithashtu. Por këtu nuk po flasim për diferenca të vogla në çmim mes njëra tjetrës. Atëherë cilin çmim do marri parasysh ky bordi i famshëm? Nëse do i referohen një mielli jashtë çdo standarti që për fat të keq e ka mbytur tregun shqiptar, çfarë do bëj unë që tregtoj miell italian dhe gjerman? Që të mbijetoj, do pastroj edhe unë magazinat e botës? Po unë nuk e pranoj se nuk mund të tregtoj kurrë një produkt ushqimor që nuk e konsumoj vetë si dhe familja ime, sepse kam parimet e mia në biznes dhe nuk mund t’i ndryshoj sepse do Rama!

Ai thotë do bëni si them unë se jemi në luftë!!! Unë nuk shoh ndonjë pushtues vërdallë, përveç atij që është në krye të vendit dhe po bën plane për pushtim ekonomik! Dhe në fakt ka të drejtë për aq kohë sa ne ia kemi krijuar mjedisin ideal për të bërë çfarë të dojë.

Tani kam një pyetje për të gjithë ju, edhe sa keni vendosur ta duroni???