Nga historia e burrave të Armenit e deri te miqësia e Refat...

Nga historia e burrave të Armenit e deri te miqësia e Refat Ali Kasaj me Familjen Vlora!? Si u bë sekretar i Ministrit të Brendshëm, e më vonë i Kryeministrit të Perandorisë, Ferit Pashë Vlorës

326
0

Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj këtë të dielë u trajtua Historiku fshatit të Armenit, si dhe veprimtaria e Refat Ali Kasaj

Nga historia e burrave të Armenit e deri te miqësia  e Refat Ali Kasaj  me Familjen Vlora!? Si u bë  sekretar i Ministrit të Brendshëm, e më vonë i Kryeministrit të Perandorisë, Ferit Pashë Vlorës. Mbrritja e Avni Rustemit  në odë e Refatit!?

Armeni

Fshati që gjurmët e antikitetit shtrihen deri aty ku dikur shtrihej territori i amantëve.

Në qytezën  e Armenit  kodra dikur kishte qenë e fortifikuar dhe për nga sipërfaqja ajo radhitet në grupin e qyteteve të periudhës së shek. IV – III p. Kr. Por për fatin e tij të keq, ky qytet, që nga java e largët e vitit 168 p. Kr. kur komandanti romak Paul Emili nisi S. Nasikun dhe të birin e tij për të plaçkitur e shkatërruar qytetet në veri të Vjosës dhe vetë vazhdoi rrugën për të plaçkitur 70 qytete të Epirit.Ja si e përshkruan fundin e qyteteve epirote historiani romak Tit Livi: “Në mëngjes ari dhe argjendi ishte grumbulluar, në orën e katërt (2 orë para drekës) iu dha shenjë ushtarëve për të plaçkitur qytetet. Plaçka e rrëmbyer qe aq e madhe sa çdo kalorësi i ranë nga katërqind dinarë, e këmbësorëve nga dyqind dhe numri i robërve arriti në njëqind e pesëdhjetëmijë. Pastaj u rrënuan muret e qyteteve të plaçkitura, të cilat ishin afro shtatëdhjetë. U shit gjithë plaçka dhe vlefta e mbledhur u nda mes ushtarve.

Armeni është  fshati që  zë  një vend  të veçantë në historinë e luftërave për liri në krahinën e Vlorës por edhe të Shqipërisë. Shumë  etapa  historike  ka  kaluar  ky fshat, etapa të cilat kanë nxjerr  në pah djem e burra të shquar, si në penë , ashtu edhe në trimëri, të cilët i kanë dalë zot vatanit.

Aty mes kodrave të bukura poshtë rrënojave të qytezëz ndodhet mes shtëpive të tjera një shtëpi dy katëshe me mur guri, që për nga forma  dallohet nga të tjerat. Pikërisht në këtë shtëpi në vitin 1863 lindi Refat Ali Kasaj.Në një familje patriotike dhe me vlera të mëdha atdhetare.

Historia e burrave të Armenit

Në  periudha të historisë, burrat e Armenit dhe labërisë kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim,ashtu  si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu si kryetar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare  udhëhoqi këtë luftë. Gjurmët e tyre në historinë kombëtare i gjejmë  shumë herët.

Lufta për autonominë dhe pavarësinë e vendit nuk filloi dhe mbaroi sa hap embyll syt, u deshën vite të tëra lufte e përpjekje me penë e pushkë. Ajo është së pari lufta me penë e mendje e rilindësve tanë dhe, më pas e kryengritjeve me armë të popullit. Siç dihet, rilindja filloi qysh në vitin 1845 me botimin e “Evetarit” të Naum Veqilharxhit e të gramatikës së Kristoforidhit, por ajo mori hov të madh pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Përpjekjet e shtetit shqiptar,për krijimin e një shteti

Kjo lidhje ishte përpjekja e parë për të krijuar një shtet shqiptar në të katër vilajetet, pas 450 vjetësh robëri. Kjo lidhje krijoi degët e saj në të gjithë Shqipërinë Etnike. Kryetari i Lidhjes për Vlorën ishte Mustafa Pashë Vlora, xhaxhai i Ismail Qemalit me Musa Bodon, Odhise Kasnecin e Nikollë Konomin. Pas shtypjes së Lidhjes nga turqit, Lufta filloi të organizojë në fushë të librave shqip për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare që nga viti 1883, në Vlorë dhe fshatrat e saj filluan të vijnë libra shqip në mënyrë të fshehtë. Në vitin 1900 krijohet një plejadë e tërë me patriotë vlonjatë që lidhen me njëri-tjetrin e punojnë për mësimin e shkollën shqipe si: Musa Cakërri, Mulla Xhaferr Drashovica, Hamit Lumi, e shumë të tjerë. Këta sillnin e shpërndanin libra shqip nga Shoqëritë Patriotiko-Kulturore të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes e Kajroa dhe ua mësonin po fshehtas bashkëqytetarëve e bashkëfshatarëve të tyre.

Cilët ishin patëriotët Armenas të 1900

Në këtë veprimtari patriotike u përfshinë edhe disa patriotë armenas si: Hasan Harizi, Hasn Sulo Skënderi, Muhamet Hasimi, Cane Durka, të cilët u burgosën në Kalanë e Beratit e më pas në atë të Janinës ku Hasan Harizi e Hasan Suloja vdiqën prapa hekurave duke u bërë martirë të shkronjave shqipe. Këta patriotë armenas u lidhën me Todi Lubonjarin, një karvanxhi korçar që banonte në Lubonjë të Armenit dhe transportonte me mushka qymyr nga dushqet e Tërbaçit për në Vllahi e Rumani dhe sillte që andej libra shqip të shoqërisë së Bukureshtit. Në një letër, Jani Vruho e përgëzon atë për përhapjen e abetareve në Armen e kudo.

Kjo punë, mori karakter më të organizuar, pas krijimit të dy klubeve patriotike “Lumi i Vlorës” dhe “Labëria”.

“Lumi i Vlorës” u krijua në vitin 1900 nga Hamit Lumi (Çela).

Në tetor 1908 u krijua klubi “Labëria” me kryetar Xhemil Bej Vlorën, sekretar Leonidha Naçin dhe arkëtar Muhamet Çobon. Kryetar Nderi i këtij klubi u zgjodh Ismail Qemali që ishte në Stamboll. Këto klube u bënë vatra të atdhetarizmit, jo vetëm për përhapjen e librave shqip e zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, por dhe në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që nëpërkëmbeshin nga nëpunësit turq. Kryesia e këtij klubi ndërhynte te kajmekami e qeveritarët lokalë për zgjidhjen e shumë problemeve që u dilnin bashkëqytetarëve të tyre.

Cili ishte Refat Ali Kasaj dhe si u bë miku më i afërt i “Familjes Vlora”!?

Refat Ali Kasaj është një patriot tjetër armenas, pjesëmarrës i ngjarjes së pavarësisë. Ai ishte mik i afërt i familjes Vlora. Ai, në vitet 1885 -1900 ishte qehaja “administrator” i familjes së Xhemil bej Vlorës dhe Syrja bej Vlorës, xhaxhallarë të Ismail Qemalit. Ky fakt është i konfirmuar edhe në kujtimet e Eqerem bej Vlorës, vëllimi 1 faqe 48. Kur flet për verimin që bënte familja Vlora në Bishan, buzë Vjosës, ai shkruan:

“Aty, në Bishan, i ndihmuar nga mësuesi im, Don Luigji; unë kisha sajuar një kasolle me trungje që u ngjante atyre të udhëtarëve të parë. Atje kisha çuar pushkën, veshjet e kalorësisë, sallën e zagarët, të cilët në të vërtetë nuk ishin të miat, por të qehajait tonë, Refat Armenit..

Roli i Familjes Vlora në shkollimin e tij.

Kjo familje fisnike e ndihmoi Refatin të mbaronte studimet e larta në Stamboll, të pajiset me dije shkencore e me një kulturë të gjerë.

Përsëri është meritë e familjes së Vlorajve që ai punoi për dhjetë vjet në administratën e lartë të perandorisë ormane, në Stamboll.

Ishte viti 1905 kur vet ai do të inicionte dhe sponsorizonte për ngritjen e shkollës së Armenit.

Refat Ali Kasaj ishte  sekretar i Ministrit të Brendshëm, e më vonë i Kryeministrit të Perandorisë, Ferit Pashë Vlorës, bir i familjes Vlora dhe kushëri i Ismail Qemalit.

Duke qenë në këtë pozicion, ai u njoh nga afër dhe u miqësua jo vetëm me Ismail Qemalin, por dhe me shumë personalitete të qeverisë dhe të parlamentit osman. Ai erdhi që nga Stambolli në javën e parë të tetorit 1908 për të përkrahur kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk për Kazanë e Vlorës dhe Beratit. Së bashku me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Durro Shaskën, Alem Mehmetin, Ibrahim Avdullahun e Todi Lubonjari bënë takime nga data dy deri në gjashtë tetor në fshatrat  Treblovë, Kocul, Armen, Karbunarë, Romës, Gorisht, Mallkeq e të tjerë. Kur ishte sekretar i Ferid Pashë Vlorës, ndikoi te kryeministri për të liruar nga burgu e amnistuar disa patriotë vlonjate të Klubit “Labëria” pas bastisjes së këtij klubi nga autoritetet lokale turke në qershor të vitit 1909.  Shumica e anëtarëve të këtij klubi u arratisën në Korfuz, Brindizi e Trieste dhe disa u fshehën fshatrave. Disa që u zunë u burgosën nga Gjykata e Janinës me nga dy deri në pesë vjet burg. Po kaq u dënuan në mungesë dhe ata që u fshehën dhe nuk u zunë.

Bastisja e banorve të Vlorës në vitin  1909

Nga relacioni i konsullit austro- hungarez Kraus, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, më katër qershor 1909, mësojmë se: “lista e banorëve të Vlorës në bastisjet e fundit është si më poshtë: Elmaz Efendi Kanina, Ibrahim Abdullahu, Duro Shaska, Ali Beqir Velça, Musa aga Sharra dhe tetë banorë nga katundet fqinjë të Vlorës. Personat në fjalë i shoqëruan për në Janinë me urdhër të Shefqet Pashës për të dalë para gjyqit ushtarak në Stamboll. U arratisën për në Korfuz, Brindisi e Triste Hasan Sharra, Shahin Haruni, Hilmi e Petref Risilia, Hamza Isai, Hajri Kreshpa, Bektash Efendi Cakrani, Hajredin Danushi, Ahmet Durmishi e Xhemil bej Vlora. Shumë prej këtyre të arratisurve u lidhën me Refat Armenin e ky, ndërhyri te kryeministri për lirimin e tyre. Këtë fakt e gjejmë në kujtimet e Leonidha Naços, sekretar i Klubit Labëria, të botuara në librin e Pr.Dr. Bardhosh Gaçes: “Lëvizja Kombëtare në Vlorë, 1878 -1912” . Ishte e natyrshme që Ferid Pasha do të ndërhynte për lirimin dhe amnistinë e tyre se ai i kishte bashkëqytetarë, miq e shok të tij dhe xhaxhanë e tij, Xhemil bej Vlora. Ai, megjithëse ishte kryeministër i perandorisë ishte shqiptar dhe zemra patjetër, do t’i rrihte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ibrahim Abdullahu që ishte një nga kryetarët e Klubit “Labëria” që ndërroheshin me rotacion, patriot i madh e bashkëpunëtor i Ismail Qemalit shkruan kështu në kujtimet e tij: Në Stamboll njoha mjaft shqiptarë që i shërbenin çështjes kombëtare si Feim Mezhgorani, Ferid Pashë Vlora, Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Shahin Kolonja, Azis Pashë Vrioni, Mehmet Pashë Tetova, etj.”

Refat Aliu mori pjesë në ngritjen e flamurit së bashku me shumë bashkëfshatarë të tij si: Osman Haxhiu, Sali Bedini, Ramadan Armeni, Muhamet Hasimi, Halil Hodo, Mahmut Mersini, Cane Durkën, e shumë të tjerë.

Refati mori pjesë e punoi në administratën e re të Vlorës të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit, në zyrat e prefekturës me prefektin Ahmet Durmish Xhafën e në zyrat e katundarisë me Ibrahim Avdullahun.

Refati mori pjesë edhe në mbledhjen e Armenit që ishte një parapërgatitje e luftës së Vlorës.Kjo mbledhje u bë në dy ditë në 23 dhe 24 shkurt të vitit 1920 në shtëpinë e Osman Haxhiut.

Avni Rustemi mbrriti në odën e Refatit!?

Por shtëpia e Refat Aliut kishte pritur miq të rëndësishëm të Shqipërisë, si Avni Rustemin, i cili bujti në shtëpinë e Refatit natën e 31 dhjetorit të vitit 1920, pas aktit të tij heroik,pêr të vizituar dhe parë nga afër të plagosurit e luftës së Vlorës.

Refati  u bë pjesë e “Kuvendit të Labërisë në Kuç” në nëntor të vitit 1924 , ku mes 312 delegatëve ishte edhe ai.

Shumë ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën më pas pasuan edhe me pjesmarrjen e Refatit.Ai mbështeti revolucionin demokratiko-borgjez.E gjejme në librin e  Zef Pepës.