Mendësia Tabu e Fisit/ Nga Emil Asdurian

Mendësia Tabu e Fisit/ Nga Emil Asdurian

396
0

… ajo pak trahana Lunxhërie që ma kish gatuar im më, më ngeci në fyt. Djathi i bardhë dhe cigaridhet u kthyhen n’eshkë dhe e gjitha për një çast u bë e thatë, e hidhur me erë lagështie. Gjëmë, nga ato të heshturat, të shkruara si lajm kobzi në një copë letër që fjalët mbi të vetëm sa hapin portat e një lumi dhimbjeje me mendime që përleshen si t’ishin hije në Limb, në hyrje të Ferrit, ku një palë, rrethuar me miza e grerëza, ndiqnin një banderolë pa dëshirë, bindje dhe vendosmëri pa ditur ç’kërkojnë në zemërim dëshpërimi. Ah, pala tjetër, plot zhurmë si turmë rekrutësh të rinj, janë ata që presin t’u shpallet dënimi për veten,* përpiqen të gjejnë çdo të keqe, baltë të hedhin mbi këdo, dhe ndaj atyre që nuk i njohën dhe për rrjedhojë kurrë nuk u kishin bërë keq. Por dhe nëse përse do të duhej! Danteske!

 

“për një vepër me ndikim, që me zgjuarsinë e gjuhës së tij ka hulumtuar në kufijtë dhe të veçantën e përvojës njerëzore.”**

 

Dhimbja vinte diku nga thellë qenies sime aty ku uni përzihet me atë të tufës, grupit, fisit, imi, jo aq i madh dhe i degëzuar, numërohen me gishta, e cila është gjithësesi e lidhur me mijra fije jete me gjithçka të ndërtuar deri më tani. Dhe në finishin e garës, ajo më çjerrësja, humbja, q’e pamëshirshme të përplaset në fytyrë. Me kujtohen ngjarje shkruar në librat e tij dhe pa dyshim si një gjimnazist endërrimtar midis Bulgarisë, Rumanisë, Serbisë dhe ndonjë tjetre aty rrotull, gjithmonë fitimtar doemos dilte i yni. Ai që mbi të gjitha, shkroi dhe rishkroi për historinë e popullit të tij, për atë vetë. Po, m’i pari Homer, dhe ai, shkroi dhe rishkroi historinë e popullit të tij, për vetë atë. E kish bërë edhe këtë bardi ynë, por kush e dëgjonte dhe cilët tani. Ka kaq kohë që vit pas viti është në listë, sa në të gjatën dhe në të shkurtën, por diç ndodh në çastin e fundit. Përse duhet t’i bindemi një vendimi të tillë, kur të mendosh se po të kish ndodhur e kundërta, kushedi se ku do t’ishte Shqipëria! Kjo do ishte çdo ishte, m’e madhërishme se në kohën e Skënderbeut, se në atë të Nene Terezës. Europa do na ulej në gjunjë e përlotur, si dikur kur Zeusi ynë Dodonas, u kalërua prej saj. Thonë që qante e klithte nga kënaqësia bija e paturp fenikase. Shpesh, dhe po ta mendosh hollë hollë, duket si nëmë perëndish, si e atyre q’i dënuan për blasfemi apo mospërfillje ndaj Tyre. Sizifi e Uliksi janë disa nga ata që atë që deshën s’e arritën ta prekin se iu ikte. Ç’zgjuarsi më shumë kërkojnë, në ç’formë, gjuhe apo në ç’tjetër tematikë, ku s’ka ku të vejë m’e larmishme, epike dhe lirike? Apo gamën e gjërë të ndikimit që nga filmi, në dramë apo balet? Për fisin tim kjo është, qe dhe duhet të jetë e dyshimtë, armiqësore pëderisa nuk na jep të drejtë, s’është e drejtë. Pa ç’ka se arti nuk fitohet me tifozllik kombëtar. Dhe askush s’e dinte ç’kish broçkollisur më parë ai q’e fitoi, se thjeshtë nuk ka kohë të lexohen libra.

 

“për një vepër me ndikim, që me zgjuarsinë e gjuhës së tij ka hulumtuar në kufijtë dhe të veçantën e përvojës njerëzore.”*

 

Evrope e përdalë, kurve, (në sërbo-sllavisht), ka qenë me ne, ndaj jo më kot e quajti kështu Fishta ynë i madh, edhe pse si ai dhe Ezra Pound çoku kishin aty ketu ndonje të përgërë politike, q’i ndiqte nga pas edhe pas vdekjes. Ka të shkruara dhe për këtë, por dikur në kohë të tjera. Kështu, qysh në fillim jemi të humbur, kushdo që do të krahësohet me ne për popullaritet, duke qenë kaq të pakët në numër s’na e ka frikën asnjë nga këta barbarë edhe pse akejtë më të parët dhe pastaj arbërorët njiheshin kordhëtarë ndër të gjitha mbretëritë. Dhe pastaj, s’di pse të vjen ndërmend papritur Pasternaku, ai që la në baltë shokun e tij poet, (ku e ku larg nga Akili dhe Patrokli ynë, besnikë dhe të dashuruar), që gojët e liga thonë se e “fitoi” Nobelin për arsye politike, per të shkaktuar përçarje ideologjike në Bashkimin Sovjetëve. Atij, të cilit, Ne, i dhamë dërmën në Pashaliman, të shpëtonim Evropën nga kërcënimi i vazhdueshëm i luftes. Por kush ta di! Vuajtëm o Zot, t’i tregonim kësaj shtrige plakë, se për këtë e të gjitha si këto, që veç të tjerave i yni ishte dhe eshte më disident se shumë të tjerë, aq më tepër që vazhdon të jetë ndergjegjja jonë. Dhe jo vetëm se e kemi gjak. S’e kuptoj ç’kanë me ne këta të Habsburgëve, ata q’e krijuani Jugosllavinë, ata që ndezën për të një luftë të përgjakshme botërore, si duket perandoria e tyre është ende gjallë. Në të fundit me turqit apo pa turqit gjithmonë haptazi ose fshehurazi kemi qenë aleatë të tyre. Atëherë s’duhet të jetë as kjo arsyeja e pëzgjedhjes së përçudnuar.

 

A ndoshta, herë herë, midis të zakonshmes dhe përjashtimeve, që mbajnë njera tjetrën ka dhe të vërteta. Se në këtë epokë, globalizimi, ku njerëzia lexojnë shumë media dhe fare pak art dhe letërsi të vërtetë, këta finokë tregetare baruti mendimtare, kanë dashur jo vetëm të tërheqin vëmendjen ndaj tij, se është pikërisht tani që arti duhet të vleresohet vetëm për ç’është. Si veprimtari që nxit pyetje të pa ngritura më parë, të sfidojë dhe sprovojë ndjesi të reja dhe shtigje të pashkelura mendimi. Të jetë si e Vërteta, i pacënuar nga komb, grup a fis, i lirë dhe jo si diçka e bashkangjitur një tjetre, jo si një hibrid i suksesshëm, por ç’është në thelb dhe tërësi në vetvete.

 

“për një vepër me ndikim, që me zgjuarsinë e gjuhës së tij ka hulumtuar në kufijtë dhe të veçantën e përvojës njerëzore.”*

 

EA 10/11/2019 all the rights and copyrights are protected!

——————————————-

* Dante’s Deadly Sins, Moral Philosophy in Hell

Raymond Angelo Belliotti, © 2011 John Wiley & Sons Inc., ISBN 978-0-470-67105-4

** https://www.nobelprize.org/prizes/literature/2019/summary/