“Porosia e kullës”, vepër e atdhetarit dhe veprimtarit Dr. Pashko Camaj u...

“Porosia e kullës”, vepër e atdhetarit dhe veprimtarit Dr. Pashko Camaj u promovua sonte në Tuz

13
0

Libër i veçantë që flet për plagën e moçme të largimit nga atdheu, largim i rënduar nga kujtimet që e shtyjnë drejt suksesit.

Mjeku, doktor i shëndetit publik, Pashko Camaj, nëpërmjet libri të shkruar në anglisht dhe të përkthyer në shqip, në kolanën e veprave të Shtëpisë Botuese “Onufri”, paraqet jetën e një të riu të ikur nga Malësia, në Amerikë.

Pas promovimit të librit në Amerikë, Tiranë dhe Prishtinë, ku ishin të pranishme personalitete të larta atdhetare dhe politike, dr. Pashko Camaj ka folur edhe për motivet që e shtynë për të shkruar librin.

Ai e la Tuzin në moshën 20-vjeçare dhe hyri në Amerikë i fshehur në bagazhin e një makine, për çka, libri ka titullin në anglisht “Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane”.

Ai ka realizuar ëndrrën amerikane, është ekspert i shëndetit publik dhe drejtues i 60 mijë punonjësve në bashkinë e Nju Jorkut. Në librin me kujtime në gjuhën shqipe është i emërtuar “Porosia e kullës” ku tregon udhëtimin e tij nga Mal i Zi në SHBA përmes sfidave që ka kaluar.

“Një prej historive që vjen në libër është përshkrimi i vrasjes së gjyshit tim nga komunistët jugosllavë më 1947. Nga aty lind titulli i librit. Komunistët rrethojnë kullën dhe e detyrojnë të dalë prej saj, plaku i shtëpisë, gjyshi im Pjetri. Duhej të dilte pa armë dhe në malësi, fytyra (nderi) ka rëndësi. A ditën të qëndrojnë, a ishin trima- kishte rëndësi. Të lejosh që të vijnë të të marrin babain nga shtëpia e ta vrasin nuk është e lehtë. Kjo ka qenë një ndër gjërat më të vështira për babain tim. Mirëpo gjyshi i thotë, se për kullën duhet të jetohet jo të vdiset. Ajo është porosia e kullës, fjalët e fundit të tij janë: ju duhet të jetoni për kullën, jo të vdisni”, thotë Camaj.

Duke folur për librin, ai theksoi se ka përmbushur edhe një ëndërr, për të cilën, sipas tij, sot u bë realitet dhe shtjellon historinë e shumë familjeve shqiptare që kanë sakrifikuar për lirinë dhe identitetin shqiptar, dhe një rikujtim i vazhdueshëm i vështirësive që kanë përcaktuar fatin e shumë shqiptarëve që janë detyruar të largohen nga trojet shqiptare.