“Popullsia do të jetë 860 mijë banorë”, Meta ngre alarmin: Shqipëria po...

“Popullsia do të jetë 860 mijë banorë”, Meta ngre alarmin: Shqipëria po tkurret dhe po plaket me ritme thellësisht dramatike

440
0

“Shqipëria po tkurret dhe po plaket me ritme thellësisht dramatike, si asnjë shtet tjetër në Europë”. Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur ta nisë ditën me këtë shqetësim serioz për vendin dhe të ardhmen e tij.

Duke iu referuar një artikulli të revistës “The Economist” e cila shkruan se në të gjithë Ballkanin, popullsitë po zvogëlohen dhe plaken, dhe nëse situata nuk ndryshon edhe më shumë njerëz do të largohen, Meta thekson se shpejtësia e plakjes në vend është gjithashtu tronditëse.

Postimi i Metës: Shqipëria po tkurret dhe po plaket me ritme thellësisht dramatike, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në studimin e publikuar së fundmi nga “The Economist”, varianti pesimist parashikon që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.

Shpejtësia e plakjes është gjithashtu tronditëse: mosha mesatare sivjet është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç. Trishtim më të madh nuk mund të ketë!

Një vend i bekuar nga Zoti me bukuri të jashtëzakonshme dhe pasuri natyrore që jo shumë vende në botë i kanë, po braktiset gjithmonë e më shumë.

Edhe pse qeveritë në planin afatshkurtër mund të përfitojnë nga emigrimi pasi kështu ulen fiktivisht treguesit e papunësisë apo mund të rriten të ardhurat nga remitancat, në perspektivë mosadresimi i menjëhershëm dhe në mënyrë agresive i këtij fenomeni do të kishte pasoja katastrofike sidomos për një vend si i yni.Koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria. ka Diell për të gjithë dhe jo vetëm për disa. Koha që shqiponjat të kthehen në folenë e tyre!