Kriza nuk njeh fund, Partizani bën bilancet pas fazës së parë, vendos...

Kriza nuk njeh fund, Partizani bën bilancet pas fazës së parë, vendos rekordin më negativ

448
0

 

9 pikë në 9 javë, vetëm një fitore, 4 barazime dhe 4 humbje, vështirë të besosh se këto shifra i përkasin Partizanit, një klub me kaq shumë traditë dhe emër. Në fund të fazës së parë është koha për të bërë bilance por shifrat e Partizanit janë më të vërtetë shqetësuese. Për herë të parë që kur u rikthyen në elitë, në sezonin 2013/14, Partizani nuk ka pasur kurrë një ecuri të tillë, shifra që tregojnë krizën totale që ka mbërthyer ekipin e kuq. Kjo është nisja më e keqe e periudhës Demi në krye të Partizanit.

Në 9 javë, të kuqtë kanë shënuar vetëm 8 gola, më pak se një gol për ndeshje, vetëm Kastrioti i vendit të fundit ka bërë me keq se ekipi i Ilir Dajës, me 7 gola të shënuar. I vetmi detaj pozitiv, nëse mund të quhet i tillë, është mbrojtja, 8 gola kanë pësuar, po aq sa edhe Tirana kryesuese, por në këtë pikë të sezon, vetëm të mbrohesh mirë nuk mjafton më. Pas fazës së parë, të kuqtë e shohin veten në vendin e 8-të, me 9 pikë, në zonën “play-off”.

Të falësh për titull apo për evropë për momentin duket jashtë realitet. Atmosfera sa vjen e bëhet më mbytëse, tani edhe tifozët kanë nisur të revoltohen me stafin drejtues, me trajnerin, është një situatë të cilën nuk e pranojnë lehtë, për këtë arsye kërkohet një ndryshim i fortë dhe i shpejtë për të mos e bërë këtë krizë të pakthyeshme.