“Kristina” votoi për fshatin…”Rilindja” i merr burrin, fjalimi që përloti ambasadorët

“Kristina” votoi për fshatin…”Rilindja” i merr burrin, fjalimi që përloti ambasadorët

2528
0

Gerta Loku-Doktore e Shkencave Politike- Universiteti i La Sapienza, Itali. Mesazh-protestë, fshati është harruar… !  “Kur shkova në Itali ideja ishte që të vij këtu dhe të merrem me kafshën politike, por fati dhe provinca më krijoi mundësitë që të merrem me kafshën zoologjike. Unë kam shumë emocione sot, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë. Por unë do të iki prapë atje në provincën time… Le të vishemi bukur sa të duam, të prodhojmë këpucë, biçikleta, avionë, industri, makina sa të duam ne, por pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Pa na zhvilluar ne, ju nuk mund të zhvilloheni kurrë…! Kam ardhur këtu të sjell dhe Kristinën, ajo është një bashkëfshatare e imja. Besoj se gjithsecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e kanë nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nga dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve të mëdha në qendrat urbane. Sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit, e ulet shumë pas tij. Oh, ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathën e bagëtive, ngrihet dhe çon fëmijët në shkollë, ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë dhe i duhet të çojë në këmbë. Shet qumështin me shishet e “Coca-cola-s” të  lara me kujdes, sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokërra vezë, 3-4 kilogramë rrush, domate jeshile, ato që kanë mbetur nga kopshti i mbjellë me lakra të zeza dhe presh që ti ketë si rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina e ulur në rrugë. Po ta pyesni se çfarë do ajo më shumë nga shteti, ajo me shumë modesti do të të thotë: Unë dua më shumë ujë dhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina, nuk kërkon asnjë gjë tjetër shtetit të saj, përveçse ujë dhe rrugë. Dhe unë do t’i shtoja kërkesës së Kristinës: Ujë, rrugë, shkolla…ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase. Ujë, rrugë, shkolla e qendra shëndetësore e miq e shokë. E nëse ju e pyesni përsëri Kristinën: Kristinë për kë do të votoje? Ajo do të thotë: Unë votoj për atë që me sjell rrugën. Por Kristina e shkretë, që kur ishte bijë në derën e babës siç i themi ne në anët tona,  e deri sot që është grua, ajo votoi e rivotioi ata që rrugën nuk ia sollën kurrë. Kjo është Krsitrina ime, kjo është fshatarja ime ! E nëse do të pyesni ju,  se ku është burri i Kristinës, ai ka punuar ca kohë në kantieret e Rilindjes Urbane… Por presim që fshati të rilindë, atë presim ne…”