Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka deklaruar dje se në fillim të vitit të ardhshëm, kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë të hapura. Në Forumin Ekonomik të Diasporës Shqiptare të zhvilluar në Kosovë, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, tha se Shqipëria dhe Kosova do të firmosin dy marrëveshje për diasporën në mbledhjen e përbashkët, që pritet të zhvillohet sot në kuadër të festave të nëntorit. Majko tha se më 1 janar 2018, në vitin e Skënderbeut duhet të hapen edhe kufijtë mes dy vendeve. “Emergjencën e një marrëdhënie të re me diasporën shqiptare, e cila është shumë herë më e fuqishme në aftësi dhe kapitale. Shqipëria dhe Kosova në takimin e përbashkët midis dy qeverive edhe me rastin e ditës së flamurit do të firmosin për marrëdhënien me diasporën dy marrëveshje të rëndësishme bilaterale. Të dyja shtetet po shikojnë mundësinë për t’i bashkangjitur ambasadave një rrjet të konsoliduarish të përfaqësuesve të diasporës për të ndihmuar në promovimin e imazhit të vendit dhe interesave ekonomike të tyre. Një rrjet qendrash kulturore të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës do të ngrihen si qendra të shqiptarisë në perëndim. Kalimi nga modeli i reminitancave në modelin e kontributit direkt në formën e investimit është prioritet dhe detyrim për shkak edhe të ndryshimeve në fluksin e reminitancave dhe zhvillimeve të rëndësishme në vendet ku bashkatdhetarët jetojnë në një numër më të madh… Në 1 janar 2018 vitit të Skënderbeut të hapim kufijtë”, -tha Majko. Pas deklaratës së ministrit të Shtetit për Diasporën ka reaguar menjëherë Serbia. Sipas mediave serbe kjo deklaratë vlerësohet si provokim ndaj shtetit serb. Gazeta serbe Blic, shkruan se Majko në këtë forum foli në emër të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Aty theksohet se në takim kanë marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti, Hashim Thaçi. Majko, që në kohën e eksodit të madh gjatë luftës në Kosovë, ishte kryeministër i Shqipërisë, tha se në atë kohë kur Shqipëria hapi kufirin për shqiptarët e Kosovës, askush nuk kërkoi pasaporta dhe s’ka përse të kërkohen pasaporta as tani.