Një jetë e tërë kushtuar muzikës, duke kënduar që në moshën 10 vjeçare në koncerte për fëmijë, dhe në moshën 14 vjeçare në një koncert recital në Televizionin Publik Shqiptar. Muzika është pjesë e pandarë e jetës së saj, e cila e motivon, i jep energji dhe kënaqësi që përcjell emocione tek publiku që gjithmonë e duartroket dhe e mbështet. Kjo është këngëtarja Dhurata Aliaj, që është bërë pjesë e pandarë e skenës shqiptare me muzikë popullore të trevave të veriut të Shqipërisë. I këndon patriotizmit, traditës, dashurisë, mallit të njerëzve. Zëri i saj na bën të ndiejmë në shpirt tingujt dhe melodinë e këngës popullore duke depërtuar thellë në ndjenjën e gjithsecilit. Ajo e gjen veten tek zhanri popullor, repertori i saj është i mbushur me një larmi këngësh, tingujsh dhe interpretimesh të shumta, ku shumë këngë janë kthyer në hite në mbarë shqiptarizmin që e do muzikën e pastër shqiptare. Muzika ku identifikohet më shumë është ajo popullore e Shqipërisë së Veriut. Kërkesa e madhe për muzikën popullore ka bërë që këngëtarja Dhurata Aliaj, të jetë e kërkuar për koncerte dhe evenimente të ndryshme. Për festat tradicionale dhe ato kombëtare, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe për ato të Kosovës, ajo është ftuar në Miçigan në një koncert të organizuar nga z.Hysen Elmazaj, presidenti i kompanisë “Albanian Entertainment LLC” i cili organizon koncerte për shqiptarët në SHBA.
Në cilin zhaner muzikor e gjen më mirë veten Dhurata Aliaj?
Zhanri im muzikor është ai popullor, i ndërthurur me folklor. Të gjitha këngët e mia, tekstet, melodia i kanë rrënjët dhe bazën në muzën popullore dhe në atë folkloroike.
Ju jeni nje ndër artistet më të dashura të muzikës popullore moderne të veriut. Cili është çelësi i suksesit të këngëve të tua?
Çelësi i suksesit është interpretimi me pasion i këngëve të dashura nga publiku dhe përcjellja e emocioneve te artëdashësit e mi në festa, evente e gëzime familjare. Gjithashtu përkushtimi im ndaj profesionit, duke bërë që publiku të identifikohet me këngët e mia. Kjo përsa i përket anës sime, por çelësi i vërtetë janë ata, publiku i mrekullueshëm që më ndjek dhe më përkrah, dhe që sëbashku ndajmë emocionet e këngës dhe të atmosferës.
Keni një karrierë të gjatë muzikore, ku numërohen disa projekte të publikuara me videoklipe ndër vite. Kush është tematika e këngëve të tua?
Karriera ime tashmë në profesionin muzikor nisi në moshën 10 vjeçare në aktivitetet kulturore të fëmijëve. Më vonë në moshën 14 vjeçare paraqitemi në një recital për Televizionin Publik Shqiptar me grupin artistik “Gurra e Kurbinit ” Aty ishte kënga ime e parë në duet me vëllain që titullohet “Gjallë a vdek nusen t’ma bini”. Duke vazhdumuar pastaj me këngë të njëpasnjëshme ” Shqip ka hije fjala”. Të gjitha këngët e mia kanë tematika të ndryshme, duke filluar nga këngët patriotike, ato të dasmave dhe gëzimeve familjare, deri tek baladat.
Çfarë është muzika, kënga për ju? Nëse nuk do te ishit këngëtare, çfarë profesioni do kishit tjetër?
Muzika është pjesë e pandarë e jetës time e cila më motivon, më jep energji dhe më lumturon me emocionet që përcjell tek të tjerët. Profesioni tjetër i imi, mund të ishte mësuese, pasi kam studiur për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. profesion të cilin e kam ushtruar për disa vite me radhë, dhe që do kisha dashur të isha një pedagoge po të mos isha këngëtare.
Si e nis ditën Dhurata Aliaj?
Dita ime kur jam në shtëpi fillon duke u kujdesur në mënyrën më perfekte për fëmijët dhe bashkëshortin, pasi shumicën e kohës jam larg tyre dhe dua të kompensoj mungesën e tyre .
Si është jeta mes Shqipërisë dhe udhëtimeve të punës? Cilat vende ku ke kënduar, atje ku ka shqiptarë të kanë lënë përshtypjet më të mira?
Jeta që bëjmë ne si artista është e lodhshme, për shkak të udhëtimeve të shpeshta dhe që lë familjen pas. Por që edhe e shijoj shumë, sepse është pasioni im që e kam dashurur gjithmonë që në fëmijëri. Vendet që më kanë bërë përshtypje më shumë janë, Anglia dhe Danimarka. Por çdo vend ka specifikën e vet.
Aktualisht keni ftesa për koncerte jashtë vendit dhe nga kush?
Kam pasur ftesa të shumta në Europe duke përfshirë Italinë, Zvicrën, Gjermaninë, por që më shumë jam përqëndruar në Angli, në qytetet si Londra, Birmingham etj. Por kam ftesa dhe nga SHBA si në New York, Detroit, Michigan etj. Ftesa vijne nga organizator të ndryshëm që më njohin nëpërmjet profesionit tim. Aktualisht kam ftesë për një koncert në Michigan nga z.Hysen Elmazaj, presidenti i kompanisë “Albanian Entertainment LLC” i cili organizon koncerte për shqiptarët në SHBA.
Intervistoi: Eglantina Alliaj