Amanetin nuk e tret as dheu dhe kështu ka ndodhur dhe me amanetin e deputetit Gjovalin Kadeli për familjen e tij.
“Mos ndryshoni datën e dasmës, edhe nëse unë nuk do të jem!”, ka qenë ky amaneti që deputeti i ndjerë Gjovalin Kadeli ka lënë për djalin e tij të madh, Admirin, i cili kishte vendosur të kurorëzonte në martesë dashurinë e tij me Orjelën.
Të shtunën ata u lidhën në martesë në një ceremoni të mbajtur në Lezhë që mblodhi miq, të afërm, e politikanë, kolegë të babait të tij, ish deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kadeli, ndërroi jetë më 26 maj të këtij viti në një spital në Itali pasi vuante nga pankreasi akut.
Kur sëmundja nisi të shfaqej në fazat e fundit, ai i la amanet të birit të mos shtyjë dasmën. Presidenti Ilir Meta, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ministra të LSI-së, e kolegë të tjerë të ish-deputetit të ndjerë, ju bashkuan familjes Kadeli në këtë gëzim.
“Se jeta ka dhe gezime! Me trashegime Admir e Orjela, jete te lumtur dhe bekimet e Zotit te keni!Me siguri Gjovja sheh nga lart e po ju bekon me buzeqeshjen e tij, ashtu si vetem ai qeshte e po gezon bashke me ne kurorezimin tuaj!
U be sic ti Gjove deshe, nje dasem ku te mblidheshim te gjithe bashke femijet e tu, nena jote, familjaret, te dashurit e gjithe miqte e tu, te gezonim! Na mungon te gjitheve miku im i zemres! Urime nga zemra e jete te gjate bashke Admir & Orjela!“, shkruan ministri i Mjedisit Lefter Koka në një postim në rrjetin social Facebook, ku ka shpërndarë edhe fragmente nga ceremonia martesore.