Nga Halil RAMA/ “Mjeshtër i Madh”
Qëndrimet e mirëpritura nga opinion publik, profili i lartë intelektual, dimensioni njerëzor, profesionalizmi i spikatur dhe përkushtimi i zotit Celibashi, sidhe përvoja e tij e mëparshme në drejtimin e këtij institucioni, janë garanci për besueshmërinë e palëve tek KQZ-ja, përsa i përket menaxhimit me transparencë të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, produkt i marrëveshjes pozitë-opozitë të 5 qershorit, tre muaj para ballafaqimit elektoral të 25 prillit, nga ku pritet të dalë legjislativi i ri shqiptar, duket të jetë në start të mbarë. Kjo, si rezultat i qëndrimit konsekuent në zbatim të ligjit dhe vënies në funksion të kapaciteteve të nevoshme për të garantuar një proces zgjedhor transparent dhe të gjithëpranuar nga palët.
Nisur nga problematikat e evidentuara, meriton të vlerësohet qëndrimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, për të cilin sfidat kryesore vijojnë të jenë dy detyrat e reja që politika i la në Kodin Zgjedhor: vota e emigrantëve dhe identifikimi biometrik.
Janë dy elementë kryesorë, me të cilët KQZ, palët konkuruese dhe në përgjithësi zgjedhësit shqiptarë ballafaqohen për herë të parë në historinë e zgjedhjeve të tri dekadave të fundit.
Për sa i përket votës së emigrantëve, pavarësisht, përplasjeve në qëndrime, KQZ duket se kërkon ende kohë për vënien në zbatim të votës së emigrantëve pasi ende nuk ka përcaktuar formulën se si do të kryhet ky proces. Ndërkohë që KQZ hartoi në kohë draftin, i cili i hap rrugë procesit të rregjistrimit të votuesve me banim të përhershëm jashtë territorit të RSH-së në listën e atyre që dëshirojnë të votojnë atje ku ata banojnë, Komisioneri Shtetëror ka bërë të qartë se votimi i emigrantëve nuk do të realizohet nëse nuk ka dakordësi mes partive politike. Sipas Celibashtit, duhet konsensus për të siguruar votën e emigrantëve dhe nëse nuk bien palët dakord KQZ nuk do të zbatohet projekti.
Parë nga ky këndvështrim, është i dyshimtë 24 shkurti si afati i fundit për regjistrimin e emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit.
Referuar ligjit, numri një i institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve ka bërë të qartë se emigrantët, nuk mund të votojnë nëse nuk janë me vendbanim jashtë territorit dhe duhet të shprehin dëshirën. Nën këtë optikë kreu i KQZ ka kundërshtuar edhe pretendimet për të aplikuar modelin e Kosovës në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij, ky nuk është modeli i duhur për zgjedhjet shqiptare, pasi edhe në Kosovë ka pasur kundërshti dhe problematika, në veçanti për sa i përket sigurisë.
Celibashi ka argumentuar bindshëm edhe sfidën e dytë të KQZ-së, atë të identifikimit biometrik në të gjithë territorin e vendit si edhe dy projektet pilot për votimin dhe numërimin elektronik, sfidë e cila përsa i përket kostos financiarëe mund të konsiderohet disi e kripur për financat shqiptare. Gjithsesi, për komisionerin shtetëror nuk janë problem paratë në lidhje me implementimin e këtyre projekteve. Kjo për faktin se 27 milionë euro që kushton identifikimi biometrik dhe dy projektet pilotë, si edhe rreth 10 milionë euro të tjera për administrimin e procesit, Celibashi i konsideron si problemin e fundit, ndërsa insiston në dakortësinë e palëve (pozitë-opozitë) për mekanizmin që do të përdoret.
Të mirëargumentuara janë qëndimet konsekuente të KQZ-së edhe përsa i përket problematikës së verifikimit të kandidatëve në kuadër të dekriminalizimit, trashëguar që nga vitit 2017. Në një linjtë me kancelaritë diplomatike perëndimore dhe sidomos me atë të ambasadores së SHBA në vendin tonë Yuri Kim, Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet ka përsëritur apelin për krerët e partive dhe individët e inkriminuar që kërkojnë karrierë në politikë që të mos i hyjnë kësaj rruge.
Këto qëndrime të mirëpritura nga opinion publik, profili i lartë intelektual, dimensioni njerëzor, profesionalizmi i spikatur dhe përkushtimi i zotit Celibashi, sidhe përvoja e tij e mëparshme në drejtimin e këtij institucioni, janë garanci për besueshmërinë e palëve tek KQZ-ja, përsa i përket menaxhimit me transparencë të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Në start të mbarë është edhe puna për krijimin e infstratrukturës ligjore zgjedhore si garanci e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 25 Prillit.
Ndoshta, këto janë zgjedhjet e para kur KQZ arriti të konstituojë KZAZ-të në afatin e përcaktuar nga Ligji, mbështetur në propozimet e partive politike që gëzojnë të drejtën për të patur anëtarë në këto komisione.
Në limitet kohore është edhe procesi i caktimit të venendodhjes së qendrave të votimit, detyrim ligjor ky i njësive të qeverisjes vendore, sipas neneve 62 dhe 93 të Kodit të ri Zgjedhor. Për këtë qëllim madhor, KQZ ka hartuar dhe u ka dërguar të gjitha Bashkive Udhëzimin Nr.1 datë 05 Dhjetor 2020 që përcakton kriteret ligjore për caktimin dhe ngritjen e qendrave të votimit si dhe për njoftimin e vendndodhjes së tyre. Bazuar në këto kritere, sipas ekstraktit të përbërërsve zgjedhorë të datës 5 janar 2021, të Drejtorisë së Pargjithshme të Gjendjes Civile, në 24 Njësitë Administrative dhe 3 Lagjet e Bashkisë Tiranë do të ketë 925 Qendra Votimi (878 Qendra Votimi në objekte publike; 53 Qendra Votimi në Objekte Private dhe 4 Qendra Votimi në Objekte të Posaçme) ndërsa numri i zgjedhësve në Bashkinë e Tiranës është 679.511. (nga këto 18.342 janë zgjedhës me Paaftësi të Kufizuar).
Nëse Kodi i ri zgjedhor përcakton si priopritet ngritjen e Qendrave të Votimit në institucione arsimore, kulturore dhe shëndetësore, ngaqë disa prej këtyre institucioneve janë në proces rindërtimi pas dëmtimeve që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, bashkisë së Tiranës, si dhe të Durrësit, Shijakut, Vorës e Kurbimit do t’iu duhet krijimi i një numri të konsiderueshëm të qendrave të votimit në objekte private, ku në këtë rast kërkohet zbatimi me korrektësi i pikës 3 të nenit 93 të Kodit të ri Zgjedhor që përcakton se: “KQZ-ja mund të caktojë qendra votimi në ndërtesa private kur nuk ka mundësi objektive për të përdorur një ndërtesë publike në zonën e qendrës së votimit ose në një zonë qendre votimi fqinje. Propozimi për caktimin e tyre paraqitet me dy objekte alternative, planimetrinë përkatëse ose fotografi të ambientit, një përshkrim për lehtësitë që ofron objekti për zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë nen. Bëjnë përjashtim rastet kur nuk është e mundur gjetja e një objekti alternativ”. Në zbatim të këtyre kritereve të detyruara ligjore, Bashkia e Tiranës ka ngritur grupin e koordinatorëve zgjedhorë (juristë/urbanistë) të 24 Njësive Administrative dhe Tri Lagjeve, të cilët janë trajnuar edhe nga KQZ-ja, falë bashkëpunimit të ngushtë dhe mjaftë efektiv me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve z.Ilirjan Celibashi, Sekretarin e Përgjithshëm Ylli Merkaj dhe Drejtoren e Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore, Trajnimit dhe Edukimit të Zgjedhësve Znj.Ana Tenolli.
Ndonëse formale në dukje, infrastruktura zgjedhore duhet konsideruar si domosdoshmëri për të garantuar elementët e sigurisë së Qendrave të Votimit, për të cilat KQZ ka paralajmëruar inspetime në bazë zonash të administrimit zgjedhor.
Menaxhmenti i zgjedhjeve ka të bëjë kryekëput me infrastrukturën administrative që kërkohet për të mbështetur procesin demokratik të zgjedhjeve. Zgjedhjet e suksesshme nuk ndodhin pa përgatitje dhe planifikim. Ato janë ngjarje të mëdha dhe të kushtueshme, të cilat rezultojnë me përfundimin e një sërë punësh të mëdha dhe të vogla, ku përfshihen një numër i madh i njerëzve, e ku të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në procesin zgjedhor dhe të japin llogari për veprimet e veta në bazë të ligjit.