‘Politikanët shqiptarë nuk dinë ku ta fshehin pasurinë’

‘Politikanët shqiptarë nuk dinë ku ta fshehin pasurinë’

503
0

Avokati Spartak Ngjela përmes një statusi të publikuar në profilin e tij në Facebook deklaron se ka shumë krerë partish politike që nuk do të mund t’i mbijetojnë rendit të ri juridiko-administrativ që do vendoset në Shqipëri. Sipas tij, perëndimorët i trajtojnë krerët e partive si fëmijë apo si të sëmurë mendorë që e kanë mendjen vetëm për pasuri vetjake, që lodhen pasi nuk dinë ku ta fshehin.

STATUSI I PLOTE

“Nuk është gjë e lehtë të ngjitësh shkallët e Golgotës”, na ka shkruar Dostojevski.

Korrupsioni shtetëror shqiptar ka filluar të ngjisë shkallët e Golgotës… prandaj shihet sot, në këtë fushatë zgjedhore, të flasë në tym dhe pa asnjë lidhje logjike apo kuptimore.

Shqipëria është në krizë.

Kriza e sotme e Shqipërisë, për të gjithë ekspertët perëndimorë, është e mbërthyer në rendin juridik dhe në rendin administrativ. Këtu po konsiston edhe Reforma, sepse është pikërisht kjo krizë ajo që ka bllokuar zhvillimin dhe ushqen korrupsionin.

Por…A keni dëgjuar sot në fushatën zgjedhore ndonjë fjalë nga krerët e partive për këtë krizë në sistem dhe për rrugët e daljes prej saj?

Po pse, ju mendoni se e dinë se çfarë është rendi juridik dhe rendi administrativ këta krerë partish sot në Shqipëri?

Po pse, ju mendoni se e dinë këta krerë që Lindja tiranike nga Perëndimi demokratik dallohen të rendi juridik dhe rendi administrativ?

Pse, ju mendoni se këta krerë nuk e respektojnë ligjin se nuk e duan?

Pse, ju nuk e dini që këta krerë nuk e dinë fare se ç’është ligji dhe as që duan të flitet për të?

Pse, edhe në se e lexojnë diku, se ç’është ligji dhe rendi juridik, ju mendoni se këta krerë e kuptojnë, dhe e dinë sesi mund ta nxjerrin nga kriza e sotme Shqipërinë?

Ju mendoni se këta krerë partish, janë në gjendje ta konceptojnë rendin juridik në funksion të Reformës në Drejtësi?

Pse, a nuk e dini që deri tani asnjë fluks në pushtet në Shqipërinë njëqind vjeçare, nuk ka dashur t’ia dijë për rendim juridik dhe rendim administrativ, por këto të dyja ia kanë nështruar pushtetit të tyre personal?

Pse, ju nuk e dini që pushteti personal në Shqipëri, ka shitur gjithmonë interesin kombëtar?

Pse, ende nuk e keni kuptuar që, në funksion të Shqipërisë, si sistem dhe rend, këta pushtetarë kanë qenë dhe janë fëmijë që gjithçka e duan për vete?

Pse, ju nuk e dini se perëndimorët po i shohin krerët aktualë si persona antisistem, që e dinë demokracinë të drejtën për të bërë lloqe dhe biseda thashethemesh nëpër kafene dhe si arbitrarizëm të kryeministrit?

Pse, ju, ende nuk e dini, që perëndimorët i trajtojnë këta krerë ose si fëmijë ose si të sëmurë mendorë e të lëshuar në mënyrë abstrakte ndaj një pasurie vetjake, që tani lodhen se nuk dinë ku ta fusin për ta fshehur?

Pse, ju mendoni se këtë çmenduri ndaj një pushteti politik, këta e kanë të fshehur dhe nuk iu diktohet?

Dhe, më në fund:

Ju mendoni se këta krerë do t’i rezistojnë me ekzistencë rendit të ri juridiko-administrativ që do të vendoset në Shqipëri? Absolutisht që jo… sepse këta injorantë duhet ta dinë dhe, nëse nuk e dinë ta mësojnë që rendi juridik dhe rendi administrativ i shtetit të reformuar shqiptar duhet të programohet sipas të drejtës komunitare europiane në veprim në BE, dhe këta nuk ka përse të duhen në këtë programim.

Nëse i dinë të gjitha këto, pse rrinë ende?

Kot e kanë, janë pa të ardhme… kanë filluar të ngjitin shkallët e Golgotës.