Dikur mendoja se duke dhënë shumë, mund të merrja shumë mbrapsht. Mund të ndodhte që të jepja dashuri dhe të mos ma kthenin, por sërish mendoja se tregoja forcë dhe nuk tregoja egoizëm duke i dashur më fort ata persona. “Jep shumë që të marrësh shumë” ky ishte parimi kryesor i jetës sime dhe vazhdoi të ishte i tillë për një kohë të gjatë. Pastaj nisa të kuptoj se sa vetmi ndieja. Po jepja dhe nuk po merrja asgjë mbrapsht. E dija shumë mirë se në momentin që jep diçka nga vetja (shpirtërore ose materiale), nuk duhet të presësh gjë në këmbim, por ky është thjesht një parim teorik. Askush nuk e praktikon këtë gjë, sepse të gjithë ne kërkojmë të marrim sadopak të njëjtën gjë që japim. Nëse japim dashuri, kërkojmë dashuri mbrapsht.
Unë kisha dhënë shumë ndjenja. Kisha harruar veten duke u përpjekur të kënaqja të tjerët dhe nuk kisha marrë asgjë prej tyre. Ata po më përdornin dhe nuk po e kuptoja. Këtë mungesë dashurie nga ata, as që e kisha vënë re deri në atë moment. Mendoja se thjesht duhet të shtoja dashurinë time për ta, që të merrja dashuri edhe prej tyre, por kjo gjë nuk funksionoi. Nuk funksionoi sepse ata po e merrnin si të mirëqenë dashurinë time dhe po e përdornin sipas dëshirës së tyre dhe unë, në mungesë të dashurisë për veten time, nuk e kuptoja se çfarë po bënin me mua.
Derisa erdhi momenti kur i dhashë fund diçkaje të tillë. Unë nuk doja të tregoja aspak egoizëm, por kisha nevojë të ndieja se më donin. Kisha nevojë për të njëjtën përkujdesje që u ofroja të tjerëve. Ndërkohë nuk i kisha marrë këto gjëra. Ndaj, ky ishte momenti kur duhet të ndryshoja. Nuk ia vlente të humbja kohë me njerëz që më përdornin. Nuk ia vlente të sakrifikoja lumturinë time për lumturinë e tyre.
Fillova të largohesha nga njerëz të tillë dhe t’i përkushtohesha vetes sime. Arrita të kuptoj se marrëdhëniet toksike janë humbje kohe dhe shkatërrim për veten. Ato nuk sjellin asnjë përfitim, përveç humbjeve të mëdha. Njerëz të tillë duhet t’i lësh të largohen dhe nëse nuk duan të largohen, duhet të ikësh ti prej tyre. Duhet ta bësh këtë gjë, nëse e do mjaftueshëm veten tënde.
Nga momenti që unë mësova të doja veten,kuptova se sa shumë virtyte dhe bukuri kisha tek vetja që nuk i kisha vënë re më parë. Kuptova se bukuria e vërtetë qëndronte tek shpirti dhe jo tek paraqitja. Kuptova se bukuria qëndronte tek mendja dhe jo tek trupi. Kuptova se vetëm duke dashur mjaftueshëm veten, mund të thuash se i do të tjerët…