Ky banor i Rahovecit ka 37 vjet pa gjumë

Ky banor i Rahovecit ka 37 vjet pa gjumë

704
0
auto-d11475867210_1475874866-9716855Eshref Berisha nga Komuna e Rahovecit ka plot 37 vite që nuk fle fare dhe kështu gjumin e konsideron ëndërr të parealizueshme.
Secili njeri ka ëndrra të ndryshme, disa duan të bëhen të pasur, disa duan të arrijnë në karrierë, ndërsa disa duan vetëm të jenë të lumtur. Mirëpo, është interesant fakti kur ëndrra e vetme e një njeriu është të fus sadopak gjumë në sy.

Eshref Berisha, banor i Komunës së Rahovecit, fshati Kramovik ka një ëndërr që ndonjë njeriu tjetër do t’i dukej e çuditshme. Berisha vetëm dëshiron të flejë sikur njerëzit normal, t’i bëj 8 orë gjumë dhe të mos shoh ëndrra fare.

Ëndrrat ndonjëherë janë të parealizueshme dhe iluzionare, e tillë është edhe ëndrra e tij.

Eshref Berisha ka plot 37 vite që nuk fle fare dhe kështu gjumin e konsideron ëndërr të parealizueshme.

Ai duket sikur gjithë njerëzit normal! Po ta shikosh ke përshtypjen se ai ka fjetur e pushuar mjaftueshëm dhe ka energji për jetë. Nëse vështrohet, në fytyrën e tij nuk ka shenja lodhjeje, as sytë  nuk i ka të skuqur, nuk ka rrathë të zinj poshtë syve edhe pse ka thuajse gjithë jetën që nuk bën gjumë.

Narkoza e tepruar gjatë operacionit e la pa gjumë për gjithë jetën.

Eshref Berisha i lindur më 11 gusht 1963, sikur çdo njëri tjetër ka bërë gjumë të mjaftueshëm dhe ndonjë herë edhe më shumë gjumë se sa duhet, mirëpo krejt kjo deri në moshën 16 vjeçare. Në këtë moshë ai është bërë operacion nga veshkat dhe jeta e tij ka pësuar një ndryshim të madh.

Ai ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën Bota Sot gjithë ngjarjen, se sa ka kohë që nuk ka fjetur dhe gjithë historinë.

“Unë kam bërë një gjumë rëndë shumë deri në moshën  16 vjeçare e atëherë kam pësuar një ndryshim të madh të gjumit, pasi jam bërë operacion në veshkë dhe narkozën që ma kanë dhënë ka qenë më tepër se sa duhet. Pastaj aty kam pa një lloj ëndrre dhe prej atij moment që jam zgjuar nuk kam pasur më ndjenja që unë duhet me fjetë në gjumë, asnjëherë” tregon Berisha.

Ai tregon se ky operacion ka qenë i vështirë sepse shumica e pacientëve aty nuk kanë mundur të ecin për muaj të tërë,por, ai është zgjuar menjëherë pas tre ditësh dhe kjo gjë i ka habitur edhe doktorët të cilët kanë provuar edhe ta studiojnë rastin e tij.

Berisha pagjumësinë e tij e lidhë me këtë operacion, pasi që thotë se prej asaj dite gjumi i tij nuk është më i programuar.

“Për shembull kam fjetur një orë pastaj nuk kam fjetur më për 24 orë, pastaj ndoshta kam fjetur 1 minutë dhe nuk kam fjetur më me ditë të tëra”, rrëfehet Berisha.

Berisha ka jetuar një kohë në Gjermani, atje ka punuar dhe ka pasur edhe rast të njoftohet me një mjek për t’i treguar rastin e tij mirëpo as ai nuk ka ditur çfarë t’i thotë.

“Në  92-ën  kam punuar në Gjermani me ato makina shumë precize lëvizëse. Zhurma që bënte makina ndikonte që shumica e punëtorëve të thoshin se i bën të flenin ajo zhurmë, mirëpo te unë nuk ndikonte asgjë. Unë nuk fle as ditën as natën, nuk fle me javë nuk fle me muaj”, shprehet ai.

Mirëpo, Berisha tregon se një ditë ishte lodhur nga kjo pagjumësi, ishte lodhur që nuk bënte gjumë fare dhe dëgjoi këshillën e një të afërmi të  tij i cili i kishte thënë se nëse do të pijë një medikament për gjumë me ujë ka efekt, kurse nëse e pi atë me raki atëherë efekti është 100 herë më i lartë.

“U mërzita një ditë prej pagjumësisë, pa familje atje i vetëm në banesë larg familjes larg të gjithëve dhe kështu mu ka kujtua rasti që me marrë hap të gjumit me raki dhe kam pi dy hapa gjumit me një gotë raki”, tregon Berisha.

Interesant është pjesa që i ka ndodhur pastaj. Berisha nuk është zgjuar prej gjumit 5 ditë. Ai ndoshta nuk do të zgjohej fare nëse në banesën e tij nuk do të shkonte ta shikonte motra e pronares së banesës, pasi që e kanë kuptuar se ai nuk ka dalë në punë.

“Prej të premtes që më ka marrë gjumi e deri të martën unë nuk jam zgjua hiç e s’kam ditë asgjë. Kur m’ka dalë gjumi e kam parë motrën e shefes përmbi kokë e cila m’ka pyet a jam në rregull. Unë i kam thënë që jam në rregull pse çka ka ndodhë?. Ajo m’ka pyetur cilën ditë je unë i kam thonë është e shtunë, kur m’ka treguar që është e martë unë nuk kam besuar”

“Ata kur kanë ardhur më kanë kthjellur, s’di a më ka dhënë ndonjë gjë me pi s’di hiç ama unë kam qenë në komë”, tregon ai.

Prej asaj dite, Eshref Berisha nuk ka pirë më medikamente për gjumë, as të shoqëruara me ujë apo me raki.

Ai tregon se edhe lufta në Kosovë ka ndikuar që ai të mos flejë fare.

Ai thotë gjatë gjithë luftës, gjatë ikjes për në perëndim, ai ka qenë i lënduar mirëpo edhe gjithë kjo lodhje nuk ka ndikuar që ai të flejë fare.

“Gjatë luftës unë 4 muaj ditë nuk kam fjetur asnjë sekondë. Unë edhe kam qenë i palëvizshëm pas goditjes që më kanë bërë para-militarët, ata më kanë godit në kurriz edhe kjo ka ndikuar në gjumë. Gjatë krejt kësaj kohe unë nuk kam bo asnjë sekondë gjumë, as kur kemi ik, as kur kam shkuar në Gjermani” , rrëfen Berisha.

Ai vazhdon duke treguar edhe rastet tjera kur njerëzit tashmë filluan ta kuptonin që ai nuk bën gjumë fare.

“Kam marrë me ja riparu shtëpinë e vëllait komplet krejt vetëm. Unë sa punën e kam bërë, se krejt shtëpia komplet plus moti i keq prapë s’kam fjetur. Një shok më ka thënë në rregull shkencëtarisht është mos me flejt 7 ditë por qysh pa fjetë krejt aq gjatë”.

Berishën e kanë këshilluar të lexojë libra apo të shikojë natyrën e lumenjtë në mënyrë që njeriu të lodhet e pastaj të flejë mirëpo në rastin e tij nuk ndikon asgjë.

“Unë kur lexoj libra lodhem edhe ma shumë, por kur shoh video lumenj apo natyrën më qetëson ose kur dëgjoj muzikë p.sh. Bethovenin apo ndonjë melodi të mirë unë qetësohem” tregon ai.

Eshref Berisha ka familje, dy fëmijë të moshës madhore dhe bashkëshorten. Ai thotë se gruaja dhe familja e tij nuk e kanë problem, pasi që ata prej kur bien të flenë nuk zgjohen deri në mëngjes më.

“Unë kur ata flenë rri, mendoj, bëj plane, ndonjë poezi apo ndonjë skenar në mendjen time”

Çfarë e karakterizon tjetër Eshref Berishën?

Ai sheh ëndrra. Përkundër faktit që ai nuk fle fare ai sheh ëndrra.

“Unë rri ulur ashtu, shikimin e kam si në infinit edhe tani them e kam pa një ëndërr. Gruaja thotë qysh ëndërr, po unë e di që ishte ëndërr edhe pse nuk kam fjetur”.

Njeriu që nuk fle asnjëherë nuk e vëren as kur është i sëmur, kur ka temperaturë apo tension të lartë të gjakut.

“Nuk vrej asgjë se pagjumësia ndikon që unë mos me vrejt a jam i sëmurë. E kuptoj kur skuqem tepër në fytyrë, kur kam ethe apo edhe kur pi ndonjë pije alkoolike si raki apo venë e nuk ja ndiejë shijen”, shprehet ai.

Berisha tash është 53 vjeçar ndërsa thotë se prej kur i ka bërë 48 vjet trupi i tij ka filluar të lodhet dhe nëse nuk shtrihet për tu qetësuar atëherë nervozohet shumë dhe e humb edhe durimin. Kur humb durim që ai nervozohet dhe bërtet ndonjëherë pa kontroll.

Eshref Berisha, vazhdoi duke treguar edhe gjërat tjera interesante që i ndodhin si pasojë e pagjumësisë, gjërat që ndikojnë që ai të qetësohet p.sh. vera, po ashtu edhe paragjykimet e njerëzve se pse ai rrinë zgjuar.

Mirëpo ai kërkon vetëm një gjë, vetëm një ëndërr e dëshirë, e ajo është të flejë si njerëzit e zakonshëm.

“Kam pasur qejf gjithmonë kam qejf edhe sot, sikur dikush që ka një ëndërr të madhe me realizu, unë kam pasur qejf me fjetë ndoshta të paktën një muaj, bile 8 orë në ditë edhe mos me pa ëndrra, kjo dyja janë ëndrrat e mija me fjetë gjatë edhe mos me pa andrra” , përfundon rrëfimin e tij njeriu i cili nuk bën gjumë.