Iku në Siri me tre fëmijët, sot Floresha Rasha kthehet me karrocë...

Iku në Siri me tre fëmijët, sot Floresha Rasha kthehet me karrocë në Shqipëri; Burri u bë ushtar i ISIS por e ekzekutuan me snajper, në Tiranë shpërndante pica

497
0

 

Floresha Rasha do të kthehet sot në Shqipëri bashkë me tre fëmijët e saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha. Por ndryshe nga të tjerët dhe ndryshe nga si iku në 2013 në Siri, sot Floresha kthehet me karrocë me rrota për invalidët.

 

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të që ka përfunduar në karrocë, por fatmirësisht sot do të kthehet në vendin e saj bashkë me tre fëmijët, të cilët gëzojnë shëndet të plotë, raporton newsbomb.al. Dje bashkë me anëtarët e familjes Rasha, është marrë nga kampi Al-Hol dhe Endri Dumani, 11 vjeçari që qëndronte në kamp prej 6 vitesh. Ndërkohë, motra e tij Eva Dumani mësohet se pasi ka bërë gati të vëllanë për ta dorëzuar te Gjysmëhëna e Kuqe, është fshehur.

 

Por cila është historia e familjes Rasha?

 

E gjithë drama për këtë familje ka nisur 7 vite më parë, në 16 janar 2013 kur Diamant Basha mori bashkëshorten Floresha dhe tre fëmijët dhe u nisën drejt Sirisë. Të ardhur në Tiranë nga fshati Sllovë i Dibrës, familja Rasha ishte një familje modeste e kryeqytetit. Bashkëshorti, Diamanti punonte si shpërndarës picash dhe me këtë punë mbante familjen.

 

Por ai frekuentonte dhe një xhami në zonën e Unazës së Re, aty ku imam ishte Genci Balla, një person i dënuar nga drejtësia si rekrutues i besimtarëve dhe që i dërgonte ata në Siri për të luftuar krah Shtetit Islamik, raporton newsbomb.al. I rekrutuar nga Genci Balla, Diamant Rasha vendos që në 2013 të marrë bashkëshorten dhe tre fëmijët dhe të niset drejt Sirisë.

 

Një vit pas mbërritjes në Siri, Diamanti u ekzektua me snajper në luftë, ndërsa la rrugëve Florëshën dhe tre fëmijët, Amarin, Emelin dhe Hatixhen. Prej atëherë, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, por rojet e kampit e ndaluan.

 

Falë një operacioni të organizuar nga autoritetet siriane, Gjysmëhëna e Kuqe dhe Shërbimet e specializuara të Policisë Shqiptare, pas 4 javësh në Siri është bërë i mundur riatdhesimi i fëmijëve dhe disa prej grave të izoluara në kampin Al-Hol. Dje është lajmëruar se drejt Shqipërisë është nisur Floresha Rasha dhe tre fëmijët e saj, bashkë me Endri Dumanin.