Neritan Ceka: Rama më çonte SMS dhe më thoshte që kam rrjedhur...

Neritan Ceka: Rama më çonte SMS dhe më thoshte që kam rrjedhur nga mendja, po bëhet si Napoleoni dhe Enveri

510
0

Arkeologu dhe politikani Neritan Ceka, i cili u vu në qendër të ciklonit mediatik pas deklaratës së tij mallkuese për shqiptarët, ka reaguar sërish. Në një intervistë të dhënë për gazeta “Mapo”, Ceka është shprehur se në jo pak raste kryeministri Edi Rama, sugjerimeve të tij për përmirësime në kulturë dhe trashgimi kulturore, i është përgjigjur me tallje.

 

“Kam komunikuar me kryeministrin, i cili çdo gjë që ia thua me të mirë ta merr për keq. Shembull konkret ishte kur Mirela Kumbaro doli me bujë për restaurimin e Muzeut Kombëtar e tha që në Shqipëri s’ka specialistë, do ia japim një firmë të huaj, por kur i shkruajta kryeministrit që i ke këtu specialistët, ajo tha po do ia japim një firme shqiptare.

 

Po kur i thashë që kjo punë zonjë është bërë një herë dhe është paguar nga BE-ja në 2011 më shumë se 1 milionë dollarë dhe ajo bëri sikur nuk dëgjoi dhe e hodhi në tender me këto metastazat e bashkisë. Kur komunikova prapë me kryeministrin më thoshte që je “i rënduar”, pra që ke rrjedhur me pak fjalë në mënyrën e tij artistike.”-ka treguar Ceka.

 

Pjesë nga intervista e Neritan Cekës:

 

Zoti Ceka, para zgjedhjeve të 30 qershorit ju u përfshitë në replika me kyeministrin Rama.

 

Jemi shumë larg nga të gjitha pikëpamjet për të bërë debat. Nuk bëj debat me kryeministrin e një vendi, ku 2 milionë kanë ikur dhe ata që kanë mbetur duan të ikin. Me një “kryetar bashkie” të falimentuar sepse është një bashki e falimentur e gjithë Shqipëria e drejtuar nga Rama.

 

E vetmja çështje që pata nuk ishte politike, por qytetare. Jam një njeri që kam kontribuar për votën e lirë dhe nuk do të pranoja në asnjë mënyrë që të bëhen zgjedhje, ku vota e lirë nuk manifestohet.

 

Në një vend ku bëhen zgjedhje me një parti të vetme dhe luhet komedia e demokracisë ky është një vend për të qarë hallin.

 

Ka dy pikëpamje për demokracinë sot; ajo anglosaksone ku çdo gjë që është demokratike është ligjore dhe çdo gjë që është ligjore është demokratike dhe pikpamja latine, franceze, sipas saj baza e demokracisë është arsyeja. Ajo që është e arsyeshme është demokratike dhe ajo që është demokratike është e arsyeshme. Pastaj vjen ligji.

 

 

codeit al

Sot jemi në një absurditet. Ne kemi një parlament që është ligjor, por nuk është i arsyeshëm sepse ata nuk përfaqësojnë elektoratin, raportet e elektoratet. Nuk është e arsyeshme as vota qesharake e 30 qershorit, ku votojnë 20 për qind, nga të cilët gjysmat votojnë kundër.

 

Pra është legjitim, por legjitim ishte dhe në kohën e fashizmit në Shqipëri, por nuk janë demokratik.

 

Ne u ngritëm kundër komunizmit, jo se ishte i pabazuar në ligj, po nuk ishte i arsyeshëm.

 

Ky është diskutimi që mund të kem me zotin Rama, i cili është kudo i paarsyeshëm. E kam konsideruar “un uomo in cerca di guai”, siç thonë italianët, një njeri në kërkim të belave ditë për ditë, nga teatri, te rruga, etj..

 

Unë mendoj se sistemi që ka ngritur, duke qenë një nga liderët shpirtërorë të dhjetorit ’90, se ai nuk ishte anëtar i Partisë Demokratike, por roli i tij nuk duhet mohuar,- ai tani ka bërë me dashje apo pa dashje restaurimin e asaj që u përmbys. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, ka ndodhë me Napoleon Bonapartin, që ishte toger i revolucionit dhe u bë perandor. Edhe Enver Hoxha ishte përfaqësues i një brezi iluministësh të rinj të asaj periudhe, si Qemal Stafa, etj, por u kthye në diktator. Nuk e di a do të përfundonin të gjithë diktatorë, por sistemi do t’i kthente në xhelatë.

 

Edhe Rama nuk është gjë tjetër veçse një restaurator i regjimit që u përmbys. Por, ky është një restaurim me tender. Ky ka bërë një kombinim të sistemit komunist me atë otoman. Ka kthyer gjithë djemtë, vajzat dhe nipërit e mbesat e byrosë politike dhe komitetit qendror e sekretarëve të partisë. Ky është establishmenti politik që ka sjellë Rama. Dhe e dyta, spahitë. Secili ka marrë nga një copë, njëri merr rrugët, tjetri transportin, tjetri misrin, tjetri specin djegës e me radhë, janë qindra spahi që varen direkt nga Rama.

 

Kjo ndodh dhe me monumentet e kulturës. Atë karagjozllëkun e restaurimit të memorialit të Skëndërbeut e ka bërë vetë Rama. Ajo karakatinë që qëndron mbi Katedralen e Shën Kollit, ku është varrosur Skënderbeu, duhej të hiqej se është e kohës së komunizmit. E restauruan, e bënë me drita. Kur komunikova me Ramën, ai tha është gustoja ime dhe guston time nuk e diskutoj. Kjo është gusto nostalgjike.

 

Edhe një mandat po t’i japim këtij njeriu, do të vishemi të gjithë me poture dhe me bluza me karikatura. Pra, është njeriu që guston e tij të mërzitshme, si fjalimet e tij, do t’ua imponojë të gjithëve.