OFL e vuri në ‘sitë’/ Kush është Arben Bërballa pjesë e grupit...

OFL e vuri në ‘sitë’/ Kush është Arben Bërballa pjesë e grupit të bujshëm ‘Kokaina’, ku ra në pranga ish-burri i këngëtares së njohur dhe zyrtarë të lartë

714
0

Arben Bërballa një nga të shënjestruarit e OFL për deklarimin e pasurisë nuk është nje emër i panjohur për drejtësinë.

 

Ai ka qenë pjesë e një grupit kriminal “Kokaina”, për të cilin ranë në pranga disa persona mes tyre zyrtarë të lartë dhe Mentor Hadergjonaj ish-burri i këngëtares së njohur Albërie Hadërgjonaj, për trafikim lëndësh narkotike.

 

Në vitin 2001 ish-shefi i policisë Sokol Koçiu bashkë me Arben Bërballën, Frederik Durdën, Din Gjonajn dhe Vebi Hysën, Alfred Nanaj, Mentor Hadergjonajn (ish-burri i Albëries) ishin emrat më të lakuar në gjykata.

 

Në gusht të vitit 2000 u kap në Venezuelë një anije me 6 ton kokainë e destinuar për në Europë ndërsa në Holandë u zbuluan 2 ton të tjerë. Nga Shqipëria ishte nisur anija e Durdës me lëndë të parë por nga ekuipazhi u urdhërua të kthehej. Autoritetet spanjolle nuk gjetën asgjë.

 

Për 6 muaj pronarët e anijes “Sia” u mbajtën nën përgjim derisa në 2 shkurt 2001 u vunë në pranga 21 persona nga 7 shtete. Kurse në Shqipëri u prenë 7 fletë arreste. Frederik Durda, Arben Berballa, Sokol Kociu, Din Gjonaj, Vebi Hysa dhe Alfred Nanaj, Mentor Hadergjonaj u dënuan vetëm me 66 vite burg në total.

 

Frederik Durda, u dënua me 16 vjet burg, Arben Bërballa me 15 vjet, Sokol Kociu me 15 vjet, Mentor Hadergjonaj me 7 vjet burg, Vehbi Hysi me 5.5 vjet, ndërsa Alfred Nanaj, me 6 vjet burg.

 

“Shuma prej 985. 050 dollarë t’i kalojë shtetit edhe motoskafi “Sia” që ndodhet i bllokuar në Portin e Durrësit të kalojë në favor të shtetit. Automatiku të kalojë në inventarin e Ministrisë së Rendit Publik. Dhe pasaportat në emër të shtetasve Stefan Goga dhe Blerina Goga të asgjësohen”.

 

Kjo ishte një nga kërkesat e Prokurorisë së Tiranës gjatë shpalljes së pretencës për të akuzuarit.

 

Finalizimi i këtij operacioni është një nga historitë e para të bujshme të kokainës kolumbiane drejt Shqipërisë dy dekada më parë, pasi çoi në pranga zyrtarë të lartë në polici dhe prokurori. Në pranga u vu ish-shefi i policisë gjyqësore, Sokol Koçia.

 

Grupi kishte vendosur lidhje me kartelet kolumbiane për sjelljen në Shqipëri të sasive të mëdha të kokainës. Koçiu akuzohej se kishte premtuar menaxhimin e tonelatave me drogë, që do të nisnin rrugëtimin nga Kolumbia në Venezuelë, për të përfunduar në Spanjë. Ngarkesa e mbërritur nga Kolumbia, do të fshihej në anijen shqiptare qe lundronte me flamur maltez, duke përfunduar më dpas në Vlorë. Aty do të ndihmonte ish-kreu i policisë gjyqësore Sokol Koçia.