-
Presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, thotë se ata me siguri do ta ndryshojnë formatin e ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës si rezultat i koronavirusit. CONACACAF është konfederata përgjegjëse për futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe në Karaibe, njëjtë si UEFA për futbollin në Evropë.
Formati aktual i kualifikimeve për Kupën e Botës është i bazuar në formatin Heksagonal, ku një grup final i gjashtë skuadra luftojnë për vendet kualifikuese, përderisa ato gjashtë kombëtare zgjidhen në bazë të rangimeve në FIFA, transmeton Gazeta Express.
Kjo fazë ishte planifikuar fillimisht të fillonte në shtator të këtij viti, mirëpo ky plan tani është vënë në rrezik shkaku i përhapjes së virusit Covid-19 që e ka goditur të gjithë botën dhe ka bërë që të gjitha aktivitetet sportive të pezullohen.
Formati bën që top tre skuadrat të kualifikohen drejtpërdrejt për Kupën e Botës, ndërsa ekipi në vendin e katërt përballet me fituesin e një gare ku përfshihen 35 ekipet e tjera të CONCACAF, përderisa fituesi kalon në play-offs për Kupën e Botës, që do të zhvillohet në mars të vitit 2022.
E përderisa ende nuk është përcaktuar një datë kthimi për ligat, Montagliani e ka pranuar se ka shumë gjasa që CONCACAF të detyrohet ta ndryshojë formatin e kualifikuese për t’i luajtur të gjitha ndeshjet para marsit të vitit 2022.
“Sipas mundësive dhe gjasave, nëse kalendari do të ndryshojë, atëherë ne do të duhet ta shikojmë se si do të ndryshojë dhe si do ta ndikojë formatin e kualifikimeve për Kupën e Botës, që me siguri se do të ndodhë”, ka thënë Montagliani.